Librat shkollor/ Ja datat për shitjen e teksteve

668
Për vitin e ri shkollor 2016-2017, data 13 shtator është caktuar si dita e parë e shkollës për arsimin parauniversitar. Me një udhëzim të posacëm, Ministria ka njoftuar edhe detajet për shpërndarjen e teksteve shkollore, procedurë që do nisë më 25 gusht.
“Përgjegjës për shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore janë botuesit dhe distributorët përkatës. Shitja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera pranë shkollave, nga subjekte të licencuara. 
Me kërkesën e botuesve apo distributorëve, drejtoritë e shkollave janë të detyruara të vënë në dispozicion falas një ose dy ambiente për shitjen e teksteve shkollore, për periudhën 25 gusht-12 shtator 2016. 
Tekstet që shiten duhet të kenë detyrimisht pullën dhe hologramën e MAS-it”. MASh sqaron se ndalohet shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore nga punonjës arsimorë, me përjashtim të teksteve për nxënësit e pakicave kombëtare.
“Subjektet e licencuara për shitjen e teksteve shkollore në pikat e shitjes të hapura në ambientet pranë shkollave, nuk lejohen të shesin tekste që nuk i përkasin katalogut”. 
DAR/ZA-të kanë detyrim që gjatë dy javëve që do të bëhet shitja e teksteve, duhet të raportojnë çdo ditë elektronikisht në MAS për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore. Katalogun e teksteve për vitin shkollor 2016-2017 mund ta gjeni në faqen zyrtare të MAS, www.arsimi.gov.al.
Sigal