Lamtumirë Kallash, Italia do t’i dhurojë ushtrisë shqiptare 5 mijë “Beretta”

455
Sigal

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar të sigurisë, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli duhej të kishte në krah shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneral Jeronim Baze.

Por refuzimi i presidentit të Republikës, për ta rimandatuar sërish gjeneral Bazen ka bërë që në krah të saj të jetë zëvendësshefi, gjeneral Prenga.

“Unë nuk jam njoftuar zyrtarisht, por gjithsesi refuzimi i shkon kryeministrit. Unë kam në krah zv.shefin, gjeneral Prengën, që ka të gjitha atributet për të drejtuar nga pikëpamja funksionale e organizative forcat e armatosura”, deklaroi Kodheli.

Por lajmi i dalë nga komisioni kapërceu nga rëndësia mosdekretimin e shefit të Shtabit nga kreu i shtetit. Fillimi i vitit të ardhshëm do t’i gjejë Forcat e Armatosura shqiptare me një armatim tërësisht të standardeve dhe kushteve të NATO-s, duke zhdukur përgjithmonë nga armatimet e saj simbolin e ushtrisë sovietike, Kallashnikovin.

“10 milionë euro janë një shumë e konsiderueshme për buxhetin e mbrojtjes dhe me 5 mijë pushkët automatike të reja nga Italia ne do të mbyllim ciklin e suportit me armatim të standardit të NATO-s në gjithë FA-të”, nënvizoi Kodheli.

Një tjetër donacion nga qeveria amerikane pritet të lëvrohet fillimvitin e ardhshëm, kur janë parashikuar të vijnë 250 mjete ushtarake të blinduara për Forcat e Armatosura shqiptare, për transport strategjik.

“Do të lidhim një kontratë me Forcat e Armatosura të SHBA për suportin total të 250 mjeteve të blinduara, me dërgesën e parë që do të fillojë të dërgohet në janar”, saktësoi Kodheli.

Shqipëria është ndër vendet që nuk e plotëson kushtin e Aleancës për shpenzim të 2 për qind të buxhetit kombëtar për ushtrinë, megjithë rritjen e rrogave për ushtarakët. Buxheti do të ulet me 0.1 për qind vitin e ardhshëm, por këto dy donacione, sipas qeverisë, do ta balancojnë atë.