Lojërat e fatit, efekti domino në pasuritë e paluajtshme

699
Sigal

Nga Ledina Loga

Prej shumë vitesh, burimi kryesor i të ardhurave për Andi M., ishte qiraja që merrte nga dyqani në pronësi të familjes së tij. Dyqani, në një nga zonat më të mira të kryeqytetit, me dalje në rrugë kryesore kishte sipërfaqe 200 metër katrorë dhe një qira mujore prej 4000 euro. Qiramarrësi, sipas Andit, kishte qenë ndër më korrektët me të cilët ai kishte punuar, pagesat bëheshin në kohë dhe asnjëherë nuk ishte diskutuar ulja e çmimit. Për më shumë se katër vite në dyqanin e tij operonte një pikë bastesh sportive. Prej ditës kur kryeministri dha ultimatum që të gjitha pikat e basteve sportive dhe kazinotë do të mbylleshin, agjencitë e pasurive të paluajtshme thonë se kanë pasur vazhdimisht takime me pronarët që kanë lëshuar mjediset e tyre si pika bastesh dhe kazino. Të ndodhura në pikat më strategjike, me sipërfaqe të mëdha, ekspozim të mirë, çmime të padiskutuara dhe të larta në krahasim me pikat kyçe të tregut, mbyllja e pikave të basteve dhe kazinove pritet që të rrisë ofertën për pasuri të paluajtshme. Prezantimi i projektligjit nga kryeministri këtë tetor i gjeti të papërgatitur si drejtuesit e këtyre pikave, ashtu edhe qiradhënësit, të cilët nxituan t’iu drejtoheshin agjencive të pasurive të paluajtshme për të listuar pronat e tyre.

 Çmimet stratosferë dhe në zonat më të lakmuara

Të gjitha pikat e basteve dhe kazinotë kanë zgjedhur ta zhvillojnë aktivitetin e tyre në pikat më strategjike për të operuar. Si biznes fitimprurës, ata nuk janë treguar në asnjë moment dorështrënguar me çmimet e qirave që kanë marrë ambientet. Në zonën e Bllokut, qiratë për këto njësi biznesi nisin nga minimumi 1500 euro/muaj, por janë edhe më të larta kur bëhet fjalë për pronat në qoshe të rrugëve, pra që kanë dalje në dy rrugë të ndryshme. Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, njësitë e dhëna për pikat e basteve kanë qenë shumë të qëndrueshme dhe kanë ndërruar qiramarrës në raste të rralla. Genc Zike, agjent i agjencisë së pasurive të paluajtshme “DevInf”, thotë se pikat e basteve janë vendosur në zona strategjike dhe në vende të dukshme, ndërsa shton se çmimet e tyre ishin më të larta se çka mund të përballonte tregu. Aftësia paguese e pikave të bastit ka rritur çmimet e qirave për ambientet e biznesit, këtë e pohojnë të gjithë aktorët e patundshmërisë në Tiranë. “Janë prona interesante, këndore dhe gjithmonë të lakmuara nga bizneset e reja. Qiradhënësit që janë në treg janë me çmime më të larta. Në përgjithësi si tipologji biznesi kanë qenë stabël” – thotë inxhiniere Xheni Jahja nga agjencia “Tirana Real Estate”. Sipas të dhënave të mbledhura nga ofertat në agjencitë kryesore zonat më të shtrenjta për çmimin e qirave janë zona e ish-Bllokut dhe Rruga e Kavajës. Për të marrë një mjedis biznesi në këto zona minimumi i qirasë është 6 euro për metër në katror dhe kjo për dyqane që janë në rrugë dytësore dhe çmime maksimum deri në 24 euro për metër katror. Një ambient me një sipërfaqe rreth 100 metër katrorë në ish-Bllok, ka qira mesatare rreth 1500 euro. Zonat jo shumë pranë qendrës, sipas të dhënave të mbledhura nga agjencitë kryesore, kanë çmim mesatar rreth 7 euro për metër katror dhe një sipërfaqe prej 100 metër mund ta marrësh sa gjysmën e çmimit të një dyqani në zonën e Bllokut.

Agjencitë optimiste

Për agjencitë kryesore të patundshmërisë në vend, pritet që mbyllja e pikave të bastit dhe kazinove do t’i japë frymëmarrje biznesit. Prej kohësh, segmenti i qirave për dyqane në tregun e patundshmërisë ka pasur mungesë oferte për ambiente biznesi (dyqane) dhe një kërkesë në rritje. Darjen Bega, agjent i patundshmërisë në Remax, thotë se me këtë ndryshim pritet të lirohen ambiente që më parë kanë qenë në pika kryesore. Edhe agjencitë e tjera shprehen optimiste. “Kemi pasur kërkesa gjatë tremujorit dhe ne si agjenci ishim në ngërç pasi nuk kishim ofertë në treg. Nga njëra anë, është pozitive pasi mund të plotësojnë kërkesat e bizneseve të ndryshme. Anë negative është çmimi më i lartë se sa janë kërkesat”, – thotë Xheni Jahja për “Monitor”.

A do të ulen çmimet?

Shtimi i ofertës për dyqane në kryeqytet pritet të sjellë rënie të çmimeve në këtë segment të tregut të patundshmërisë. “Mendoj se rritja e ofertës pa diskutim do të ndikojë edhe në uljen e çmimit, pasi do të lirohen shumë prona, të cilat janë më lartë në krahasim me tregun”, tha për “Monitor”, Genc Zike nga DevInf. Ai shton se kanë nisur që të listojnë pronat e para dhe se ky vendim i ka gjetur disi të papërgatitur pronarët, ndërsa parashikon se çmimet e qirave do të jenë 25-30% më pak në krahasim me ato që janë aktualisht. Megjithatë, agjencitë kryesore në vend shprehen se duhet të presim se si do të reagojë tregu. Për zona të caktuara, ata shprehen se për shkak të pozicionit të pronës nuk do të reflektohet ulje, ndërsa për pjesën tjetër të ofertës, ata parashikojnë se do të ketë rezistencë nga ana pronarëve për të ulur çmimin e pronave të tyre. Duke qenë se ata janë mësuar tashmë të marrin të ardhura të larta nga qiraja nuk do të pranojnë lehtësisht që ta japin në një nivel më të ulët. Në përgjithësi, agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se pronarët kur shikojnë se prona rri bosh për një kohë të gjatë, vendosin që të negociojnë çmimet. “Vetë tregu do të jetë rregullatori më i mirë për të lidhur qiradhënësin me qiramarrësin, thotë Xheni Jahja nga Tirana Real Estate.
Sipas Jahjas pikat e basteve kanë qenë pikësynimi i çdo pronari, pasi edhe me pagesat nuk kanë qenë problematikë.

Simbioza: Bar-loto

Mbase ky është modeli më i përhapur i biznesit në ditët e sotme, ku pjesa më e madhe e bar-kafeve i kanë bashkëngjitur biznesit të tyre edhe pikën e basteve. Edhe pse është ora 10:00 e mëngjesit të datës 18 tetor, në fundin e rrugës “Ismail Qemali”, të gjitha tavolinat e këtyre bar-lotove janë të mbushura plot, dhe jo vetëm me burra. Klodi prej vitesh është menaxher i një lokali të tillë. Edhe pse punojnë me NIPT-e të ndara, aktivitetet mbulojnë kostot e njëri-tjetrit. Ai thotë se në rast se mbyllet pika e basteve, bar-kafeja është e destinuar që të falimentojë, të paktën me këtë nivel qiraje. Zakonisht në një lokal të tillë punësohen mesatarisht 7 deri në 10 persona. Vetëm në qytetin e Tiranës, nën logon që operon lokali i tij, ka edhe 150 pika të tjera. Një pjesë e këtyre pikave, të pyetur se çfarë do të bëjnë pas datës 1 janar, kanë thënë se do të vijojnë operimin si bar-kafe, por edhe këtu nuk shikojnë shumë mundësi. Shqipëria ka numrin më të lartë të bar-kafeve për banorë në të gjithë Europën. Sipas sondazhit të kryer për aktivitetet që kanë bërë kërkesë për pezullim aktiviteti, përqindja më e madhe operonin si bar-kafe apo tregti me pakicë. Nga të dhënat e Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar restorante), me rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante) Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar kafe për 152 banorë. Në katër vjet 2013-2016, sipas të dhënave të INSTAT, janë hapur 4,569 bar-kafe dhe 1,160 bar-restorante të reja.

Projektligji që mbyll bastet sportive dhe garat, bingot televizive “mbijetojnë”

Janë të paktën dy projektligje dhe një vendim që sanksionojnë masat e deklaruara nga kryeministri lidhur me biznesin e kumarit. Të paktën në njërin prej projektligjeve “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” nënvizohet se tek pjesa e dispozitave kalimtare, shtohet pas pikës 2, pika 2.1. Pika 2 e dispozitave kalimtare sanksionon se: “Organizatorët e kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilët janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2018”. Afati i parë ishte 31 dhjetori 2016, por ai u shty pas lobimit në Kuvend të disa deputetëve dhe votimit nga mazhoranca. Në pikën 2/1 që është edhe risia, që shtohet në pjesën e dispozitave kalimtare thuhet se: “Organizatorët e kategorive ‘Baste sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’ do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018. Të gjitha aplikimet për pajisjen me licencë për kategoritë e sipërpërmendura, në proces shqyrtimi, ndërpriten”. Kjo do të thotë se nuk do të ketë më baste sportive dhe as baste për garat në pistë. Ndërkohë ka ndryshime edhe në pikën 3 të dispozitave kalimtare. Kjo pikë aktualisht është: Organizatorëve të kategorive “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2016. Me ndryshimin e propozuar bëhet: Organizatorët e kategorisë “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2016”.

Shkëlqimi i biznesit të lojërave të fatit

Biznesi i lojërave të fatit pritet të marrë një goditje pas vendimit të qeverisë, që do t’i largojë kazinotë dhe pikat e basteve nga qendrat e qyteteve deri më 31 dhjetor të këtij viti. Nga ky ves, shqiptarët shpenzonin mbi 130 milionë euro në vit, që ishte qarkullimi vjetor i kazinove e basteve sportive në 2017-n, teksa të ardhurat e kompanive po shënonin rritje dyshifrore vit pas viti, pas 2013-s. Shpenzimet më të mëdha janë në kazino, me rreth 60% të totalit. Zgjerimi i këtyre kompanive ka rritur dhe numrin e të punësuarve, sidomos në pikat e basteve sportive, të cilët, së bashku me kompanitë call center, vitet e fundit janë dhe ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Në total, sipas të dhënave nga Tatimet, janë mbi 7,000 të punësuar në kazinotë e bastet sportive, me të dhëna që i referohen fundit të 2017-s. Bastet sportive janë ato që punësojmë më shumë, për vetë natyrën e aktivitetit të tyre me shumë pika të hapura në të gjithë vendin, ndonëse kazinotë kanë qarkullim vjetor më të lartë. ITSGA, me 3,027 të punësuar deri në fund të 2017-s, sipas të dhënave nga Tatimet është punëdhënësi më i madh privat në vend dhe i dyti në Shqipëri, pas kompanisë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE, që ka rreth 6,300 të punësuar). Kompania kishte një qarkullim vjetor prej rreth 11 milionë eurosh në 2017-n. LOTTO SPORT SH.A, është punëdhënësi i nëntë më i madh në vend, me 1,722 të punësuar në total. Më pas renditen kazinotë. Adriatik Game dhe Astra Albania kishin përkatësisht nga 292 dhe 239 punonjës deri në fund të 2017-s. Apex-Al, ndonëse është operatori më i madh i lojërave të fatit në vend, sipas qarkullimit vjetor, me 20 milionë euro në 2017-n, kishte vetëm 231 të punësuar. Regency Casino dhe VLT Albania kishin përkatësisht nga 217 dhe 144 të punësuar. Operatorët e tjerë kanë më pak se 100 të punësuar. Numri i lartë i të punësuarve në pikat e basteve dhe fakti që subjektet e lojërave të fatit u kthyen në punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend reflekton modelin jo produktiv të ekonomisë shqiptare, të orientuar drejt vesit dhe jo drejt vlerës së shtuar, duke e nxjerrë zbuluar përballë këtij vendimi drastik të qeverisë, pesë vjet pas lulëzimit të kësaj industrie. Monitor