Lashtësia e gjuhës shqipe në librin e Dr. Stavri S. Trako

1830
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Gjuha shqipe është një ndër tri gjuhët më të lashta të familjes indo-evropiane. Madje Akademik Eqrem Çabej thoshte e shqipja nuk ka as nënë dhe as bijë. Pra është një gjuhë e lashtë , origjinale dhe e pavarur gjuhësisht nga gjuhë të tjera. Lashtësia e gjuhës shqipe ka tërhequr vëmendjen e e mjaft studiuesve të huaj dhe shqiptarë.

Dr. Stavri S. Trako me librin “Gjuha shqipe çelës për historinë e gjuhëve të familjes doriano-evropiane”, një libër voluminoz prej 641 faqesh sjell një kontribut me vlerë në historinë e lashtësisë së gjuhës shqipe, në shkencën albanologjike. Studiuesi, i ndërgjegjshëm për vështirësitë e trajtimit të një teme kaq komplekse, ka ndjekur mendimin e prof. Çabej se objekti i studimit kushtëzon edhe metodikën. Dr. Trako parashtron gjerësisht shtrirjen gjeografike, shtratin historik të gjithë elementeve gjuhësor te etniteteve të lashtësisë. Ja dy element të kësaj metode:

E para: “Sillen fakte gjuhësore të të folmeve të superstrukturave fisnore të popujve të gadishullit Pellazge-Ilire-Trake-Dake.” (f.10)

E dyta: “mbështetur në metodën krahasuese, rreket të qëmtohen marrëdhëniet gjuhësore fqinjësore të ilirëve, pellazgëve, trakëve dhe dakëve” (f.10)

Kultura pellazge (pellazge-ilire-trake-dake) pas luftës së Trojës , tashmë për arsye të njohura historike , bashkëjetoi disa shekuj me kulturën hitite-dardane.

Autori i këtij studimi serioz shpjegon edhe motivet e ndërmarrjes së një vepre kaq të gjerë . Ai shkruan :”Pas studimit të veprës së dijetarit Jakovu Thomopullu “Pellazgjika ” u frymëzova të marr përsipër të pasuroj me fakte të reja gjuhësore përfundimin e tij shkencor, të publikuar për herë të parë, më 17 mars 1912, sipas të cilit gjuha shqipe është çelës për kuptimin e pellazgjishes.” ( f.11). Në një vepër kaq e pasur me fakte, dorëshkrime, me mendime dhe teza të autorëve të ndryshëm, për një hark kohor gati 32 shekullor, që lexuesi mund të krijojë një mendim vetjak për larminë dhe burimet e lashta të këtij kërkimi shkencor, po sjellim emërtimet e 14 kapitujve të librit:

Kreu I – Pellazgët, Ilirët, dakët, skithët.

Kreu II – Dodona

Keu III – Dardanët

Kreu IV -Anatolia Perëndimore, djepi i qytetërimit modern dhe i protogjuhës

Kreu V – Epoka e ngulimeve te Dorianëve të Rinj

Kreu VI – Gjurmë të dorishtes së re në dialektet e Ballkanit

Kreu VII – Teza e albanologut, Jakovu Thomopullu :”Gjuha shqipe, çelësi i gjuhëve të Evropës”.

Kreu VIII – Gjendja e pasurisë diakronike e gjuhës shqipe

Keu IX – Reflekse të hititishtes

Kreu X – Qëndrimi sinkronik i autorit të kësaj monografie

Kreu XI – Vlerat e veçoritë e gjuhës shqipe

Kreu XII – Pllaka doriane e shekullit të 8-të p.e.re (gjetjet arkeologjike)

Kreu XIII – Anatolia, djepi i familjes së gjuhëve evropiane

Kreu XIV – Bibliografi

Me interes të veçantë në këtë monografi, padyshim është kreu X , në të cilin shtjellohen mendime, tezat e autorit dhe metodika e përdorur për studimin e pasthirrmave, theksit të rrokjeve dhe sistemit morfematik, si dhe izoglosave. Vlerë kanë edhe kreu VIII-“Gjendja e pasurisë diakronike në gjuhën shqipe “ (f 302-323 ) dhe kreu XI -“Vlerat dhe veçantitë e gjuhës shqipe” (f.517-521).Të tre këta kapituj i përkasin kryesisht lëndës shqiptare, ku duken më qartë edhe prurjet e autorit.. Dr. Stavri Trako shquhet për përkushtimin e tij shkencor dhe synimin për të sjellë diçka të re në fushën e Albanologjisë, që ndrit qartë edhe në ketë monografi.

Në kornizën e këtij shkrimi do të mjaftonte vetëm të sillnim disa nga këto teza. Ai mendon se, duke u nisur nga madhësia e strukturore e endës (rrënjës bazë), temës, që shpreh saktë kuptimin e mendimit nga paraardhësit në lashtësi, studimi i kuptimit paradigmatik të numrit, të vetës dhe kohës, studimi i kuptimeve aspektore të foljes: kur është e kryer ose e pakryer etj., do të thjeshtonin studimin e gjuhës. Dr. Trako sjell vështrime të reja në trajtimin e mjaft elementëve gramatikorë (morfologji, sintaksë). Kështu, ai insiston te studimi i thirrmave parake simbolike dhe ato onomatopeike. Me të drejtë ai kërkon për të ndërmarrë studime për sistemin e ndryshimeve në sistemin morfologjik të kategorive gramatikore të dialekteve të lashta të Ballkanit, që do të ndihmonte dijetarët e gjuhës të shekullit 21-të, për t’u thelluar në studime e prejardhjes dhe zhvillimin e gjuhëve të familjes evropiane.

Në këtë monografi kaq të gjerë, dr. Trako e mban drejt busullën e kërkimit që ndihmojnë për të sjellë në vëmendje tema dhe nëntema me rëndësi. Kështu, ai shtron dhe argumenton domosdoshmërinë e hartimit të një fjalori për të gjitha të folmet e lashta të gjuhëve të evropiane. Ai kërkon digjitalizimin e gjithë fondit leksikor në arkivin e Institutit të Gjuhësisë, se është për të ardhur keq kur kjo mundësi u afrua ajo u kundërshtua me motivacion politik. Këtu, po i referohem një fakti konkret. Vite më parë ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Petrit Bushati, që kishte ardhur për të marrë pjesë në një seminar që kisha organizuar në mjediset e universitetit “Madona” ai më tha me një ndjenjë keqardhjeje: “Kisha siguruar një fond prej 4000-5000 dollarë për të ndihmuar në digjitalizimin e arkivit të leksikut të Institutit të Gjuhësisë-Letërsisë, komunikova me Institutin; ata m’u përgjigjen: “Nuk e pranojmë se do të na i marrin amerikanët!” Pasuria leksikore ndërballkanike – na thotë dr. Trako, por edhe më gjerë, sidomos të disa dialekteve hitite dhe fqinje me të, do të shërbejnë si bazë për rindërtimin e strukturës parake leksikore, ashtu dhe gramatikore të dialekteve të gjuhës pellazge-hitite. Ai shton më tej se, krahasimi i dialekteve të shqipes me atë të homerishtes së lashtë mund të krijojë ide të sakta për njohjen e një gjuhe parake si dorishtja .(f.512) Autori e rimerr edhe një herë mendimin për hartimin e një fjalori për të folmet e dialekteve të lashta, që do të sillte edhe zbulimin e të gjitha ndryshimeve fonetike. Këtë synim dhe strategji të studimeve krahasuese Dr. Trako e formulon qartë dhe thekson se, studimet gramatikore të arkea -homerishtes, vlerësimi objektiv i analogjive në dialektet e gjuhëve të familjes evropiane, që patën ndikim formues nga ngulimet doriane në shek. 8-të p.e.r. sidomos, në rregullsinë e përkimeve të paradigmave gramatikore është një nga parimet bazë në vijimin e studimeve te gjuhësisë krahasuese evropiane “ (f. 513)

Libri “Gjuha shqipe çelës për historinë e gjuhëve doriane evropiane” dr. Trakos është një libër elitar, që meriton të shqyrtohet dhe diskutohet në institucione e larta universitare dhe, në radhë të parë, në Akademinë e Shkencave. Do t’i sugjeroja autorit që të botonte një variant me të thjeshtësuar për lexuesin e zakonshëm dhe për nxënësit e gjimnazeve. Një vepër e tillë madhore ka kërkuar vite të tëra kërkimesh: Nëpër biblioteka, arkiva dhe në informacionin digjital. Autori ka një përvojë të gjatë pune në botime dhe shkrime. Ai duket se ka punuar si usta dhe jo si çirak. Në një vështrim tërësor mund të thuhet, se libri “Gjuha Shqipe-çelës për historinë e gjuhëve doriane- evropiane” është një prurje me vlerë në fushën e studimeve albanologjike dhe i pasuron dijet shkencore për lashtësinë e gjuhës shqipe me teza dhe ide te reja, pavarësisht se për to mund dhe duhet të shqyrtohen në aula shkencore. Duket që autori ka një përvojë të gjatë ose siç thuhet, ka punuar në minierën e librave duke synuar që nga minerali të nxjerrë e veçojë arin.

Siç kam përmendur më lart, autori ka punuar si usta, si mjeshtër. Kjo duket, midis të tjerash, edhe me përdorimin e një “teknologjie” shkencore të pasur, që përfshin një bibliografi të gjerësuar (536-640 faqe), referenca të panumërta, shënime , të dhëna bibliografike. Ai ka bërë kujdes edhe në paraqitjen e materialit duke përdorur herë shkronjat “The New Roman” herë ato “Italike” për të ritheksuar mendimet e dijetarëve që u referohet. Ndër vlerat e librit është padyshim gjuha, ndërtimi i periudhave, fjalive dhe fjalës shqip dhe të stilit shkencor. Libri padyshim do të mirëpritet nga opinioni shkencor dhe lexuesit e kulturuar, që do të mësonin mjaft gjëra të reja dhe me interes. Libri pasuron studimet dhe bibliotekën albanologjike dhe frymëzon për kërkime të mëtejshme në fushën e gjuhësisë historike, në veçanti, të lashtësisë së shqipes.

Urime i nderuar Dr. Trako !