Largohet nga detyra kreu i Galerisë Kombëtare të Arteve

728
Sigal

Drejtori i Galerisë Kombëtareve të Arteve, Erzen Shkololli është larguar nga detyra. Kjo është bërë e ditur nga vetë Shkololli në një postim të bërë në rrjetet sociale.

“Në përfundim të mandatit tim në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve, dua t’ua shpreh mirënjohjen time të gjithë bashkëpunëtorëve, artistëve vendas dhe ndërkombëtarë që bujarisht kontribuan me punë dhe këshilla për t’ia rikthyer shkëlqimin këtij institucioni shtyllë të vlerave kulturore të Shqipërisë.

Në veçanti, dua të falenderoj publikun artdashës në Tiranë dhe më gjerë që e përqafuan këtë koncept të ri të Galerisë. Gjatë mandatit tim, synova që Galeria të bëhet pikë e pashmangshme e itinerarit kulturor, sidomos gjatë shpalosjes së ekspozitës Arkivi i Hapur, një kthim në kohë dhe hapësirë që bashkarisht na mundësoi ta shohim nga një distancë kritike të kaluarën të gdhenur në skulpturë, disidencën e demonstruar në një ngjyrë, ideologjinë e portretizuar si të pa ngjyrë.

Për besimin dhe mundësinë për ta realizuar këtë mision të ribërjes së Galerisë nyje qendrore të jetës kulturore e falenderoj përzemërsisht Kryeministrin e Shqipërisë, zotëri Edi Ramën, mbështetja e të cilit ishte e plotë.

Dhe në fund, e falenderoj ekipin e palodhshëm të Galerisë Kombëtare të Arteve, një staf profesional dhe të devotshëm, që përqafuan këtë koncept dhe transformim që bashkarisht të kontribuojmë në cilësinë e traditës kulturore dhe artdashëse të Shqipërisë. Falë tyre, ky rrugëtim, që nuk do të ndalojë këtu, u bë i mundur”, shkruan Shkololli.