Lidhi qentë, o i Zoti i shtëpisë!

585
Nga Gjon BRUÇI
Kohët e fundit, si për inat të demokracisë borgjeze në “zhvillim”, dhe në kuadrin e “integrimit” evropian, në vendin tonë janë shtuar qentë. Jo qentë besnikë që ruajnë tufën e deleve, por ata të pazarit, që në zhargonin e përditshëm quhen zagarë sallahanesh. Shtimi i tyre e mori indicien nga kërkesa e shoqatave që mbrojnë të drejtat e kafshëve. Ky fenomen në zhvillim, ka shqetësuar një pjesë të qytetarëve, disa prej të cilëve kanë pasur fatin dhe të shijojnë kafshimin e tyre. Madje, para do ditësh, një qytetar u bë viktimë e “mbrojtjes së të drejtave të qenve”. Megjithatë, titullarët e Bashkive na kanë qetësuar se do të merren masa për eliminimin e këtij rreziku jo të vogël. Qentë ose do të lidhen pranë banesave të pronarëve, ose më e pakta do t’u sigurohet një kasë turiri, e cila nuk i lejon të përdorin dhëmbët mbi kalimtarët e rrugës. Por, ndërsa jemi qetësuar disi nga qentë që janë “bij qensh”, si do t’ia bëjmë nga qentë që janë bij njerëzish?! Është fjala për qentë e të ashtuquajturës “demokraci borgjeze”, të cilët kanë gati tri dekada që jo vetëm lehin, por edhe kafshojnë. Kafshojnë njerëz, pasuri, moral, identitet. . . kafshojnë Atdheun si një lukuni ujqërish të ardhur nga stepat e lindjes apo xhunglat e perëndimit. Këta qen, jo vetëm nuk lidhen, por as nuk pajisen me qafore apo kasa turiri. Përkundrazi, janë pajisur dhe me një flamur me inicialet “PD”, që kur deshifrohet, del “Parti Demokratike”. Ndonëse në ato dy fjalë nuk ka asnjë germë nga demokracia e vërtetë. Ose më saktë, emri Parti, shoqërohet aksidentalisht me mbiemrin “demokratike”. Partia e vetëquajtur paturpësisht “demokratike”, qysh në ngjizje të saj në vitin ’1990 e gjer tani, nuk ka pushuar asnjë minutë, duke lehur kundër gjithçkaje të arritur nga populli shqiptar në dekadat e shekujt e saj historikë. Ata kanë fyer dhe hedhur baltë mbi Lashtësinë dhe Rilindjen; mbi të djeshmen dhe të sotmen; kundër Luftës Çlirimtare dhe Heronjve e Dëshmorëve të saj; kundër djersës ndërtimtare gjysmë shekullore që e kaloi vendin e shqiponjave nga errësira e Mesjetës në dritën e zhvillimeve bashkëkohore; kundër të tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë evropiane. Lehjet dhe kafshimet e këtij skuadroni neofashist me inicialet PD në këta tri dekada, që nga ngjizja e saj, e kanë drobitur trupin e Shqipërisë më shumë se pesë shekuj pushtim otoman. Pushtuesit otomanë, vërtet e dogjën dhe e shkatërruan Arbërinë, por tek varri i Kryetrimit tonë e ndaluan turrin. Eshtrat e Gjergjit tonë nuk i shkatërruan, nuk i dogjën, nuk i përçudnuan. Përkundrazi i morën e i varën në qafë si hajmali, duke besuar se ato do t’u sillnin fatin e fitimtarit. Pushtuesit e rinj të fund-nëntëdhjetës, me pardesytë e bardha, që nxinin më tepër se të zezat, eshtrat e Kryetrimit të shekullit të Njëzet, shqiptarit të madh Enver Hoxha, i nxorën e i përçudnuan natën pa hënë, duke ua kaluar kështu edhe otomanëve të Anadollit në aksionin e tyre antishqiptar e antikombëtar. Dhe jo vetëm eshtrat e Kryetrimit, por edhe të të gjithë luftëtarëve të Lirisë, nëse nuk mundën t’i përdhunonin në varre, u munduan t’iu përdhunonin veprën e tyre të pavdekshme. Qëllimi: Të eliminonin LANÇ, si epokën më të ndritur të historisë së shqiptarëve. Po, a e arritën këtë objektiv? Sigurisht që jo. Se epoka e LANÇ nuk mund të përmbyset e të eliminohet. Ajo ka zënë vend në themelet moderne të kombit shqiptar, duke u çimentuar me gjakun e pastër të mijëra e mijëra shqiptarëve të vërtetë. Pikërisht se nuk e arritën këtë qëllim ogurzi, falangat e zeza të Partisë Demokratike, menduan të ndërrojnë taktikë. Lanë mënjanë sharjet, lehjet e kafshimet dhe vendosën të futen në “Kalanë” e LANÇ, siç u fut dikur Kali i Uliksit në Trojën e lashtë të Priamit. Në ditën e 5 Majit të këtij viti, çka nuk kishte ndodhur asnjëherë gjatë njëzet e tetë viteve, tek “NËNË SHQIPËRI” kishin ardhur “falangistët e rinj” të PD-së (epitetin e mora nga një shkrim redaksional i Ditës), për të bërë Homazhe tek Dëshmorët e Kombit! O tempora, o mores! Plot njëzet e tetë vite këta sojsëzë të demon-kracisë, nuk kanë pushuar asnjë minutë duke lehur e kafshuar kundër Dëshmorëve të LANÇ e të Ndërtimit Socialist. Dhe papritur, në ditën e shenjtë të Dëshmorëve, pasi lanë fytyrat e pista në çezmën e “fshatit” të demokracisë, erdhën të bënin homazhe e të vendosnin kurora tek varrezat e partizanëve e të komunistëve, të cilët për tri dekada me radhë i patën lëçitur me fjalorin më të pistë dhe me veprën me të zezë. Në njëzet e tetë vite të veprimtarisë së tyre politike, Liderët dhe militantët e PD, nuk kanë tentuar asnjëherë të vijnë në ditën e 5 majit tek varrezat e Dëshmorëve. Të vetmen ditë që duken aty, është 28 nëntori, të cilën ata e përcjellin, duke e ndërruar tapetin e kuq që vendos protokolli shtetëror, e duke vendosur tapetin blu. Madje në mungesë të tij, përdorin dhe tapet me ngjyrë jeshil, si ngjyra e bektashinjëve. Por kësaj radhe, ata nuk e ndërruan tapetin e kuq, ku një gjysmë ore përpara tyre, kishin ecur Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe një pjesë e madhe e veteranëve të LANÇ. Dhe jo vetëm tapetin e kuq e pranuan, por edhe kurorën e kishin të dominuar me lule të kuqe, çka ishte një “risi”, kur dihet se ata edhe muret, edhe tavolinat e karriget e zyrave i lyejnë blu. Të kuqen ka njëzet e tetë vite që e kanë bërë “Lanet”! Por të fandaksurit pëdëista, ndërsa kishin “pranuar” të kuqen e tapetit dhe të kurorës, përfshi dhe mermerin e kuq të NËNËS SHQIPËRI, nuk mund të pranonin flamujt e kuq të Partisë Komuniste dhe sidomos portretin e Komandantit të LANÇ, eshtrat e të cilit i patën degdisur tutje nga Sharra qysh në vigjiljen e “demokra-zisë” së tyre. Në momentin që në sheshin e varrezave u shpalosën flamujt e kuq të komunistëve dhe portreti i Komandantit të Partizanëve, pëdëistët “homazhet” e tyre i kthyen në shantazh. Dhe jo vetëm në shantazh, por me lehje e kafshime u lëshuan mbi veteranët, komunistët, flamujt, portretet, kurorat. Në gjithë komentet për ngjarjen e mësipërme, më interesanti ishte komenti i një ish deputeti të PD-së, me mbiemrin Babasi. “Na provokuan komunistët”, deklaron Babasja i PD-së, duke harruar se komunistët gjendeshin në shtëpinë e tyre. Ardhacakët pëdëistë, të paftuarit dhe të pamerituarit falangistë, ishin dhe mbeten provokatorë. Episodi i mësipërm, përveçse na kumton fytyrën e vërtetë të partisë Demokratike, sjell edhe një risi në taktikat e veprimtarisë së saj politike. Në këtë rast, rolin e saj mund ta marrë një subjekt tjetër, çka do të ishte fatale, si për vetë partinë që “solli demokracinë”, ashtu dhe për simotrën e saj që është aktualisht në pushtet. Them simotër, sepse tashmë, kush i ka sytë në ballë dhe mendjen në kokë, dy partitë kryesore, PD e PS, që e kanë kollundrisur këtë vend në mënyrë pothuaj të barabartë për afro tri dekada, janë si vëllezërit siamezë. Ato mbajnë në jetë njëra-tjetrën. Nëse shembet njëra, bie edhe tjetra. Ndaj që nga 17-18 maji i vitit 2017, ata siç duket po zbatojnë në heshtje parullën ”Në rrezik e në nevojë, shoku – shokun ta ndihmojë”! Sondazhi i ditëve të fundit, kur PD-ja anon më shumë nga aleanca me PS-në, se sa me LSI-në, vërteton hamendësimin tonë logjik. Në kuadrin e kësaj marrëveshjeje midis dyshes Rama-Basha, e cila u bë larg syve të botës, po realizohen edhe lëvizjet e liderit të ri të PD-së me emrin e lules pa lule. Luli i PD-së, pasi krasiti kryesinë e partisë së tij në Kuvendin e këtyre ditëve, dhe siguroi postin edhe për disa vjet, ka nisur disa lëvizje që e afrojnë drejt aleancës së mundshme me PS-në. Homazhet e papritura tek Dëshmorët e LANÇ këtë qëllim kanë, të afrojnë e bëjnë të pranueshme nga elektorati socialist, veçanërisht veteranët dhe familjet e dëshmorëve, aleancën e mundshme PS-PD. Ky parashikim i imi, mund edhe të mos realizohet. Kjo për vetë faktin se si situatat, ashtu dhe vetë liderët e këtyre partive, janë kaq fluide, sa nuk ka exit-poll të përcaktojë të vërtetën e plotë. Megjithatë, Luli i PD-së ka vendosur të bëjë një provë. Ne komunistët, pavarësisht nga dilemat e Lulit të PD-së, pavarësisht nga kompromiset e saj reciproke me PS-në, dhe më në fund, pavarësisht nga kërcënimet e këtyre dy partive në pushtet, do të vijojmë ta mbajmë me krenari dhe vendosmëri flamurin e kuq të komunizmit dhe portretin e Shqiptarit të Madh Enver Hoxha. Dhe jo vetëm do t’i mbajmë, por edhe do t’i lartojmë ato deri në realizimin e objektivave tona. Provokacionet e tipit “Babasi”, apo kërcënimet e PD-së nuk mund të na trembin e të na kthejnë nga rruga jonë e vështirë, por e drejtë dhe e ndershme. Ndaj thirrja tradicionale, “Lidhi qentë o i zoti i shtëpisë”, është edhe për ty zoti kryeministër, që ke marrë përsipër të kullundrisësh punët e konakut tonë.
Sigal