Loro Stajka/ Katovica duhet çrrënjosur, përndryshe, demokracia mbahet peng

617
Sigal

Replikë për shkrimin e analistit Kastriot Myftaraj mbi Katovicën

Lexova me interes shkrimin e analistit të njohur z. Kastriot Myftaraj me titull “E gjithë e Vërteta mbi Katovicën” botuar në gazetën “Telegraf” datë 22 tetor 2013. Është gjë e mirë që në media po trajtohet prona, të përndjekurit dhe Katovica. Unë, jam njohur kohë më parë me platformën e Katovicës, nëpërmjet dokumenteve shqip dhe anglisht të paraqitura në faqen e internetit të shoqatës së pronarëve www.dfendingproperty.com. Ia rekomandoj analistit Myftaraj dhe deputetëve që t’i shqyrtojnë analizat juridike, projektligjin e propozuar, videot me protestat e popullit, apelin drejtuar Stefan Fyles, ambasadorëve, etj., të publikuar në faqen e internetit të shoqatës dhe ta nënshkruajnë peticionin online me të cilën kërkohet të zbatohet Kushtetuta me moton e ambasadorit te SHBA-ve, z. Aleksander Arvizu, “Vepro tani”. Ky do jetë një veprim ku analistët dhe media do të ndikojnë pozitivisht për të korrigjuar pasojat e Katovicës. Në shkrimin e analistit Myftaraj bëhen publike fakte shumë interesante dhe të panjohura për publikun, por analiza ka shumë subjektivizëm dhe nuk mund të quhet se është e gjithë e vërteta mbi Katovicën. Unë jam nga ata shqiptarë, që disa dekada më parë, për shkak të represionit komunist, u detyrova të kaloj kufirin. Pas largimit jam vendosur në SHBA me gjithë familjen time. Pushteti komunist i Enver Hoxhës, pa vendim gjyqësor ma sekuestroi shtëpinë dhe tokën e ja dha atë një personi tjetër.

Pas përmbysjes së sistemit të diktaturës në 1991, kam ardhur shumë herë në Shqipëri. Së bashku, me shqiptarë të tjerë nga emigracioni, kemi shpenzuar sa na lejonte buxheti ynë dhe jemi përpjekur shumë që të organizonim demokracinë, por pengesat dhe infiltrimet e sllavo-komunistëve që maskoheshin duke sharë komunizmin, Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë, e sabotuan krijimin e opozitës. Dhe praktikisht sot në Shqipëri ka fasadë demokratike me elemente të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut; ka elektorat të djathtë dhe të majtë, por nuk ka parti politike të djathta dhe të majta dhe nuk ka demokraci. Pavarësisht se analistët dhe ambasadorët nuk e deklarojnë, partitë politike që kanë drejtuar nga viti 1991 -2013, janë klane dhe vetëm në emër janë të majtë dhe të djathtë. Edhe pse procesverbali i Katovicës nuk është gjetur, ajo strategji dhe platformë nuk duhet injoruar, siç është bërë deri sot, sepse ajo vazhdon të veprojë. Katovica duhet çrrënjosur, përndryshe, demokracia mbahet peng, atdheu ynë, dhe populli do ta paguaj me humbje të identitetit, degradim moral dhe do të greqizohet.

Bindjet e mija politike janë të djathta, por PD nuk është e djathta dhe as PS nuk është e majtë, se për 23 vjet kanë penguar kthimin e pronës se grabitur tek i zoti. Drejtuesve të partive ju ka munguar qartësia politike dhe kombëtarizimi. Shqipëria sot është produkt i zbatimit të strategjisë së Katovicës. Politikanët shqiptarë duhet të kuptojnë se partitë politike të djathta dhe të majta do krijohen nëse Qeveria Shqiptare do të kthejë pronat e grabitura tek i zoti në përputhje me dokumentet e shtetëzimit komunist që bëri Enver Hoxha dhe do të miratojë ligje në përputhje me nenin 181 të Kushtetutës në fuqi. Këtë proces duhet ta mbështesë në radhë të parë ambasadori i BE-së z. Ettore Sequi dhe mediat. Unë, si të gjithë shqiptarët, kam kërkuar kthimin e shtëpisë dhe tokës që me konfiskoi diktatura komuniste në vitin 1957. Përpjekja ime e filluar që në 1991 përfundoi tani në Tetor 2013. Megjithëse i kisha të gjitha dokumentet e pronësisë, dhe pata fituar gjyqet, unë përsëri rrezikoja të mos më kthehej prona e grabitur. Mua më ndihmoi dhe pasaporta ime amerikane, por pasaportë amerikane nuk kanë të gjithë pronarët, që vazhdojnë të vuajnë pasojat e regjimit të Enver Hoxhës dhe vazhdimësisë sipas modelit të Katovicës. Më ndihmoi gjithashtu ndershmëria, zotësia profesionale e avokatit tim. Sikur shume nga avokatët do të vepronin ndershmërisht, duke kërkuar të drejtën sipas ligjit dhe kushtetutës sistemi i drejtësisë do të ishte në gjendje shumë më të mirë dhe nuk do kishte atë emër që ka sot, i korruptuar.

Analiza e z. Kastriot Myftaraj, për pronarët dhe të përndjekurit nuk përputhet me realitetin sepse ai thotë se, “të djathtët e izoluan vetveten që në fillim të ndryshimeve politike në vend, duke qenë se mburreshin se ishin “derë e madhe” njerëz prej “fisi të mirë“ njerëz me prona, jo zbatharakë, prandaj atyre ju takonte të zinin vendet …. .” Kjo paraqitje e deformuar, shërben për të maskuar të vërtetën e vjedhjes së pronës nga politikanët. Të shpronësuarit kanë kërkuar dhe kërkojnë që secili të marri pronën e tij. Pohoj me bindje të plotë se opozita e vërtetë kundër planit të Katovicës që ka zgjatur jetën e komunizmit në Shqipëri, është Shoqata. Kryetari i shoqatës së pronarëve Rrapo Danushi dhe kryetari i Bregdetit dr. Niko Nesturi, meritojnë respektin e të gjithëve sepse me përkushtimin e tyre kanë realizuar një punë të madhe megjithëse pa mbështetje financiare. Të gjithë e dinë se fisi i mirë dhe pasuria nuk janë njëlloj. Në radhë të parë vlerë ka ‘fisi i mirë‘ me traditën dhe faqen e bardhë, por më e mira është që familja t’i ketë të dyja. Ka familje që kanë vetëm njërën ose asnjërën prej tyre. Ka familje që pas viti 1991 kanë marrë pronat e tjetrit, por kështu ajo familje ka humbur emrin e mirë dhe fisin.

Janë politikanët pa taban që kanë drejtuar pas vitit 1991 ata që manovruan me ligjet për të maskuar hajnitë e tyre, që nxitën njerëzit e thjeshtë që të pushtojnë, të ndërtojnë pa leje, të përvetësojnë toka qe e dinin që nuk i kanë të tyre. Me këtë veprim ata i implikuan, i turpëruan dhe i ç’burrëruan këta njerëz të thjeshtë edhe në rastet kur familjet e tyre kanë qenë të ndershëm. Kam parasysh një opinion të botuar në javën e parë të Tetorit 2013, në gazetën “Telegraf”, nga zoti Seri Allushi. Ai përpiqet të sensibilizojë bashkëfshatarët e tij dhe ata që kanë veshë për të dëgjuar se me ligjet e miratuara sipas platformës së Katovicës, pasuritë dhe asetet e krijuara nga puna e popullit në dekada u rrëmbyen padrejtësisht nga njerëz me pushtet dhe nga matrapazë e hajdutë gjithfarësh. Pyetja që shqetëson mendjen time, dhe duhet të shqetësojë drejtuesit e shtetit është: A kanë realizuar politikanët e postkomunizmit interesat e agjencive të huaja? Pse analisti Kastriot Myftari nuk na thotë se nëse do kthehej prona në 1993, do të ndodhte luftë civile siç ndodhi në 1997!! Pse në 1991, kur në Vlorë filluan trazirat për paratë e futura tek firmat e fajdeve, nuk u dogjën zyrat e firmave piramidale por një grup i maskuar me pishtarë të ndezur u ngjit, në katin e dytë të Bashkisë dhe i vuri flakën dokumenteve të Komisionit të Pronave. Nëse analizojmë faktet platforma e Katovicës, e zbatuar në periudhën 1991-2013, nën petkun e pluralizmit, i ricikloi ish- komunistët dhe ish- punonjësit e sigurimit (pjesën pa taban kombëtar) në poste drejtuese dhe me pseudoligje krijoi anarkinë e pronës duke ju dhënë mundësinë personave të pandershëm për të përvetësuar pronën e komshiut, kushëririt, apo bashkëfshatarit. Qeveria duhet t’i japi fund kësaj anarkie me moton “Vepro tani”