Lame mburret për Kadastrën online, auditimi: Sistemi jofunksional, mban peng pronarët

101

Qytetarët tashmë nuk kanë një zyrë se ku të drejtohen për problematikat e tyre. Sistemi online është i çalë dhe më shumë po i pengon qytetarët të zotërojnë pronën. Auditi konstaton se të dhënat e qytetarëve nuk janë të sigurta në këtë institucion.

Sigal

 Certifikatat e pasurisë online?! Kreu i Kadastrës, Artan Lame, thjesht mashtron publikun kur njofton se çdo certifikatë dhe aplikim do të aksesohen online! Në fakt, ky sistem është i çalë dhe më shumë po i pengon qytetarët të zotërojnë pronën, se sa ia lehtëson punën. Madje, në raportin më të fundit për Kadastrën, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) konstaton se të dhënat e qytetarëve nuk janë të sigurta në këtë institucion.“Sistemi multifunksional vazhdimisht punon me ndërprerje dhe ka probleme me ecurinë normale të punës. Duke ndikuar në veprimtarinë e specialistëve dhe institucionit në ofrimin e shërbimeve kundrejt qytetareve dhe bizneseve. Janë vërejtur raste kur në raportet finale të gjeneruara për të parë vijimësinë e plotësimit të kërkesave dhe aplikimeve. Në raportet finale nuk gjenden të gjitha praktikat”, -theksohet në raport.

Më tutje, audituesi evidenton se për shumë prona mungon dokumentacioni i plotë i hedhur në sistem. Dhe në shumë raste të tjera hartat janë hedhur gabimisht.

Moduli “Arkiva e Re”, që duhet të jetë i populluar me të gjithë historikun e dokumentacioneve të skanuara për një pronë të regjistruar, rezultoi që jo për të gjitha pronat ka dokumentacion historik. Që prej heqjes së funksionaliteteve nga sistemi i vjetër IPS, disa shërbime si nxjerrja e hartave nuk realizohen dot nga sistemi multifunksional”, përcakton KLSH. Raporti ngre alarmin se me këto boshllëqe ky sistem po zvarrit edhe më shumë çështjet e pronave për pronarët dhe më keq se dikur. Ata tashmë nuk kanë një zyrë se ku të drejtohen për problematikat e tyre.

 

Në rrezik të dhënat e pronarëve

Sipas monitorimit, vihen re problematika lidhur me sistemin multifunksional i cili ka mbingarkesë dhe riskon në ofrimin e shërbimit. Dhe gjithashtu, nuk garantohet siguria e të dhënave.“Mungesa e strategjisë institucionale dhe strategjisë në drejtim të teknologjisë së informacionit mbart riskun e keq adresimit të burimeve të nevojshme. Nuk përcaktohen përgjegjës dhe nuk ka një plan konkret për sigurimin e të dhënave që kalojnë në sistem”,- thekson KLSH.

Sipas raportit, mënyra se si funksionon sistemi është në thyerje të rregullave kryesore të ligjit “Për Kadastrën”. Kështu, administrimi elektronik i informacionit zyrtar të pasurive të paluajtshme kryhet nga Operatori Ekonomik i kontratës së shërbimit të regjistrit elektronik. Kur këtë duhet ta realizojë ASHK. Duke përcaktuar personat përgjegjës. Të cilët duhet të administrojnë çdo lloj informacioni zyrtar të pasurive të paluajtshme dhe të drejtat e tyre.

Konkretisht, KLSH kërkon që Kadastra të marrë menjëherë masa për aksesin e qytetarëve në sistem dhe të garantojë sigurinë e të dhënave për pronarët.