Lefter Çipa, princ i vjershërimit

826
Sigal

Gjirokastra shpall “Qytetar Nderi” “Mjeshtrin e Madh” të këngës polifonike

(Përshëndetja në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e qytetit të Gjirokastrës në mbrëmjen e 5 prillit 2013. ) Kur dëgjova se Gjirokastra do të shpallte “Qytetar Nderi”, mikun tim të zemrës e këngës, “Mjeshtrin e Madh”, Lefter Çipa, me vete thashë: Si gjithmonë e mençur mbetet kjo vendlindja ime, kjo Gjirokastra jonë gjë gjithmonë, di seç thotë e di seç bën. Siç po bën edhe këtë radhë për Lefterin tonë të dashur këtë bard të polifonisë shqiptare, të Bregut e Labërisë, ndër të paktët e racës së tij të mbetur gjallë. Duke falënderuar Kryebashkiakun Flamur Bime dhe Këshillin Bashkiak të qytetit për akordimin e këtij titulli të lartë më lejoni t’u them se e formuloj këtë mirënjohje edhe në emër të Forumit të Shoqatës “Labëria”, por edhe të gjithë krijuesve, interpretuesve, bartësve e përcjellësve të vlerave të trashëgimisë tonë shpirtërore ku, pa dyshim, kënga polifonike mbetet nga visaret më të çmuara. E njoh herët Lefter Çipën se, vargjet dhe këngët e tij, ndryshe nga shumë krijues të tjerë të mëdhenj që mbetën anonimë morën udhë bashkë me emrin e tij. Thashë që e njoh mirë dhe ja njoh edhe dashurinë për këtë qytet që sot e nderon duke e bërë bashkëqytetar të vet. Dua t’u them se në tretjen e tij jo pak ka ndikuar edhe Kalaja- skenë e këtij qyteti të prerë për festivale, ku sa herë do vinte vakti i tyre e do mblidhte Shqipërinë në këngë e valle, Lefter Çipa do të derdhte shpirtin më të bukur të dashurisë e atdhedashurisë duke bërë që gjithë Gjirokastra e Shqipëria të vinin buzën në këngën e tij të pa shoqe. Këtu në këtë kala do të merrnin udhë për në zemra këngët e tij të jashtëzakonshme qysh nga “Bejkë e Bardhë, borë e malit…” e deri te “…Nga kjo balt’ e kësaj toke / Merr një grusht e shtrydhe fortë / Pika gjaku do kullojnë / Luftën e madhe tregojnë..” etj., të cilave grupi i papërsëritshëm i Pilurit do t’i kthente në monumente të arta kënge duke i vendosur në panteonin e këngëve më të mira iso-polifonike shqiptare. Ndaj me vjen të them se Gjirokastra sot duke nderuar Lefter Çipën nderon Naim Frashërin e ditëve tona dhe shqiptarin e madh të Bregut.

Edhe diçka që lidhet me Gjirokastrën

Kur afro 20 vjet më parë bashkë me Lefterin krijuam grupin folklorik “Bilbili”, Vlorë – Gjirokastër, me Ermioni Mërkurin, Arap Çeloleskën, Arjan Shehun, Mehmet Vishen, Petrit Lulon, Sinan Gjolekën, Spiro Çinon e të tjerë yje polifonie, vendosëm dhe përurimin e bëmë këtu në Gjirokastër. Pikërisht këtu në Gjirokastër më 15 mars 1995 grupi “Bilbili” me udhëheqës artistik Lefter Çipën do të merrte udhën artistike me uratën e Tatait, por edhe madhështinë e Kalasë së historisë e këngës. Lefter Çipa mbetet mbret dhe princ në kalanë e vjershërimit dhe tani e mbrapa qyteti i Gjirokastrës do të ketë edhe një qytetar më shumë të shquar në fushën e letrave dhe krijimtarisë shpirtërore.

Kush na vjen nga Bregu i detit…

Kush na vjen nga bregu i detit

Nga Ballkoni në Vanovë

Lefter Çipa, vjershëtori

Penë artë e mëndje hollë.

Kush na vjen porsi Naimi

Mbi këngë e vargje kaluar

Lefter Çipa, i pa gjumi

Për këngën një jetë zgjuar.

Kush na vjen si Neço Muka

Që për këngë shkriu rininë.

Lefter Çipa, mendje deti

Tretur për polifoninë.

Kush na vjen me çape bore

Melodi, zile, këmborë

Lefter Çipa që na pruri

Bejkën e bardhë si borë.