Lejohen 720 komisionerë të KZAZ-ve, por bllokohen 39.280 komisionerë dhe numërues të qendrave të votimit

466
Përparim HALILI

Loja PS-PD për të manipuluar zgjedhjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka akuzuar “parcelën teknike” të qeverisjes “Rilindja”, se ministrat e PD në koalicionin me PS e bashkë me të edhe ministra e drejtorë të PS, po pengojnë pjesëmarrjen e 720 komisionerëve në KZAZ. Sipas KQZ, në ministritë dhe drejtoritë “teknike”, shefat e koalicionit të ri qeverisës, po zbatojnë urdhrin verbal, sipas të cilit punonjësit e administratës të çdo niveli qofshin deri shoferë, roje e sanitare, ndalohen të merren me veprimtari zgjedhore gjatë orarit zyrtar të punës. Me këtë urdhër, sipas KQZ, komisionerëve të KZAZ-ve u ndalohet të ushtrojnë detyrën e ngarkuar, të njohur si e drejtë legjitime edhe me Kodin Zgjedhor e për më tepër edhe me VKM Nr. 473, datë 01. 06. 2017, firmosur nga Zv/Kryeministrja “teknike”, juristja Ledina Mandia. Në reagimin që ka bërë Zv/kryeministrja Mandia, mohohet denoncimi i bërë prej KQZ, duke deklaruar se komisionerët lejohen të ushtrojnë këtë detyrë gjatë orarit të punës! Ndërsa KQZ deklaron zyrtarisht, se në zyrat e institucionit zgjedhor kanë mbërritur shumë ankesa nga komisionerë e forca politike pjesëmarrëse në zgjedhje, të cilat bëjnë prezent faktin shqetësues, se ministrat dhe drejtuesit “teknikë” nuk po u japin leje komisionarëve, për të ushtruar detyrën zgjedhore në KZAZ, madje edhe i kërcënojnë me largime nga puna dhe ndjekje penale. Ky terror administrativo-psikologjik, i ka terrorizuar e penguar ata, të ushtrojnë detyrën ligjore e Kushtetuese si komisionerë zgjedhorë. Sipas dëshmive të shumë prej tyre të dërguara në “Telegraf”, të gjithë komisionerët që janë në marrëdhënie pune me shtetin, janë paralajmëruar të mos merren me procesin zgjedhor, madje edhe janë vënë në “vrojtimin e agjentëve” të ngarkuar me përgjime prej shefave “teknikë” e strukturat e PD-PS! E nëse “kapen” në e punës apo nëse “filmohen” se kanë shkuar pranë KZAZ-ve, ata pushohen menjëherë nga puna e çohen për ndjekje penale, paçka se sipas “Pikës 5”, të VKM Nr. 473, datë 01. 06. 2017 lejohen të ushtrojnë detyrën e komisionerëve dhe numëruesve! Ndodh ky presion e sulm, ndërkohë që komisionerët e KZAZ-ve, të KQV-ve dhe anëtarët e GNV-ve, kanë depozituar tek shefat e “rilindjes” dhe të “republikës së re” mandatet si persona të miratuar ligjërisht nga KQZ dhe kërkesat për ta ushtruar këtë detyrë që u njeh ligji! Në sqarimin e saj, zv/kryeministrja “teknike”, Ledina Mandia, deklaron se nuk ka asnjë urdhër shkresor të ministrave dhe drejtorëve “blu” e “mavi”, për të ndaluar komisionerët dhe numëruesit zgjedhorë, gj për të cilën është për t’u përshëndetur. Sipas saj, ligjërisht ata do të lejohen të ushtrojnë detyrën e ngarkuar pranë KZAZ-ve, KQV-ve e GNV-ve. Mirëpo kjo duket absurde, kur sipas informacioneve që disponojmë, mëson se faktikisht po lejohen vetëm 720 komisionerë të KZAZ-ve dhe po ndalohen 39 mijë e 280 komisionierë të Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQV) dhe anëtarë të Grupeve të Numërimit të Votave (GNV)! Nëse komisionerët e KZAZ-ve, janë në rolin orientues, vrojtues, këshillues e monitorues të procesit në zona, komisionerët e qendrave të votimit dhe anëtarët e grupeve të numërimit të votave, janë në “terrenin” konkret të procesit të votimit. Këta e realizojnë procesin zgjedhor tek qendra dhe kutia e votimit, ndaj duhen lejuar të trajnohen e udhëzohen përditë, deri sekondën kur do të hapen qendrat e votimit! Këtë e detyron Kodi Zgjedhor edhe VKM-ja e “gatuar” në mirëkuptim mes “rilindësve” dhe “republikanëve të rinj”! Por me sa kuptohet e siç thuhet, po e ndalon loja e përbashkët PS-PD, për të manipuluar zgjedhjet, fakt që ka ka shkuar si informacion edhe në “veshin” e Zv/kryeministres!
Sigal