Lazarat, aksioni i policisë në ditën e 3-të, vijojnë kontrollet në banesa

642
Forcat RENEA vijojnë mësymjen në Lazarat dy ditë pasi një efektiv policie mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Uniformat blu kanë vijuar kontrollet nëpër banesa si dhe në një shkollë të mesme, ku dyshohej se mund të ishin fshehur disa persona, por nuk u gjet gjë. Mësohet se gjatë natës forcat policore kanë arritur të depërtojnë në pikat kyçe të Lazaratit. Po dje forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në banesat e shtetasve Arbion e Alban Aliko, të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Ibrahim Bashës.
Efektivi Ibrahim Basha mbeti i vrarë mëngjesin e të mërkurës në Lazarat, gjatë aksionit për të kapur grupin kriminal që kishte nisur pas mesnate të shtënat ndaj policisë lokale në Lazarat. Gjatë këtij aksioni u plagosën edhe dy kolegë të tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme, ne orët mesditës janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë lidhur me ngjarjen, Klodjan Selimi dhe Aleksandër Basha. Këta shtetas të ndaluar gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia në banesat e fshatit Lazarat janë marrë në pyetje nga prokuroret dhe ndaj tyre është kryer procedura ligjore e parashikuar nga kodi i procedurës penale.
Prokuroria e Krimeve të Rënda mbrëmjen e djeshme sqaroi se pas një hetimi intensiv ka identifikuar dinamikën e plotë të ngjarjes tragjike të ndodhur dy ditë më parë, ku është arritur në konkluzionin se vëllezërit Aliko janë autorët kryesore të vrasjes. Sipas prokuroreve, autoret kanë qëlluar nëpërmjet një vrime të hapur në një mur rrethues. Policia dyshon se pozicioni për snajper është parapërgatitur dhe që sulmi ndaj patrullave të policisë ka qenë një kurth, e ku nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë me pagesë. Policia njoftoi se të ndaluarit apo të arrestuarit ishin 16 vete nga lista emërore prej 21 të kërkuarish.
Sigal