Lame Çekani, i pushkës, i penës dhe i këngës

744
Sevo TARIFA
E kujtojmë gjithnjë shokun e luftës, të letrave dhe të këngës, Lame Çekani. E përfytyron partizan me pushkë në sup dhe artiljer, oficer madhor, shkrimtar me penë në dorë dhe marrës të këngës labe. I ndarë nga jeta, por vazhdon të jetojë. Se “njeriu vdes edhe duke jetuar” (Beethoven). Rron ai që nuk harrohet. Sa kujtime më trokitën në kujtesë për këtë ish pionier partizan 15-vjeçar, invalid i plagosur dy herë, shkrimtar i mirënjohur. Po çfarë t’i kujtosh më parë këtij filizi të kopshtit të Labovës? Ishte si një lule e freskët e Odries bukuroshe. i madh nga Labova e Vogël. Pionier partizan i Çetës së Rinisë. Luftëtari i Brigadës Gjashtë Sulmuese “Heroinë e Popullit”. Një artiljeri cilësor. Pedagog me kulturë. Njeri që e shihte natyrën dy të tretat me syrin e ushtarakut dhe një të tretën me syrin e letrarit. Një shok me zemër pranvere, që vdekja na i rrëmbeu në një ditë prilli. Dhe u nda nga ne Lame bandilli. Ajo pranverë lulëzonte e qeshte, ne ishim të pikëlluar. Dhe poeti i talentuar labovit Arben Duka do të shkruante: “Po bien lisat një nga një/ Lisat e rëndë të atij pylli/ I qetë, i heshtur e pa zë/ Ike dhe ti, o Lame ylli. Nga vitet e stuhishme një nga kujtimet e mia të luftës me Lame Çekanin është ai i i 4 gushtit 1944. U takuam në Tomoricë, në Qafën e Kulmakut, në një ditë të shënuar, ku u krijua Divizioni i Dytë Sulmues. Ishim në rresht: ai në Batalionin “Baba Abaz” e unë në Batalionin “Abaz Shehu”. E pamë njëri-tjetrin sy më sy me buzëqeshje. Në pushim u përqafuam përzemërsisht me mall. Madje dhe u matëm se kush ishte më i gjatë! Punë adoleshentësh! Ai qëndroi në majat e gishtërinjve që të dukej më i rritur! Bëra sikur nuk e pashë. Njëherazi qëndrova dhe unë si ai. Doli se pak më i gjatë isha unë! “Epo ti je një vit më i madh”,- tha ai. Dhe qeshëm të dy. U ulëm në barin e gjelbërt të asaj qafe mali dhe u çmallëm. Gëzimi ynë ishte gjithëpërfshirës. Si neve takoheshin e gëzonin mijëra partizanë, që tani do të përbënin Divizionin e Dytë. Ishte kjo një ngjarje e madhe, e cila i përgjigjej aq mirë lartësisë dhe bukurisë së Malit Tomor, shkëmbinjve të tij të bardhë si dëbora dhe këngës partizane “Malet me blerim mbuluar” dhe “Bashkohu o shokë, me ne në çeta”. Çaste guximi, frymëzimi, inkurajimi, krenarie, që na dhanë forca të reja për të vazhduar luftën, optimizëm për fitore të tjera në marshimin drejt Shqipërisë së Mesme e të Veriut e deri jashtë kufijve shtetërorë të vendit. Dhe Lamja hidhte shtat në luftë e sipër, ashtu siç hidhte shtat Shqipëria duke u çliruar. E veçanta e tij ishte se ai luftonte me dy armë: me armën e zjarrit dhe me armën e ideve, me librin, me penën. Këtë e thotë edhe vetë kur shkruan: “Unë, qysh atëherë i doja shumë librat dhe çoç shkruaja ndonjë gjë të vogël” Dhe pushkën e mbante në sup e lapsin e fletoren në çantë, të qeshurit në buzë! Më vonë do të lexonim libra të këtij shkrimtari të dalë nga zjarri i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. E takoja gjithnjë shokun e luftës. Bisedonim dhe gëzonim. Erdhën ditë që ai të ishte një oficer simpatik. Trupdrejtë. I qeshur. I fjalës. Zëlartë. Uniforma e re e tregonte edhe më të ri, pse jo dhe më të pashëm! Ai ushtarak i karrierës, unë civil. Kur një ditë pa pritur më pa edhe mua të veshur oficer! “Si kështu?,- më pyeti. “Më morën tre muaj në një kurs ushtarak dhe dola oficer. Të zura në gradë!”, i thashë unë me shaka. “Ky është një sihariq për mua”,- m’u përgjigj Lamja. Të dy vazhdonim të takoheshim. Të dy ishim me punë në të njëjtat qytete: në Gjirokastër, pastaj në Elbasan. Dhe më vonë të dy në Tiranë. E gjeta ushtarak edhe në Peshkopi. Sa herë piqeshim, bisedonim. Kujtonim. Gjuha na shkonte në aksionet luftarake, tek bashkëluftëtarët, tek dëshmorët që binin para syve tanë. Dhe prekeshim. Emocionoheshim. Por gjenim forca për të punuar. Gjithnjë ai me ushtrinë e unë me rininë e terrenit. Po edhe ushtarët në moshë të re ishin. Dje na bashkonin Lufta, idealet atdhetare, pushka dhe kënga partizane. Sot na bashkonin puna, edukimi i brezit të ri, mbrojtja. Nga njëri-tjetri nuk u ndamë. Na ndau vetëm vdekja befasuese e tij, por edhe kjo vetëm fizikisht. Me kënaqësi shikoja se në zemrën e bardhë të Lames ishte futur Atdheu ynë i bukur, Shqipëria! Kishte hyrë në atë zemër “Manushaqja” e Naimit dhe andej s’do të delte kurrë. Në atë zemër të Lames kishte atdhetari, besnikëri, vendosmëri, trimëri, ndershmëri, pastërti dhe fisnikëri. Zemër që rrihte në sinkron me zemrën e madhe atdhetare të popullit shqiptar. Por erdhi një ditë që ajo zemër të pushonte, ndërsa atdheu mbeti atje, në atë zemër, që na duket sikur vazhdon të gufojë e të këndojë edhe sot. Shqipëria mbeti në sytë e tij të ndritur, që s’na besohet se janë mbyllur përgjithmonë. Ajo zemër dhe ata sy të Lames nuk u ndanë nga sytë dhe zemrat tona! Lamja ishte njerëzor, shoqëror.. Shkuam një ditë në shtëpinë e Astrit Kallapodhit, që të ngushëllonim për vdekjen e tij. Lamja dhe ky ishin partizanë në të njëjtin batalion. Sa hymë në dhomë e pashë Lamen me sy të përlotur. Iu kujtua bashkëluftëtar Astriti. Dhe nisi të tregonte kujtime nga lufta. Ato çaste hidhërimi i ktheu në forcë me episodet që tregonte për babain e shtëpisë. Kishte ardhur për të ngushëlluar edhe vajza e tij që jeton në Kanada. Ndër të tjerë, ja një episod: Kur kanë qenë të dy-Lamja dhe Astriti- në një aksion luftarak në rrethinat e Delvinës, në pozicione pranë e pranë, luftuan sa luftuan, por ishin në rrezik të kapeshin të gjallë nga gjermanët. Dhe të dy kishin marrë një vendim: “të mbajnë nga një plumb rezervë, që po ta shohin keq, të vrasin njëri-tjetrin e në dorë të gjermanëve të mos bien”! Dhe duke treguar këtë episod, qerpikët e Lames u lagën dhe më shumë. Të dy ishin shokë lufte, veteranë, invalidë. I kishin rrënjët në gjak dhe me gjak e patën shkruar biografinë e tyre. Lame Çekani nuk mund të rrinte pa shokë. Ishte masovik. Nismëtar. I muhabetit. Shakatar. Pranonte dhe bënte shaka. I fjalës dhe me humor. Kur ishte i veshur ushtarak, një ditë e ngacmova jo pa humor: “Ti Lame je i pashëm, s’të mungon paraqitja, por kjo rroba e oficerit të zbukuron edhe më shumë, pa le po të ishe gjeneral, me atë shiritin e kuq në pantallona dhe zbukurimet si prej ari në kapele, si do dukeshe! Oficer madhor u bëre, por gjeneral jo!”. Ai qeshi dhe ma priti gjithashtu me humor: “Jo, nuk do ta kisha paraqitjen tënde, ty të kam pasur gjithnjë zili… E ngava bisedën më tej. Këtë radhë doja ta ngacmoja në raport me bashkëshorten e tij. I thashë: “Martën në Tiranë e kam pasur sekretare të rinisë në dikaster. Kur e ke dashuruar, me siguri bukuria jote i ka këputur asaj “telat e zemrës”! Mund të ketë ndodhur edhe e kundërta: Bukuria e Martës të ka këputur ty telat e zemrës. Dhe Lames s’i mbahej e qeshura. Buzëqeshja ishte karakteristike. Pastaj vazhduam ca duke shprehur mendime për dashurinë. Meqë ai ishte shkrimtar, dhe unë isha duke shkruar një libër për dashurinë, i kujtova të thëna nga shkrimtarë botërorë: “Dashuria është çelësi i zemrave”. “Poezia është dashuri dhe dashuria është poezi”. “Miqësia dhe dashuria janë dy bimë me një rrënjë, por dashuria ka disa lule më shumë”. E pashë Lamen që kishte qejf të dëgjonte e të bisedonte për dashurinë. E me këtë rast të sillte para syve dashurinë e tij me Martën, të dy ishin një çift simpatik. Një ditë dëgjova që po e ngacmonte një shok i tij ushtarak i liruar, si me shaka i thoshte: “Ti Lame je ca mendjemadh”. Ky qeshte, po edhe sikur e pranonte. Por unë gjeta rastin dhe ndërhyra për ta zbutur disi dialogun e tyre, duke kujtuar një shprehje të shkrimtarit Qamil Buxheli: “Më mirë të jesh mendjemadh se të jesh mendje vogël”. Dhe shtova: “Unë do të thosha se Lamja flet ca shumë dhe kush e dëgjon krijon përshtypjen se është mendjemadh. Në qoftë se do flasë më pak, do t’u lërë radhë edhe shokëve për të folur”. Ndërkaq tregova dhe një shembull modestie të Lames. Një ditë kishte zënë “pusi” në rrugën “4 shkurti”, se e dinte që aty do të kaloja edhe unë për të shkuar në Komitetin Kombëtar të Veteranëve. Në dorë kishte një skicë për ta botuar në gazetën “Kushtrim brezash”, por më parë donte dhe mendimin tim. Skica flinte për një poet, një historian dhe një shkrimtar. Dy të parët ishin Andon Kote e Xhemil Frashëri. I treti paragraf qe për autorin e këtyre radhëve. Konsultimi dhe mendimi që kërkonte të tërhiqte ishte shprehje e thjeshtësisë së tij dhe jo e mendjemadhësisë, se zakonisht mendjemadhi s’ka nevojë për mendjen e të tjerëve, se i duket më e mirë mendja e tij. Qeshëm të tre dhe bashkë pimë kafe. Lamja ishte një shkrimtar i talentuar dhe krijues me fantazi. Kur doli në pension, për ta nxitur më tepër, që të shihnin dritën e botimit më shumë vepra të tij, e takova një ditë dhe i thashë: “Mirë është që redaktimin e librit “Batalioni Misto Mame”, që kanë shkruar shokët Sofo Papapavli, Thimjo Muçi, Luto Haxhi e Piro Koçi”, ta merrje përsipër ti, i dashur Lame. Pse ta bëj unë këtë redaktim? Ti e njeh më mirë rrugën luftarake të këtij formacioni, njeh dhe efektivin e tij, se Rrëza dhe Lunxhëria janë si një krahinë, kurse mua më ndan lumi “Drino”. U zu ngushtë dhe mbeti. Më tregoi se e kishte “gozhduar” tepër gazeta “Invalidi” dhe nuk kishte shumë kohë. Me Lamen mund të bisedoje shoqërisht gjithçka dhe të mirëkuptoheshe. Ishte i hapur dhe me zemër të dëlirë. Nuk zemërohej dhe nuk merrte inat. Kishte shumë shokë dhe dinte të sillej me ta. Atje ku ndodhej Lamja, ishte gjallëria, të cilën e ndizte ai me fjalën e tij, me përzemërsinë e tij. E shihje këtë cilësi të Lames, jo vetëm në shokë të Rrëzës, por kudo, deri dhe me njerëz më pak të njohur. Ishte tepër i afruar me njerëzit. Nga partizanët e Brigadës VI nuk ndahej kurrë. Ishte i shoqërueshëm me ta. I respektonte dhe e respektonin. Nuk mungonte kurrë në festat e Brigadës. Ishte lezeti i grupeve me bashkëluftëtarët. Në çdo festë përkujtimore të brigadës do dëgjohej zëri i lartë i Lames. Ia merrte këngës i pari. Këndonte dhe qeshte. Sytë i lëshonin xixa. Zemra i rrihte nga malli për shokët partizanë. Përfytyronte dëshmorët e rënë në fushën e nderit. Kujtonte aksionet luftarake. Të fliste me dashuri për Labovën, që e donte aq shumë. Ligjëronte për Golikun e Çajupin, për gjelbërimin dhe lulet e Odries “gjithë lisa, gjithë hije”. Kur shkonte këtu, një tufë me trëndelina e manushaqe do ta mblidhte për t’ia dhuruar Martës. Lule dashurie! Lame i dashur, që s’rrije dot pa kënduar! Të këndonte zemra. Të shkëlqenin sytë. Të punonte gjuha. Në mendje kishe një mal me këngë. Me ty ishim mësuar që sa herë do festonim, kënga do gjëmonte. Në këngë ti do shquheshe. Do ti jepje vargjeve zjarr nga zjarri yt. Do t’i jepje grupit buzëqeshje nga buzëqeshja jote. Kaloje nga një tavolinë në tjetrën. Dhe kudo këndoje. Ngrije dolli me shokët. Qëndroje më shumë në grupin e Kardhiq-Prongjisë, se të pëlqente shumë kënga polifonike labe. Në fytyrën tënde lexohej ngazëllim, kënaqësi, freski. Timbri i zërit të Lames ishte i njohur nga të gjithë bashkëluftëtarët. Sa ia niste këngës ai, turreshin me shpejtësi drejt tij shokët e tjerë. Ai ia niste këngës ende pa filluar festa. Krijohej një atmosferë gazmore. Grupi bëhej i madh, ia hidhnin shumë dhe iso mbanin akoma më shumë, por zëri i Lames do të sundonte mbi të gjithë! Jeta e Lame Çekanit ishte luftë, punë, krijimtari, këngë. Por këngën e vijoi deri më 26 janar 2007, në festën e Brigadës VI, 78 ditë para se të pushonte fryma e tij. Lamja na mungon, por kujtimet për figurën e tij janë pa mbarim. Ai rron jo vetëm në zemrat e familjes dhe njerëzve të dashur të tij, por është në sytë, në mendjet dhe zemrat e të gjithë shokëve të Luftës e të punës.


Sigal