Lavdosh Ferruni
Në një sallë të ftohtë në Memaliaj kompania Turke AYEN-ALB, zhvillues i projektit të hidrocentralit të Kalivaçit ja doli të marrë rreth 20 firma që i duhen për ti paraqitur tek autoritet publike si dokumentacion të plotësuar për detyrimin e informacionit të publikut dhe pjesmarrjes së tij në vendimmarrje. Për kompaninë nuk ka rëndësi se ata që kanë firmosur nuk janë dakord me ndërtimin e HECit të Kalivaçit. E rëndësishme për kompaninë turke është letra e firmosur. Janë mijra njerëz që kanë firmosur peticione se janë kundër ndërtimit të HECeve në lumin Vjosa. Të gjithë kryetarët e Bashkive dhe ish komunave kanë firmosur gjithashtu kundër ndërtimt të HECeve në Vjosë. Media të shumta ndërkombtare prestigjoze dhe personalitete të spikatur ndërkombëtarë kanë shprehur publikisht hapur opinionin e tyre për Vjosën me rrjedhe të lirë e pa diga. Janë me dhjetra shkencëtarë nga Gjermania në Japoni që kanë argumentuar shkencërisht se në të mirë të Shqiptarve, të njerëzimit, të Shqipërisë e të planetit është që Vjosa të jetë lum i lirë. Ekspertja serbe, pjesë e panelit të paguar nga kompania turke, për të hartuar letrat e ndikimit në mjedis të HECit të Kalivaçit pranoi se aktualisht nuk di ndonjë rast tjetër që rrjedha e ndonjë lumi në Europë, pa diga si Vjosa, të proçedohet me ndërtim dige e me përmbytje masive. Në takim nuk kishte asnjë nga ministritë e linjës. Nënprefekti i Gjirokastrës i pranishëm tha “u bëftë më e mira” Po cila është më e mira? Studime për ndërtim të HECeve në Vjosë janë bërë edhe nga diktatura. Nëse do shihen këto studime nga Qeveria sot do konstatohet edhe teknikisht se është zgjidhje e gabuar të ndërtosh digë mbi Vjosë, një lumë prurës gjigand sedimentesh dhe me pasoja të qarta të erozionit në bregdetin e Vlorës. Dyshime serioze përcaktuan edhe një grup shkencëtarësh austriak në këto vitet fundit, sidomos në drejtim të sedimenteve dhe erozionit bregdetar. Edhe sikur zgjidhja teknike të jetë e mirë legjislacioni Shqiptar parashikon një analizë të variatit “HEC nuk ndërtohet” Ç’ndodh në këtë rast me 16 km2 tokë të përmbytyr (afërsisht sa 40% e territorit të qytetit të Tiranës) ? Sa prodhim bujqësor – blegtoral do prodhohet? Sa peshk, pra dhe sa ushqim proteinik i shtohet banorëve përgjatë gjithë luginës? Sa të ardhura do sigurohet nga lloje të ndryshme të turizmit dhe rekreacionit që do të zhvillohen normalisht në zonë? Uji i pishëm, uji për vaditje, etj. Intuita e mijra njerzve që kërkojnë “Vjosa lumë i lirë”, “Vjosa Park Kombëtar” konstaton se varianti “HEC nuk ndërtohet” është varianti më i mirë për banorët e luginës së Vjosës. Dhe varianti “HEC nuk ndërtohet”, sipas ligjit nuk presupozon se nuk bëhet asgjë, por presupozon se zhvillohen disa aktivitete të zakonshme private dhe shtetërore, psh., ndërtimi i paneleve fotovoltaike apo i turbinave të erës në zonë e afër zonës. Nëse autoritetet shtetërore pranojnë letrat e kompanisë, si ka dashur ti bëj ajo, duke injoruar pjesë thelbësore të ligjit, përgjegjësia është e tyre. Është për të ardhur keq që Qeveria në prag të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian pranon per një vepër të konsideruar se dëmton një pasuri europiane, sic është ekosistemi unik i lumit të Vjosës, dokumetacion që nuk i referohet standarteve të BEsë, duke devijuar qëllimisht tek standartet turke, kamufluar me standartet e IFCsë. Do ishte një çmenduri qeveritare ndalimi i rrjedhjes së lirë të Vjosës, duke shkatërruar jetën dhe jetesën e luginës më vitale në Shqipëri, me vlera të mëdha edhe për kontinentin.