Mallra kontrabandë, arrestohen dy punonjës të postës në Tiranë/ Në kërkim administratori

39
Sigal

Vihen në pranga dy punonjës të një poste private në Tiranë, e cila magazinonte dhe shpërndante mallra të kontrabanduara, ndërsa është shpallur në kërkim administratori i postës.

Gjatë operacionit u sekuestruan 204 pako me mallra të ndryshme të kontrabanduara, me vlerë rreth 15 000 euro.

Njoftimi i policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Delivery 2”.   

Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit Xh. Z., 28 vjeç dhe F. B., 28 vjeç, banues në Tiranë, punonjës të një poste private. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. S., 30 vjeç, banues në Tiranë, administrator i kësaj poste. 

Në rrugën “5 Maji”, gjatë kontrollit të magazinave të postës private me administrator shtetasin L. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 204 pako me mallra të ndryshme, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e mallrave.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.