LETËR E HAPUR/ Prof. Mimoza Manxhari: Për t’i ri-sjellë dinjitet mësimdhënies

150
Sigal

 

I nderuar Zoti Kryeministër,

Takimi juaj me drejtues të Institucioneve të Arsimit të Lartë, më nxiti për t’ju drejtuar publikisht, për një pjesëz nga shumë shqetësime, që po gërryejnë sistemin arsimor në vend.

Protestohet për një pagë dinjitoze dhe u zhvillua një takim, në të cilin mungonte ndjeshmëria njerëzore dhe urtësia e gjetjes së zgjidhjes!

Ndërsa fare mirë mund të dihet se arsimi është  veprimtaria  me ndikimin më  dominues (i) në zhvillimin e një vendi, (ii) në mirëqënien personale të çdo studenti e (iii)  nëse nuk mirëmenaxhohet dhe në mjerimin e vetë shoqërisë, shpërblimi i merituar i mësuesve mungon e zgjidhjet i lihen protestës!

Çfarë po ndodh me arsimin apo më mirë t’ju them: Çfarë i është bërë mësuesve dhe profesorëve?

Investimet e çfarëdo lloji në arkitekurën e ndërtesave nuk e bën vetvetiu të ditur e të aftë këdo që ulet në  auditorë.

Mësimdhënia është profesioni, që nëse i mungon pasioni zbeh dhe asfikson energjinë e brezit.

Çdo vend i përparuar është bërë i tillë, falë politikave të kujdesshme dhe trajtimit dinjitoz të arsimtarit.

A e dini që paga mesatare e një profesori në sistemin arsimor të Zvicrës është 192.000 USD në vit, ndërkohë që Franca, vendi ku universitet janë kryesisht institucione publike paraqitet me një pagesë meatare për profesoratin prej 82,000 USD?

Pagesa dinjitoze është një formë, nëpërmjet të cilës shoqëria njeh dhe vlerëson punën e vështirë, plot përkushtim dhe seriozitet në ndihmën e vazhdueshme që ju jepet nxënësve dhe studentëve, nga dita e parë e derisa mbarojnë procesin mësimor.

Shkolla apo fakulteti, nuk do duhet të konsiderohen thjesht dhe vetëm vend pune, ku merret një rrogë. Secili prej nesh, pjesë e kësaj armate të devotshme dijedhënësish, që i  ka qëndruar besnik   profesionit dhe studentit, patjetër që meriton të dëgjohet  dhe respektohet, nëpërmjet një pagese të diferencuar.

Janë pagat e ulta dhe jo makutëria, që detyron  një pjesë të mirë tonën, të përfshihet në të tjera aktivitete, për të mundësuar pagesat e domosdoshme të jetës.

Ndjehem e keqardhur, që askush nga pjesëmarrësit e takimit të djeshëm, nuk e ngriti zërin e të kundërshtonte këtë prirje problematike me pasoja që çdo ditë po e shohim: _Në shndrimin e institucioneve arsimore në organizata biznesi!!

Kryeministri, ministria e arsimit  që vjen nga bota akademike, apo kushdo tjetër që gjendet aty si këshillues  për çështjet e arsimit, do duhej të shfaqnin angazhim konkret në përmirësimin e cilësisë së arsimit e jo të vazhdojnë ta lënë atë pas dore, prej të vetmes arësye,  se përfitimet e investimeve në sistemin arsimor, shihen vetëm në të ardhmen!

Diskutimet për një pagë dinjitoze, nuk do duhej të ishin shqetësim i profesoratit apo i kujtdo në sistemin arsimor, por fakti që jemi këtu, dëshmon nënvlerësimin e vlerës dhe rëndësisë së përmirësimeve që duhen bërë në këtë sektor.

Sukseset  ekonomike  mbresëlënëse të disa vendeve, provojnë qartazi rolin e kapitalit njerëzor në zhvillimin ekonomik. Arsimi është vendi ku përgatitet ky kapital njerëzor.

Sigurisht, mësimi nuk mbaron me shkollimin e kjo , në një pjesë të rëndësishme, nxitet nga pathosi i profesorit.

Ne 30-vitet e fundit politika i ka dhënë vëmendje aspektve ekonomike të kushteve imediate të kërkesës, duke lënë pothuaj jashtë vëmendjes politikat arsimore, të cilat për specifikën e tyre nuk e japin efektin në të tashmen.

E njëjta përqasje vërehet edhe në ditët e sotme e takimi i djeshëm, provoi sa pak dihet e sa shumë përflitet pa të drejtë për arsimin dhe kujtdo që është përfshirë seriozisht në këtë sistem.

Studenti nuk mundet kurrësesi të konsiderohet klient dhe profesori nuk do duhet ta shndrojë dijen në një mall që shitet e blihet!

Një takim, me një kryeministër që foli e shumë të tjerë, që mbajnë postin më të lartë administrativ apo dhe titujt më të respektuar akademik, nuk guxuan të diskutojnë dhe ofronin zgjidhje për çështjen më nevralgjike – pagesën e merituar për profesorin!

Askush nga ata që ishin të pranishëm, nuk ngritën zërin për domosdoshmërinë e ndryshimeve radikale në sistemin arsimor dhe shndrimin e arsimit në një prioritet imediat.

Ju përdorët gjuhën e shantazhit.

Nuk do duhej, por megjithatë unë po ju them:

Fillojeni vetingun me mua Zoti Kryeministër.

 

[1] Fakulteti Ekonomik. Universiteti I Tiranës