Llumi i inceneratorëve prek bregdetin kroat

55
Sigal

Mediat kroate i kanë kushtuar një artikull çështjes së mbetjeve plastike, që vijnë nga rrymat detare nga Shqipëria, përgjatë bregdetit të Malit të Zi, në zonat jugore të Adriatikut të Kroacisë. ‘Croatianews’ thekson se kjo çështje, e cila është problem sidomos në dimër, kur fryjnë erërat e forta jugore, nuk është zgjidhur. Ata tregojnë rastin kur ministrja e turizmit dhe mjedisit Mirela Kumbaro dha fjalën e saj se do të merren hapa konkretë për parandalimin e ndotjes, duke u shprehur në atë kohë se është inicuar një plan kombëtar për pastrimin e detit. Problemi i mbetjeve shqiptare tashmë nuk është vetëm i kufizuar në problematikën e aferës së rëndë të korrupsionit me inceneratorët, por duket se po tejkalon kufijtë. Qeveria shqiptare investoi miliona euro në koncensionet e inceneratorëve, ndërsa duket se nuk është marrë aspak me kërkesat e fqinjëve për pastrimin e plehrave. Aktualisht Dega e Thesarit vijon të likujdojë kompanitë e Mirel Mërtirit e Klodian Zotos për pastrimin që nuk ndodhi kurrë të mbetjeve në vend teksa këto para mund të ishin investuar për të pasur një Shqipëri më të pastër, një bregdet më të pastër në prag të sezonit turistik për vendin tonë, po ashtu edhe për fqinjët. Në fillim të shkurtit, deputeti kroat i Parlamentit Evropian, Karlo Ressler, i dërgoi letër Komisionit Evropian për mbetjet plastike në detin Adriatik, që vijnë nga Shqipëria. Ai vuri theksin se më shumë se 90% e mbetjeve plastike dhe llojeve të tjera të mbetjeve vijnë në brigjet e Kroacisë nga jugu, veçanërisht nga Shqipëria. Eurodeputeti u bëri të ditur KE se qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë rezultat për hetimin që ka thënë se do të nisë për ndotjen plastike që vinte nga Shqipëria në Kroaci. Ressler i kërkoi KE-së të gjente mënyra për të ndërhyrë nëpërmjet programeve evropiane të mbrojtjes së mjedisit.