Ligji i pronave botohet në Fletoren Zyrtare, hyn në fuqi pas 15 ditësh

658
Botohet në Fletoren Zyrtare ligji i pronave. Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka të drejtë që të nisë ndarjen e fondeve për pronarët në bazë të hartës së re të çmimeve. Pavarësisht se Presidenti dhe Shoqata e Pronarëve kanë njoftuar se do ta ankimojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, ligji do të zbatohet deri në momentin që ky institucion të marrë një tjetër vendim.Për vitin 2016, Qeveria ka akorduar një fond prej 3 miliard lekë.
Ligji i pronës, aq shumë i debatuar politikisht dhe me grupet e interesit është botuar në Fletoren Zyrtare.
Agjensia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave tashmë do të nisë ndarjen e fondit për ish-pronarët me vlerën e tokës në momentin e shpronësimit sapo ky ligj të hyjë në fuqi, pra 15 ditë pas botimit.
Pavarësisht se është bërë me dije se ligji do të ankimohet nga Kryetari i Shtetit dhe Shoqatat e Pronarëve, zbatimi do vazhdojë deri në momentin që Gjykata Kushtetuese mund të marrë një vendim për pezullimin e tij.
Në bazë të ligjit, nëse pronarët do të kërkojnë kompesimin e plotë brenda 5 ditëve do të mund të marrin vetëm 40 % të vlerës, nëse kërkon të kompesohet financiarisht brenda 3 vitesh përfiton 30% të vlerës dhe nëse një pronar kërkon kompesimin e plotë brenda një viti përfiton vetëm 20%.
Deri në pritje të akteve të reja nënligjore që do të plotësojnë këtë ligj, Agjensia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave do të funksionojë në bazë të proçedurave të mëparshme.
Ndërkohë që brenda 30 ditëve pritet që të miratohet edhe formulari i ri i aplikimit për ish-pronarët.
Po ashtu mësohet se Agjensia e trajtimit të pronave do të rishikojë të gjitha vendimet e ndarjes së pronës sipas ligjit 7501, me qëllim krahasimin e sipërfaqes të pretenduara nga ish-pronarët dhe tokës që mund të kenë marrë nga reformat e pas vitit 1991.
Pjesë e rishikimit do të jenë edhe ato familje që janë kompesuar me aksione, letra me vlerë apo nga skema e kompensimit financiar.
Në Agjensinë e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave janë regjistruar rreth 26 mijë dosje, ndërkohë që për vitin 2016 Qeveria ka akorduar një fond prej 3 miliard lekësh.
Vetëm për 6 muajt e parë nga kjo shumë janë akorduar 2.4 miliard lekë. Me anë të këtij ligji, Qeveria synon që të zgjidhë çështjen e kompesimit të ish-pronarëve brenda 10 viteve.
Sigal