Lufta kundër drogës, ‘harrohen’ përdoruesit ‘VIP’ të politikës, artit dhe administratës

513
Sigal

Fenomen prezent e me pasoja, por neglizhohet, duhen kontrolle. Flasin: Viron Bezhani, Gjergj Ruli, Arjan Sukniqi e Nikolin Gurakuqi

Përdorimi i drogës dhe nga njerëz të artit, politikës, deri deputetë dhe funksionarë të lartë shtetërorë është një fenomen prezent dhe te ne, që në fakt, nuk është vlerësuar pothuaj fare. Përtej domosdoshmërisë së kontrollit me objektivitet në Lazarat e zona të tjera të vendit, ‘harresa’ e evidentimit e masave parandaluese-ndëshkuese tek përdoruesit ‘VIP’, tregon falsitetin e luftës kundër drogës, por sjellë dhe pasoja direkt e indirekte, pasi të sipërpërmendurit që punojnë në institucione publike, janë në kontakte me njerëzit. Sipas statistikave të policisë, në jo pak aksidente automobilistike (sidomos në orët e vona të natës kur klientët dalin nga lokale, ku konsumohet dhe drogë) me pasoja vdekje, por dhe ekspertizave mjeko-ligjore, protagonistët kanë rezultuar të droguar. Specialistët, krahas kontrolleve fizike të policisë për kapjen e ndalimin e përdoruesve të ‘miellit të bardhë’, këmbëngulin dhe në një nevojë të aplikimit të formës së testit antidoping siç përdoret tek sportistët. Edhe pse në Shqipëri nuk ka mundësi praktike të kontrolleve të mirëfillta antidoping, sipas specialistëve, mund të aplikohen forma të përafërta që verifikojnë përdorimin ose jo të lëndëve narkotike. Në një pikë ata bashkohen: Fenomeni i përdorimit të drogës në institucionet publike (që punojnë në këto institucione), është një fenomen prezent që nuk duhet neglizhuar.

SITUATA

Burime konfidenciale për “Telegraf” nga një prej institucioneve kulturore shtetërore kryesore në vend thotë se, ‘ne dimë se kush nga artistët përdor simulant dhe na kanë sjellë problem në aktivitete’ dhe thonë se dikush duhet t’i frenojë, qoftë dhe një kontroll apo analizë. Po ashtu, në shumë lokale, kryesisht ata që frekuentohen natën, të rinj, por dhe këngëtarë e artistë, njerëz publikë, janë përdorues të drogës. “Në një nga lokalet e natës në ish-Bllok në Tiranë, një grup artistësh të njohur, të rinj, konsumuan drogë. Në ikje, bënë aksident pak metra larg lokalit. Kanë ndodhur shumë raste kështu. Së pari, policia duhet të ushtrojë kontrolle për drogë, pasi nuk është vështirë të mësohet se ku janë lokalet, ku përdoret drogë. Po dhe kontrolle si me sportistët të bëhen. Kurse drejtuesit e institucioneve kulturore, e kanë vetë në dorë që të mos mbajnë në punë pijanecë apo njerëz që përdorin simulant”- shtojnë burimet për “Telegraf”.

ZGJIDHJA

 Burimet e mësipërme shtojnë se përdorues droge ka dhe në institucionet shtetërore, deri dhe në ndonjë medie. Shumë raste, përfshi dhe politikanë të lartë të vendit, janë përfolur në opinion e medie jo vetëm si me influencë në trafikun e drogës, por dhe si përdorues. “Laboratorë të mirëfillta antidoping nuk ka te ne, por mënyra kontrolli në institucione shëndetësore për të përcaktuar përdoruesin e drogës ka. Por duhen gjetur hapësira ligjore nëse ato nuk ekzistojnë”- konfirmojnë specialistët. Një specialist i mjekësisë që merret me rehabilitimin e përdoruesve shkon dhe më tej. “Unë di shumë këngëtarë, por dhe aktorë që përdorin simulantë, pasi kam pasur raste që u kam dhënë dhe ndihmë. Po ka dhe funksionarë të lartë, deri dhe ushtarakë policie. Kur vjen puna për zgjidhjen e kësaj situate, arrihet në konkluzionin se aktualisht, frenues mbeten vetëm kontrollet e policisë. Por të gjithë e dimë se ku dhe si bëhen.

PRONONCIMET

 Pyetja: Krahas kontrolleve policore, a duhet të bëhen teste antidoping sikundër bëhet për sportistët dhe për artistë politikanë, zyrtarë të institucioneve publike?

Viron Bezhani. (President i KOKSH): Përdorimi i drogës është shqetësues për personin, familjen, por dhe shoqërinë. Për mua duhet ndërgjegjësim për rrezikun e drogave dhe kontrolle nga policia. Jo se nuk duhen kontrollet antidoping që aplikohet në sport, por praktikisht kjo është e pamundur pasi tek ne nuk ka laboratorë se kushtojnë shumë.

Gjergj Ruli. (President i Atletikës): Drogaështë vrasëse së pari për atë që e konsumon, por dhe për shoqërinë. Sidomos shqetësime pasoja ka, kur përdoruesit janë në institucione të kulturës, artit apo politikë, pasi kanë kontakte me politikën. Dhe kontrolle në formën antidoping si tek sportistët duhen bërë, ndërsa nuk di se si praktikisht. Po dhe nëpër PUB-e e lokale, pasi shumë aksidente me pasoja janë shkaktuar nga të droguar…

Nikolin Gurakuqi (regjisor):

Këngëtarët e muzikës së lehtë pinë, besoj disa se e quajnë në modë, është diçka moderne. Ndërsa këngëtarët e operës në darkë janë në punë. Pra, normalisht edhe artistët duhet ta bëjnë testin para se të dalin në skenë sepse ajo të eksiton, të nxjerr jashtë pune. Po vritet rinia. Është koha për alarm. Ne duam rini që do jetën, jo vdekjen. I pari fajtor është shteti që e lejon drogën që futet. Lufta që i është bërë drogës është e shkëlqyer duhet të vazhdojë. Ligje të egra duhet të ketë. Ata që shesin drogën shesin vdekjen. Rinia shqiptare po vdes çdo ditë dhe nga pak këtë do e kuptojmë pas 20 vjetësh. Kudo të ketë kontrolle…

Arjan Sukniqi.(Koreograf):

Arti është tjetër dhe garimi është tjetër. Detyra e sportistit është t’i fitojë tjetrit pikët, t’i fitojë kupën, por në kushte të barabarta fuqie natyrale. Ndërsa arti ka natyrë tjetër, ka natyrë specifike. Nuk ka lidhje se nuk ka garë për medalje.  Detyra e balerinit është vetëm të kërcejnë sa më bukur, të kënaqin publikun, të kënaqin, spektatorin. Ata nuk garojnë me të tjerë por me veten, me specifikën e artit.