Makina e zezë e… drogës, që “po i nxin punën dhe jetën” ministrit Saimir Tahiri

642
Qysh prej 1 muaji, “hallet” e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri kanë dalë jashtë “shtëpisë” dhe kontrollit të tij. Duket qartazi, se “lakrat” nuk mund t’i mbulohen dot më, paçka se ministri tashmë me “maskë të çjerrë”, po përpëlitet për të rikthyer “virgjërinë” me konferenca shtypi, me replika, me emisione televizive, me deklarime të kryeministrit për “biografi të mirë”, me akuza e presione ndaj atyre që e akuzojnë dhe me “kapardisje mjerane”, duke u vetë-shpallur “luftëtar i betuar kundër kultivimit dhe trafikut të drogës”. Këtë e dëshmon edhe fakti, që asnjë shokë, kolegë, vartës, mik, drejtor i emëruar prej tij, ministër dhe deputet i “Rilindjes” që deri dje i kanë zhvatur vende pune për klientë e familjarë, nuk po i del “në krahë” në këtë “vjeshtë të vështirë”, duke e lënë të vetëm përballë sulmit të opozitës, që përditë i publikon nga një argument e provë, lidhur me “të zezat” e bëra në këto 2 vite me “makinën e zezë”, që siç thotë populli, po i “nxin punën dhe jetën”. Shtetari i lartë Saimir Tahiri, një nga më të përkëdhelurit dhe të fuqizuarit me më shumë pushtete brenda pushtetit si Ministër i Brendshëm, deri si firmosës i tenderëve të supës dhe larjes së çarçafëve të materniteteve e çerdheve, pas 25 muajsh Ministër i Brendshëm, është vënë përballë akuzës konkrete, të cilën po e pranon përditë, por pak e nga pak, si të… “penduarat e semoforëve”. 

Akuza që po i bëhet Tahirit me epitetin si “shef bujqësie” i prodhimit të drogës dhe si “shef tregtie” i saj deri me “eksport” në Itali, Greqi, Austri e Gjermani, po sillet rreth makinës së tij private, tashmë e konfirmuar si e përdorur në super-krimin e shfrenuar e të mbrojtur prej tij të prodhimit dhe trafikut të drogës! Nuk po akuzohet një polic zone, por po akuzohet “dora vetë” Ministri i Brendshëm, që ka nën komandë 11 mijë policë e shefa antikrimi, të cilëve çdo mëngjes u mban fjalime e i urdhëron të… luftojnë krimin, apo që i dërgon nëpër zona për të zhdukur drogën! Po akuzohet ministri i graduar dhe i vetë-graduar si “heroi” i “shkuljes” së drogës nga Lazarati. Akuzat ndaj tij nuk janë citate, por fakte. Prej 1 muaji, ministri Tahiri po akuzohet “non stop” prej opozitës, si “krye-fermeri” dhe “krye-tregtari” i drogës nga toka, ajri dhe deti! Akuzat që po i bëhen ministrit Tahiri, kanë nisur pas denoncimit mediatik të bërë prej një ish-oficeri policie kriminale, etiketuar si “bosi i drogës shqiptare”, të cilën e lejonte dhe e mbronte duke pajisur trafikantë e prodhues të afërm të tij në zonat malore të zonës së Jug-Perëndimit të Shqipërisë, që të kultivonin, të përpunonin, transportonin e tregtonin rregullisht sipërfaqe e “mullarë” me hashash, madje edhe me “ drogë pluhur”. Si provë të kësaj akuze, ish-oficeri i krimeve Zagani e pas tij opozita, po publikojnë një makinë provë private të ministrit Tahiri, duke e përmendur me markë, me targë, me vit prodhimi, me vit e çmim blerje, me vit shitje tek të afërmit e tij trafikantë droge, me datë e kohë përdorimi për të mos u prekur nga policia si “makinë e ministrit”, skeduar e publikuar tashmë si makinë tip “Audi A-8”, me targë AA 003 GB. Ministri Tahiri, ka disa ditë që po përpiqet e po përpëlitet në mënyrë të sikletshme deri komike, të mohoj e hedh poshtë akuzat e bëra për përdorimin e makinës së tij prej “kushërinjve blerës” në trafikun e drogës, duke servirur çdo ditë nga një version ndryshe.

 Në fillim, ai mohoi të kishte në pronësi një makinë tip “Audi A-8”, me targë AA 003 GB. Pastaj e pranoi që e kishte pasur në pronësi këtë makinë, por që “nuk i njihte blerësit” . Pastaj, mohoi që pas shitjes, të kishte përdorur makinën e shitur! Pastaj e pranoi që e kishte përdorur “në ndonjë rast, por për nevoja personale familjare emergjente, ngaqë ishte i ndershëm dhe nuk donte të përdorte 5 makinat ministrore individuale dhe eskortë, që ka në dispozicion si Ministër i Brendshëm! Pastaj pranoi, që blerësit i kishte kushërinj, por “kushërinj të largët”. Sipas denoncimit të ish-oficerit Zagani dhe akuzave të opozitës, ministri Tahiri jo vetëm që kishte dijeni për përdorimin e makinës së tij private në aktivitetin kriminal të drogës prej “çetës” së tij të krimit, por edhe ua kishte dhënë atyre në përdorim me qëllim që të mos prekeshin nga policia. Ai ua kishte shitur makinën, për të humbur gjurmët e lidhjes me fermerët dhe trafikantët e drogës. Ajop që nuk shkon në deklarimet e ministrit është fakti, që ai deklaron se “nuk e kishte deklaruar makinën si pasuri në formularin e ILDKP, mbasi ishte me një gjobë që po e paguante”. Pyetja shtrohet: Me çfarë të ardhurash e bleu ministri Tahiri, një makinë luksoze me vlerë 85 mijë euro në vitet kur ishte vetëm deputet opozite! Si e shiti vetëm… 1 milionë lekë? Përse nuk e deklaroi makinën si pasuri, kur ligji i deklarimit detyron deklarimin e çdo pasurie të luajtshme e të paluajtshme mbi vlerën 300 mijë lekë, ndërkohë që makina ishte me vlerë 85 mijë euro! Përse nuk e deklaroi makinën si pasuri në IKDP, kur ligji e detyron të deklarojë çdo pasuri të luajtshme e të paluajtshme si para marrjes së detyrës, si gjatë detyrës edhe pas lënies së detyrës. Dhe madje ka afate të përcaktuara se brenda cilit afat duhet bërë deklarimi! Kujtojmë, që ministri Tahiri ka bërë 3 herë deklarime, konkretisht në vitin 2012, në vitin 2013 dhe në vitin 2014, ndërsa në vitin 2015 nuk ka bërë deklarim pasurie edhe pse sipas ligjit, duhej ta kishte bërë qysh 6 muaj më parë.
Sigal