Ligj për censin e popullsisë / Gjoba 50-100 mijë lekë për ata që refuzojnë të përgjigjen ose japin të dhëna të rreme

331
Sigal

Në censin e radhës, qytetarët shqiptarë do të përballen me gjoba të kripura në rast se refuzojnë të japin informacionin e kërkuar apo në rastet kur japin të dhëna të rreme. Ndërsa situata e shkaktuar nga Pandemia e bën të vështirë përjashikimin e një date për zhvillimin e një fushate massive për mbledhjen e të dhënave në gjithë territorin,  Këshilli i Ministrave ka miratuar Ligjin e ri për organizimin dhe realizimin e censit të popullsisë dhe të banesave në territorin e Republikës së Shqipërisë. Të dhënat e mbledhura nga censi kategorizohen në dy grupe: a) identifikuese dhe personale të individëve dhe njësive ekonomike familjare; b) identifikuese dhe strukturore të ndërtesave, banesave, banesave kolektive. Pyetësori i censit përmban edhe pyetje për identitetin etnik, gjuhën dhe fenë, përgjigjet e të cilave bazohen në të drejtën e vetidentifikimit të individit. Këto pyetje, sipas Ligjit të ri, përmbajnë për të anketuarin alternativën për t’iu përgjigjur “Unë preferoj të mos përgjigjem”.

I gjithë procesi i grumbullimit të të dhënave do të organizohet dhe drejtohet nga INSTAT dhe Komisioni Qendror i Censit, në varësi të të cilit do të jenë edhe komisionet në nivel bashkie.

Fushata informuese fillon, të paktën, 8 javë përpara ditës së censit dhe përfundon me nxjerrjen e rezultateve përfundimtare të tij, ndërkohë që gjatë një periudhe kohore prej 6 javësh, përpara ditës së censit, dhe gjatë periudhës së mbledhjes së të dhënave për censin është e ndaluar për të gjithë individët dhe organizatat të mbledhin të dhëna nga publiku brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Bien në sy niveli i lartë i gjobave të parashikuara për rastet kur qytetarët refuzojnë të përgjigjen apo japin përgjigje të rreme. Refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë, sipas nenit 5 të këtij ligji, me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

Çdo deklarim ose zgjedhja e alternativës “Unë preferoj të mos përgjigjem”, sipas pikës 2 të nenit 4 të këtij ligji, nuk përbën kundërvajtje administrative.

Ndërkaq, mosrespektimi i rregullit që pengon çdo mbledhje të dhënash për një periudhë gjashtë javore nga censi nga personi/personat përgjegjës, penalizohet gjithashtu me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë. Ankimi për vendosjen e një gjobe për sa më sipër paraqitet pranë drejtorit të INSTAT-it, brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së vendimit për vendosjen penalitetit.