Librazhdi do të jetë ndryshe për 100-vjetorin e Pavarësisë

790
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Shefki Çota: Ja projektet tona

Librazhdin 100-vjetori i Pavarësisë do ta gjejë ndryshe dhe këtë fakt e bënë të ditur në një intervistë për “Telegraf” kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Shefki Çota. Kryebashkiaku, pa humbur rëndësinë e festimeve që do të bëhen në datën 28 Nëntor, zbulon disa nga detajet dhe planet që janë propozuar për këtë ditë të Flamurit. Madje, në Librazhd nuk do të mungojë nisma, “Një Flamur në çdo ballkon” dhe bashkia e qytetit, po bënë përpjekjet e saja që çdo gjë të shkojë mirë. Madje, për këtë festë historike do të nderohen edhe figurat e shquara të Librazhdit, që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite. Emrat e tyre, do të sinjifikojnë rrugët dhe institucionet e ndryshme në këtë qytet.

-Zoti Çota, cilat janë projektet e Bashkisë së Librazhdit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë?

-Në kuadër të 28 Nëntorit Ditës së Pavarësisë, Bashkia Librazhd organizon, si në të gjithë Shqipërinë sloganin që çdo qytetar të ngrejë flamurin shqiptar në çdo ballkon. Aktualisht i jemi përkushtuar shumë kësaj nisme që në asnjë shtëpi të mos mungojë Flamuri ynë në këtë datë të shënuar. Gjithashtu, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë Bashkia e Librazhdit organizon disa  aktivitete në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Librazhd, ku do të organizojë një koncert festiv me këngë e valle të trevës së Librazhdit që është një traditë e hershme e zhvilluar në këtë qytet. Por pas dore nuk do të lihen as fëmijët, të cilëve jemi duke u ndërtuar një kënd lojërash, ku punimet po vazhdojnë për t’u zgjeruar më pas me një ambient shplodhës që është bërë më fondet e bashkisë. Gjatë gjithë muajit nëntor ndërmarrjet e bashkisë, si biblioteka, muzeu, Qendra Kulturore do të jenë të hapura  nga mëngjesi deri në darkë për të kryer aktivitete nga më të larmishme, ku Bashkia e Librazhdit në  bashkëpunim me të gjitha këto institucione që përmenda më lart ka hartuar një program që i gjithë muaji nëntor të jetë në festë.

 -Po figurat historike të rrethit të Librazhdit sa vend do të zënë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë?

 -Figurat historike të këtij rrethi do të marrin të gjithë atë që meritojnë në këtë 100-vjetor, pasi Librazhdi ka mjaft personalitete që kanë dhënë për Shqipërinë. Do të japim tituj “Qytetar nderi”. Do të kemi emërtime rrugësh me emrat e figurave të Librazhdit dhe do të vendosim emra të figurave historike nëpër institucione të ndryshme, të cilat janë pa emra ose mbajnë ndonjë emër të pamerituar.

-Zoti Çota në kuadër të festës a do të merret ndonjë masë për infrastrukturën, pasi dihet që nuk është në gjendje jo të mirë?

-Bashkia e Librazhdit ka marrë një fond nga buxheti i shtetit prej 23 milionë lek të reja për ndërtimin e dy rrugëve, atë të Mokrës dhe rruga e Shebenikut si dhe do të bëhet rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Genc Leka”, ku fondi i saj shkon në 18 milionë si dhe ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza për lagjen e “Detashmenve”, ku me plot gojën do ta quaja si dhuratën më të bukur që po u bëhet banorëve të Librazhdit për 100-vjetorin e Pavarësisë. Punimet e rrugëve priten të fillojnë përpara muajit dhjetorë dhe brenda viti 2013 këto dy rrugë do të kenë mbaruar dhe rikonstruksioni i shkollës pritet të filloj këto ditë, ku mund të them se brenda vitit 2013 duhet të këtë mbaruar dhe kjo. Gjithashtu, do të kemi dhe shumë investime të tjera për Librazhdin, por le t’i zbulojmë në të ardhmen. Dhe më lejoni që t’ju uroj të gjithëve qytetarëve të Librazhdit, por dhe të gjithë shqiptarëve “Gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë”.

-Faleminderit!