Mandati i Dvoranit/ KLGJ shmang Gjykatën Kushtetuese, i kërkon mendim ndërkombëtarëve

358
Sigal

Këshilli i Lartë Gjyqësor do ti kërkojë mendim partnerëve ndërkombëtarë, me gjasa EURALIUS dhe OPDAT, për çështjen e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvoranit.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme, pas kërkesës së disa ditëve më parë të Presidentit Meta.

Mbetet e paqartë, përse KLGJ nuk arriti të marrë një vendim për Dvoranin. Kushtetuta parashikon se anëtarët e rinj zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve ju ka mbaruar mandati.

Gjyqtarit Dvorani i ka mbaruar mbaruar mandati që prej vitit 2014, shumë më herët se të gjithë anëtarëve e tjerë të Gjykatës së Lartë, të cilët dhanë dorëheqjen apo u shkarkuan nga vetingu.

Në përputhje me përcaktime dhe frymën kushtetuese, vendi i tij duhet të ishte i pari për t’u zëvendësuar dhe Dvorani duhet të largohej që në momentin e emërimit të anëtarit të parë të ri të Gjykatës së Lartë.

Nga ana tjetër, Kushtetuta përcakton se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të bëjë interpretim të saj. Kështu nëse KLGJ-së i nevojitej një interpretim ligjor për mbarimin ose jo të mandatit të Dvoranit, mund të drejtonte kërkesë në GJK. Tashmë ajo ka kuorumin për të pranuar kërkesa.