Librazhd, firmat e kromit, hekurit dhe guroret po shkatërrojnë pyjet

1168
Sigal

Flet shefi i Policisë Pyjore, Viktor Allko: “Dëmtimet janë masive. Kemi problem me vjeljen e gjobave”

Firmat e licencuara, por dhe të palicencuara të kromit, hekur-nikelit dhe guroret, që punojnë në rrethin e Librazhdit, janë të shumta, por këto firma nuk po investojnë për rehabilitimin e sipërfaqes së dëmtuar gjatë procesit të punës, çka po sjell dëmtime të pasurisë pyjore. Rrethi i Librazhdit është një nga rrethet  që janë dyndur shumë firma private që merren me gërmimin, kërkimin dhe nxjerrjen e mineralit të hekurit dhe kromit, ku ato veprojnë kryesisht në Malin e Shebenikut, Skroskë, Pishkash, Përrenjas e Katjel, por dhe në Mirakë ka gurore, të cilit çdo ditë punojë dhe qytetarët thithin ndotjen e saj.

 Reagimi

Sipas Shefit të Policisë Pyjore Librazhd, Viktor Allko ka shumë problem në dëmtimin e masiveve pyjore, madje janë bërë dhe procesverbale ndaj tyre, por ka problem në vjeljen e gjobave dhe zvarritje të  gjyqeve pas kontrolleve. Policia Pyjore ka mbajtur procesverbale dhe ka gjobitur e dërguar për ndjekje penale, mjaft subjekte private çdo vit. Por gjobat deri tani nuk janë zhdëmtuar nga firmat për dëmin ekonomik të kryer në masivet pyjore të rrethit. Ndonëse disa prej tyre janë dërguar edhe për ndjekje penale, organet e drejtësisë ose i kanë mbyllur çështjet, ose i kanë kthyer, duke dhënë masa administrative me gjobë. Për pasojë, vlera e dëmit të shkaktuar rritet nga viti në vit, në miliona lekë.

Firmat

Aktualisht në rrethin e Librazhdit punojnë 39 firma private të grumbullimit të kromit dhe hekurit, që më së shumti shfrytëzojnë frontet e hapura që para viteve ‘90, ose shfrytëzojnë karrierat, që kanë pak shpenzime për përgatitjen e fronteve të punës. Ato thuajse nuk investojnë për hapjen e fronteve të reja të punës në sektorin e nëntokës, apo të eliminojnë pasojat negative në mjedis që lënë pas punës për grumbullimin e kromit. Nga 64 firma që veprojnë në Qarkun e Elbasanit, numrin rekord të këtyre  subjekteve e ka Librazhdi me 39, Elbasani me 22 Peqini, Gramshi e Cërriku nga 1 firmë.

Nuk zbatohen kontratat

Madje, ka një numër firmash që kanë lidhur kontrata me komunat, por që në fakt me ligj nuk lejohet që të lidhen kontrata për shfrytëzim parcelash pyjore, ku firmat nga lejet minerare ekzistuese që kanë marrë nga ministria, ku ju është përcaktuar zona e shfrytëzimit, me një leje të marrë nga komuna shfrytëzojnë në parcela të tjera, duke gërmuar në territore të tjera, sipas informacioneve të marra ka shfrytëzime në Fushë të Madhe të Komunës Rrajcë, në Skroskë, Përroi i Govatave, Hotolisht, Shebenik, Katjel etj..