Lëvdatat e profesorit të Harvardit, Hausmann për Ramën u paguan 2.5 mln dollarë

739
Sigal

Ricardo Hausmann, dikur ish ministër i Planifikimit Ekonomik në qeverinë komuniste të Venezuelës, ka përfituar miliona dollarë për kontratën e tij në Shqipëri. Dhe sponsori kryesor është një personazh shumë i njohur për shqiptarët, miku personal i Edi Ramës, George Soros

Ja materiali i plot :

Qeveria dhe disa nga mediat pranë saj propaganduan me bujë një editorial të Ricardo Hausmann, ku Shqipëria përshkruhej si një mrekulli ekonomike. Në rreshtat e mbushur plot më lëvdata për qeverinë e Ramës, Hausmann, një profesor në Harvard, pretendon se reformat e qeverisë socialiste e kanë shndërruar Shqipërinë në një burim shprese për vendet e tjera, madje dhe ato më të pasura, por “harron” të përmend një fakt themelor, që ai është rrogtar i Ramës.

Në vitin 2015, qeveria shqiptare kontraktoi një grup profesorash dhe studentësh nga Harvardi si këshilltarë për politikat ekonomike. Grupi i quajtur “Team Albania 2015”, kryesohet pikërisht nga Ricardo Hausmann dhe ka një zyrë të përhershme në Ministrinë e Financave, ku bën kërkime dhe këshillon qeverinë për politika të ndryshme ekonomike.
Syri.net publikon dokumenta ekskluzivë që faktojnë se Ricardo Hausmann, dikur ish ministër i Planifikimit Ekonomik në qeverinë komuniste të Venezuelës, ka përfituar miliona dollarë për kontratën e tij në Shqipëri. Dhe sponsori kryesor është një personazh shumë i njohur për shqiptarët, miku personal i Edi Ramës, George Soros.
Siç tregon dokumenti në foto, vetëm 6 muaj më parë, në mars të këtij viti, Fondacioni Shoqëria e hapur ka paguar 1 milionë dollarë për Hausmannin dhe grupin e tij, pikërisht për projektin “Forcimi Institucional dhe Rritja Ekonomike në Shqipëri”.
Por kjo është vetëm pagesa më e fundit. Përgjatë periudhës 2015-2018 Ricardo Hausmann dhe grupi i tij kanë marrë 2.5 milionë dollarë nga Fondacioni Soros për projektin e këshillimit të qeverisë shqiptare.
Sipas dokumentave, rezulton se në vitin 2015 Soros ka sponsorizuar 500 mijë dollarë për Hausmannin dhe ekipin e tij në Shqipëri, ndërkohë që në vitin 2016 shifra është rritur në 1 milionë dollarë.

Kur gënjen një profesor i Harvardit
Një nga pretendimet e Hausmann në editorialin e tij me titullin bombastik “Mrekullia shqiptare”, është ai i rritjes së të ardhurave nga Bashkia e Tiranës. “Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka trefishuar të ardhurat nga taksat që kur mori detyrën në vitin 2015 dhe i ka përdorur këto para për ta shndërruar Tiranën në një nga qytetet më të këndshmë të rajonit,” shkruan Hausmann në editorial.
Ky pretendim hidhet poshtë edhe nga të dhënat e vetë qeverisë. Sipas portalit Financat Vendore, që publikon Ministria e Financave, të ardhurat totale të Bashkisë së Tiranës janë rritur vetëm me 47 për qind, dhe kjo galë trefishimit të taksave kur Erjon Veliaj mori detyrën.

Hausman nuk e përmes faktin që bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm taksat, madje ndoshta e ngatërron trefishimin e barrës fiskale mbi qytetarët dhe bizneset me rritjen e të ardhurave.
Por ky nuk është pretendimi i vetëm i rremë. Një tjetër tregues edhe më i rëndësishëm që Hausmann ka manipuluar në shkrimin e tij, për të lëvduar qeverinë, është ai i konvergjencës ekonomike të vendit me të ardhurat e Gjermanisë.

Sipas Hausmann, nëse Shqipëria do të ruajë ritmin 4.2 për qind të rritjes, atëherë për 30 vjet qytetarët shqiptarë do të jenë të pasur sa ata të Gjermanisë. Por sipas Institutit Europian të Statistikave dhe Bankës Botërore, variant më optimist që Shqipëria të arrijë të ardhurat mesatare të Bashkimit Europian është 60 vjet, dy herë më shumë nga sa pretendon Ricardo Hausman.

Kodi i Etikës për kërkimet shkencore, kërkon që çdo kërkim apo studim të ketë bashkangjitur financimet që e kanë sponsorizuar atë për të ruajtur integritetin shkencor të kërkimeve si dhe për të mënjanuar konfliktin e interesit.

Editoriali i Hausmann për mikun dhe punëdhënësin e tij Edi Rama, nuk është një kërkim shkencor. Por mekanizmi është i njëjtë. Në këtë rast Hausmann përdor emrin e tij si profesor i një prej universiteteve më prestigjoze në botë, për të lëvduar qeverinë e Edi Ramës, duke mos përmendur që për ka përfituar 2.5 milionë dollarë nga kjo qeveri.

Konflikti i interesit në këtë rast është evident. Madje është pikërisht ky konflikt që e detyron një profesor të Harvardit, të publikojë një shkrim thellësisht jo profesional dhe të mbushur me të pavërteta.