Lazarat, ndërpritet operacioni; grupi operacional harton plan të ri masash

528
Forcat e RENEA-s, FNSH-së dhe policisë të mobilizuara në Lazarat kanë ndërprerë përkohësisht operacionin, pas kontrolleve të kryera në banesat e fshatit.
Nga informacionet e fundit mësohet se, grupi operacional është tërhequr dhe po harton një tjetër plan masash për të gjetur të kërkuarit. Operacioni pritet të rifillojë rreth orës 17 të pasdites.
Ndërkohë, jozyrtarisht mësohet se grupi hetimor i ka emrat e autorëve të të shtënave që i morën jetën efektivit Ibrahim Basha dhe plagosën dy kolegë të tij.
Ata janë mes 7 personave që ende nuk janë arrestuar nga uniformat blu, por për arsye hetimore emrat e tyre nuk janë specifikuar.
Ndërkohë, hetuesit e Krimeve të Rënda po hetojnë për mënyrën se si kanë hyrë armët në Lazarat, ndërsa janë fokusuar në pistën më të akredituar të motiveve të ngjarjes.
Burime pranë grupit hetimit kanë deklaruar për Top Channel se, pista e një rryme ekstremiste, bazuar në dyshimet se një nga anëtarët e grupit të zjarrit kishte qenë në Siri, është hedhur poshtë.
Sipas burimeve, pista që po ndiqet është ajo se, grupi i të rinjve ka dashur që në Lazarat të mos kishte prani të forcave të policisë. Ndërkohë, banorët e fshatit janë distancuar nga kjo ngjarje.
Sigal