Letër publike e Shoqatës së Teknikëve të Mjekësisë Laboratorike Shqiptare për krerët më të lartë të shtetit

572
Sigal

Pikëpyetjet nga
koncesioni i sistemit të laboratorëve publikë

Duke marrë shkas
nga një nismë e Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me riorganizimin ne shkallë
të gjerë në gjithë vendin, të sistemit të laboratorëve publikë me pjesëmarrjen
e partneritet publik privat (PPP), Shoqata e Teknikëve të Mjekësisë
Laboratorike Shqiptare, (A.SO.LA.T), përfshirë bordin drejtues dhe një shumicë
të konsiderueshme të anëtarëve të saj, u mblodhën dhe diskutuan lidhur me
çështjen në fjalë. A.SO.LA.T është shoqata e vetme profesioniste jofitimprurëse
e Teknikëve të Mjekësisë Laboratorike në Shqipëri. Kjo shoqatë profesionistësh,
ka për mision edukimin e vazhdueshëm të Teknikëve të Laboratorit, si dhe
përditësimin e tyre me zhvillimet më të shpejta të teknologjisë laboratorike në
botë, në ndihmë të përmirësimit të cilësisë të sistemit shëndetësor
laboratorik. Ajo bashkëpunon me institucionet përgjegjëse si dhe me organizma
të tjera profesionale të përafërta, në ndihmë të shërbimit laboratorik mjekësor
në vend. A.SO.LA.T, inkurajon çdo iniciativë të Ministrisë së Shëndetësisë për
krijimin e standardeve më të larta profesionale, konform modeleve te spitaleve
publike evropiane. Ne jemi aktorë të rëndësishëm të sistemit laboratorik
shqiptar, jemi ata që do të implementojmë me dijet dhe përkushtimin tonë
reformën që do të ndërmerret për përmirësimin e këtij sistemi.

Mungesa e transparencës për procesin

Shqetësimi ynë
lidhet, së pari me mungesën e
transparencës për procesin, pasi në konsultime për analizën e sistemit janë
thirrur ekspertë privatë të IFC (të paguar) dhe nuk janë përfshirë aktorë të
sistemit, mjekë e drejtues të laboratorëve, eksperienca e të cilëve gjykojmë që
është mjaft e rëndësishme në këtë proces. Për të reformuar një sistem ekzistues
të ngritur mbi modele të caktuara, është e domosdoshme të mbështetemi në
eksperiencën dhe memorien ndër vite të profesionistëve tanë, të cilën asnjë
ekspert privat i paguar nuk mund të na e sigurojë.

Së dyti, ka një tendencë
për të krijuar konfuzion në terminologji, tendencë të cilën e vumë re dhe në
takimin e vetëm të zhvilluar deri tani me Ministrin e Shëndetësisë. Sipas
përkufizimit të vetë Bankës Botërore, PPP dhe koncesion nuk janë e njëjta gjë.

Koncesioni është
vetëm një nga variantet e aplikimit të PPP, shumë pak i aplikuar në botë, në
dijeninë tonë vetëm në projekte pilot. Vetë BB dhe FMN i tërheqin vëmendjen
qeverisë shqiptare për hapa të kujdesshëm në aplikimin e PPP në shëndetësi,
pasi dhe eksperiencat botërore ofrojnë rezultate të diskutueshme në raport me
efiçencën e këtyre koncesioneve.

Së treti, na shqetëson
fakti që thërrasim ekspertë për të prodhuar modele, të cilat janë shumë larg
modeleve të Evropës ku ne po kërkojmë të integrohemi, ndërkohë që kurrikulat
tona të shkollimit janë përafruar me kurrikulat evropiane. Modelet e punës në
laboratorët tanë janë modele evropiane, pasi Evropa është vendi ku janë
specializuar dhe kanë përfituar eksperiencë mjekët e profesorët tanë.

Së katërti, pavarësisht që
jemi larg konsultimeve dhe vendimmarrjes, ndjejmë tendencën e stimulimit të
aplikimit të një sistemi monopol koncesioni të plotë të sistemit laboratorik
publik spitalor, që përbën mbi 80% të punës së sistemit laboratorik shqiptar. E
gjykojmë absurd dhe në terma financiarë që sistemi publik spitalor të privohet
nga sektori më rentabël i tij në terma ekonomikë. Eksperiencat evropiane por
dhe të operatorëve privatë që ofrojnë me sukses shërbim laboratorik spitalor në
Shqipëri, tregojnë se laboratori mjekësor spitalor ka nevojë në radhë të parë për
autonomi dhe rimbursim real për shërbimin e ofruar ndaj pacientit, sesa për
investime direkte në aparaturë.

 

Gjashtë pyetje për autoritetet më të larta

 

Duke qenë të
painformuar dhe/ose të keqinformuar për sa më sipër, por dhe shumë të
interesuar për fatin e sistemit laboratorik dhe të ardhmen tonë profesionale,
parashtrojmë para jush pyetjet e mëposhtme:

1. A do të ruajë
Shqipëria sistemin publik laboratorik, sistem i cili dominon në të gjithë
sistemin publik spitalor në Evropë?

2. A është marrë
parasysh veçoria e Qendrave Universitare si qendra terciare ku ne shkollohemi?
A do të ruajnë fizionominë evropiane laboratorët publikë të Qendrave
Universitare? Në shumë vende evropiane, falë ekspertizës më të mirë e të
specializuar profesionale dhe financimit korrekt për test, laboratorët e
spitaleve universitarë shërbejnë si referencë dhe për operatorët privatë.

3. A do të
lejohet, edhe nëse sugjerohet nga punonjësit privatë të IFC monopolizimi i
sistemit publik laboratorik, një model që nuk është aplikuar asnjëherë në asnjë
vend të botës, përfshi dhe vendet e origjinës së ekspertëve të IFC?

4. Nëse do të
aplikohet sistemi monopol i koncesionimit të plotë, ç’do të bëhet me dhjetëra
mjekë e qindra teknikë laboratori që aktualisht janë të punësuar në laboratorët
publikë?

5. Në kushte të
aplikimit të koncesionit monopol çfarë do të bëhet me operatorët private
aktualë, të cilët kanë investuar prej vitesh, janë taksapagues të rregullt dhe
kanë punësuar dhjetëra teknikë laboratori.

6. Në kushte të
aplikimit të koncesionit të plotë, a është parashikuar perspektiva e punësimit
për qindra teknikë të lartë laboratori që aktualisht janë në sistem shkollimi
bachelor ose master në sistemin universitar publik e privat. A do të hapet
shkolla e teknikëve të lartë të laboratorit për maturantët që po përgatiten të
hyjnë në studimet universitare?

Jemi të bindur
se sensibiliteti ynë dhe i shoqatave të tjera të profesionistëve që operojnë në
fushën e mjekësisë laboratorike, debati i gjerë dhe konstruktiv, janë kontribut
i rëndësishëm në ndihmë të qeverisë për aplikimin e modelit  më të mirë evropian, në reformimin e sistemit
laboratorik publik.

 

Shoqata e
Teknikëve të Mjekësisë Laboratorike Shqiptare