Mafia e plehrave sulmon Kavajën

203
Sigal

Mafia e plehrave duket se ka filluar sulmin dhe në Kavajë, bashki e cila nuk ka lidhur ende kontratë me koncesionarin. Prej disa ditësh, plehrat e grumbulluara digjen nga persona të paidentifikuar, ndërkohë që ende nuk ka një autor dhe një motiv për ndotjen që po i shkaktohet këtij qyteti

Pamjet e katastrofës mjedisore që të oforon Plazhi i Spilles dhe i Gjeneralit në mes të sezonit turistik, lë shumë për të dëshiruar. Mbetjet urbane janë rikthyer prej disa ditësh shqetësim për banorët e Spillesë, pasi persona të paautorizuar kanë djegur grumbujt e plehrave, duke mbytur zonën me tym dhe erë të keqe. Ky akt vandal, i cili ende nuk ka një autor të identifikuar vjen vetëm pak ditë pas ngritjes së të njëjtin shqetësim në qytetin e Durrësit dhe të Peqinit, ku ngrihen dyshime se gjithçka lidhet me aktivitetin e mafies së plehrave. Zjarrfikësja shkon çdo ditë pranë këtij vendgrumbullimi për të shuar zjarrin, por ai rindizet sërish. Kjo ka shqetësuar banorët e zonës përreth, por edhe të qytetit, i cili gdhihet çdo ditë me tymin dhe erën e keqe nga landfilli, ku ata jashtë kameras shprehen se kjo do të jetë lojë e pushtetit, por që druhen për të folur publikisht.

Ligji parashikon se të gjitha mbetjet duhet të seleksionohen, në mënyrë që të ndahen në të riciklueshme dhe trajtim të posaçëm, dhe në këtë rast Policia duhet të ndërhyjë, duke ndëshkuar me procedime penale ata që e shkelin ligjin apo nuk e zbatojnë atë. Hedhja e mbetjeve në këto vendgrumbullime të paligjshme, jo vetëm që largon turistët, apo shkakton dëme në florën dhe faunën e Kavajës, por vendos në rrezik edhe jetën e banorëve.

Situata që po krijohen në bashki të ndryshme duket më shumë një lojë e vetë pushtetit vendor për të marrë vendime me qëllim lidhjen e kontratave me inceneratorët.Deri tani në të gjitha rastet e denoncuara bashkitë përkatëse nuk kanë kontrata për depozitimin e mbetjeve në incinerator.