Lufta e pacientëve për kurën e kancerit të gjirit sfidon politikën dhe kurbën në rritje të vdekshmërisë

885
Sigal

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se herceptina – një bar që përdoret për të kuruar fazat e avancuara të kancerit të gjirit nuk do të mungojë më për gratë shqiptare; megjithatë, një pjesë e pacienteve dhe mjekëve janë skeptikë ndaj zotimeve të qeverisë, ndërkohë që mbeten të shqetësuar për mungesën e një regjistri të sëmundjes malinje, i cili do të jepte një panoramë më të qartë të shkaqeve pas rritjes drastike të rasteve të diagnostikuar. Brunilda Alimerkaj ishte një nënë e re kur u diagnostikua me kancer në gji 12 vjet më parë, por lufta e saj me sëmundjen malinje nuk ka përfunduar ende. Prej tre vitesh, 42 vjeçarja nga Ballshi udhëton çdo 21 ditë drejt spitalit të Bergamos në Itali për të marrë në ditën dhe orën e caktuar Herceptinën – një preparat që përdoret për të kuruar fazat e avancuara të kancerit të gjirit, por që në spitalet shqiptare ka munguar. “E them me bindje që, nëse do të kisha zgjedhur të kurohesha në spitalet shqiptare, sot nuk do të isha gjallë. Jo për faj të mjekëve, por për faj të sistemit tonë shëndetësor që nuk u garanton asgjë pacientëve,” thotë Bruna duke kujtuar kalvarin e saj të gjatë. Mungesa e herceptinës, një preparat i shtrenjtë, por i domosdoshëm për të luftuar kancerin e gjirit ka qenë një problem i vazhdueshëm për spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku rritja e numrit të pacientëve të diagnostikuar me tumor malinj ka shënuar një rritje eksponenciale gjatë dekadës së fundit. Megjithatë, mungesat e furnizimit me këtë bar jetik u bënë pjesë e debatit publik, kur në janar të këtij viti, gjatë një dëgjese publike të kryeministrit Edi Rama në Rrëshen, një mësuese gjimnazi u ankua se preparati mungonte prej muajsh. Rama i premtoi zgjidhje të menjëhershme dhe disa ditë më pas, si për të vërtetuar se ai i mban premtimet, së bashku me mësuesen nga Rrësheni garantoi para kamerave të mbledhura në spitalin Onkologjik në Tiranë se nuk do të kishte më mungesë të herceptinës. Zgjidhja e problemit nuk iu përmbajt ritmit të shpejtë të propagandës qeveritare dhe vetëm nga fundi i prillit, pas një proteste të grave me kancer gjiri, QSU u furnizua me një sasi prej 4000 flakonëh herceptinë intravenoze, çfarë i bën pacientët skeptikë se mungesa mund të përsëritet. Ndërkohë, mjekët janë të ndarë mbi dëmin që mund të ketë shkaktuar mungesa e barit në shëndetin e pacientëve të tyre. QSUT garanton se furnizimi në të ardhmen do të normalizohet, pas përfshirjes së herceptinës në listën e barnave të rimbursueshme. Megjithatë, organizatat e të drejtave të pacientëve, disa mjekë dhe përfaqësues të opozitës mbeten të shqetësuar për shkak se përballë numrit në rritje të rasteve të diagnostikuar me kancer gjiri, buxheti i shëndetësisë për rrezatim dhe kimio-preparate edhe pse i rritur ndjeshëm gjatë 5 viteve të fundit, mbetet shumë i vogël në krahasim me mesataren evropiane. Të dhënat e siguruara nga Instituti i Shëndetit Publik, ISHP, tregojnë se Shqipëria është një nga vendet e Mesdheut me incidencë të lartë të kancerit të gjirit dhe në krahasim me vendet e BE-së, kjo sëmundje shpesh diagnostikohet në stad të avancuar – çfarë sjell dhe vdekshmëri të lartë në personat e prekur. ISHP është e ngarkuar gjithashtu me ngritjen e regjistrit të kancerit, por mjekët specialistë ankohen se procesi i vonuar prej dekadash dhe i nisur në vitin 2015 po ecën me ritme të ngadalta, çfarë e ka futur luftën kundër tumoreve malinje në qorrsokak. Organizatat e pacientëve shprehen gjithashtu se në spitalet shqiptare nuk ka munguar vetëm herceptina, por edhe organizimi dhe mbështetja e nevojshme për gratë që përballen me betejën e vështirë për të mbijetuar dhe triumfuar kundër kancerit.

Rritja e vdekshmërisë

Sipas Institutit të Statistikave, tumoret janë vrasësit e dytë më të mëdhenj të shqiptarëve. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se vetëm në vitin 2017 në Shqipëri kishte 7 mijë persona të prekur nga tumoret, ndërkohë që sëmundjet malinje fajësohen për 3645 vdekje. Zyrtarisht Shqipëria renditet ndër vendet që ka një numër të lartë të prekjes me kancer gjiri.“Incidenca e standardizuar, sipas moshës për kancerin e gjirit është 53/100.000 banorë, një shifër kjo më e ulët se vendet mesdhetare të BE-së (80/100.000), por shumë më e lartë se vendet e Mesdheut Lindor (41/100.000),” shkruan ISHP në përgjigje të një kërkese për informacion nga BIRN. Sipas të dhënave të ISHP-së, e cila që prej vitit 2015 po përpiqet të ngrejë edhe regjistrin e kancerit, kurba e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit ka pësuar një rritje konstante dhe shqetësuese gjatë dy dekadave të fundit. Më konkretisht, nëse në vitin 2002 vdekshmëria ishte 6.8 vdekje për 100 mijë banorë, në vitin 2017 ajo e ka kapërcyer dyfishimin, duke shënuar plot 16 vdekje për 100 mijë banorë. E përkthyer në shifra, nëse në 2002 humbën jetën nga kanceri i gjirit 204 persona (duke iu referuar popullsisë në vitin 2001 që ishte 3 milionë banorë), në 2017-ën ishin plot 448 persona që ndërruan jetë si pasojë e kësaj sëmundjeje. Reporter.al