Asgjë nuk e ndal turravrapin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në “dhurimin” e parave të taksapaguesve shqiptarë, klientëve të preferuar të tij. Pas shërbimit check up dhe shërbimit të sterilizimit të mjeteve kirurgjikale, ministri Beqaj do të japë me koncesion edhe shërbimin laboratorik në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend. Ministri Ilir Beqaj vazhdon të rendë drejt koncesioneve, dhe pse Banka Botërore i ka kërkuar qeverisë shqiptare të ketë kujdes në nismën e marrë të Partneriteteve Publik – Privat në disa shërbime publike, duke argumentuar se koncesionet janë më të përshtatshme në infrastrukturë se në sektorët e butë, siç është shëndetësia. Qeveria “Rama” e ka nisur praktikën e koncesioneve pikërisht me dhënien pa shumë bujë të koncesionit të kontrollit shëndetësor bazë, e fituar nga “Marketing&Distribution” për 7,3 miliardë lekë për një periudhë 10-vjeçare. Ndërsa 96 miliardë lekë të taksapaguesve shqiptarë, Beqaj do t’ia japë privatit për shërbimin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale, ndërkohë që sipas specialistëve, fitimi për koncesionarin llogaritet të jetë në masën 70 % të shumës. Ende nuk dihen termat financiarë të koncesionit të ri në shëndetësi, porse iniciativa për tjetër partneritet publik-privat në shërbimin laboratorik në spitalet dhe qendrat shëndetësore rajonale shënon skandalin e radhës të ministrit Beqaj.
KONCESIONI I SHËRBIMIT LABORATORIK
Ideja për dhënien me koncesion të shërbimit laboratorik e ka zanafillën që në vitin 2009, porse u anulua nga qeveria “Berisha” në vitin 2011, pas debateve të gjata dhe të ashpra nga profesionistët e fushës dhe pas bllokimit nga ana e ministrit të Shëndetësisë të asaj kohe z. Petrit Vasili. Ministri aktual Beqaj nuk është lodhur shumë për idenë, porse kërkon ta implementojë medoemos këtë koncesion, për të mos humbur rastin e radhës.
Sot mbledhja e zv/ministres së Shëndetësisë me shefat e shërbimit laboratorik
Sipas burimeve të sigurta të “Telegraf”, sot në ora 10. 00 në ambientet e ministrisë, zëvendësministrja e Shëndetësisë znj. Milva Ekonomi ka thirrur në takim rreth 20 shefa dhe mjekë të shërbimit laboratorik shqiptar. Mësohet se në këtë takim do t’u bëhet e ditur të pranishmëve se është diskutuar me palët e interesuara (një bllof ky) dhënia me koncesion e shërbimit laboratorik në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në Shqipëri. Pritet që ministria të hasë në kundërshtimin e fuqishëm të specialistëve për të dhënë me koncesion këtë shërbim. Sot do të zbulohet sesa bukur do e luajë bllofin zëvendësministrja e Shëndetësisë znj. Ekonomi dhe nëse do të jetë aq bindëse sa të vihet në funksionim skandali i radhës në shëndetësi.
Pse kundërshtohet nga specialistët ky koncesion?
Duke njohur rrjedhën e ngjarjeve, është pak të thuhet se Beqaj do e kalojë lehtë dhënien me koncesion të shërbimit laboratorik. Janë bërë debate të ashpra dhe specialistët janë kundër shkrirjes së këtij shërbimi publik, edhe për vetë faktin se e gjithë shpura e specialistëve të këtij shërbimi do të kalojë në “pronësi” të privatit. Aktiviteti i koncesionarit mendohet të zhvillohet në institucionet ekzistuese, ndërkohë që të gjithë investimet e deritanishme në aparatura dhe e 70 viteve përvojë, etj., bëhen nul. Ashtu siç ndodh rëndom me koncesionet në vend, burime të sigurta bëjnë të ditur për “Telegraf” se shërbimi laboratorik do të jetë monopol, duke i hequr të drejtën qytetarit shqiptar që të zgjedhë vetë se ku dëshiron ta marrë shërbimin. Ndërsa qytetarët e botës, të cilët kontribuojnë në sigurimet shëndetësore, kanë të drejtë të zgjedhin se ku do e marrin shërbimin e kërkuar dhe shteti përkatës bën detyrën duke e rimbursuar këtë shërbim, ministri Beqaj detyron qytetarin shqiptar ta marrë shërbimin te klienti i paracaktuar prej tij. Ky koncesion monopol vlerësohet nga specialistët një vjedhje e hapur dhe një guxim i tepruar i ministrit Beqaj, më keq se ai i check up-it.
Fitues i paracaktuar, pa u shpallur ende koncesioni?!
“Ata që blenë detin dhe tokën po blejnë dhe shërbimin laboratorik në Shqipëri” të thonë burime të sigurta, afër ministrit Beqaj. Të njëjtat burime bëjnë me dije se fitues i këtij koncesioni është paracaktuar i njëjti laborator privat që u diskutua gjatë qeverisjes së Berishës (përfaqësi greke). Thuhet se kompania private është dhe aksionere te check up-i dhe se e ka pothuaj gati infrastrukturën, pasi ka blerë 15 autoambulanca dhe tani sapo ka futur aparaturat. /L.S.
Nisin problemet me koncesionarin e check up-it që u pagua me 7,3 miliardë lekë
Ka filluar nga problemet koncesioni 7, 3 miliardë lekësh i paketës së shërbimit të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç. Qendrat shëndetësore në Tiranë, që ofrojnë këtë shërbim janë përballur me probleme të serverit qendror, ku depozitohen të dhënat personale të çdo pacienti. Mungesa e internetit ka bërë që shumë qytetarë të mos e kryejnë dot kontrollin shëndetësor, por ta shtyjnë deri në eliminimin e defektit. Kompania Marketing & Distribution është shpallur fituese në shkelje të ligjit për prokurimet publike, pasi oferta e saj ishte më e lartë, (730 075 000 lekë), se e kompanive të tjera pjesëmarrëse në këtë procedurë, si p.sh. e kompanisë “Proton” e cila ka ofruar 617 025 000 lekë, shifra këto të publikuara në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike, të datës 27 tetor 2014.
Kush do i marrë 96 miliardë lekë për shërbimin e sterilizimit
Rreth 100 miliardë lekë të vjetra (saktësisht 9,657,000,000 lekë të reja) do t’ u kushtojë taksapaguesve shqiptarë koncesioni i shërbimit të sterilizimit të veglave kirrugjikale. Ky koncesion është publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike në buletinin e datës 16 shkurt 2015. ministria e shëndetësisë fton investitorë vendas apo të huaj që të marrin pjesë në procedurat konkurruese përzgjedhëse për dhënien me koncesion të shërbimeve të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare është 10 vjet. Ofertat do të ngarkohen në datë 30 mars të vitit 2015 në orën 12.00.
Koncesionet, qëllime politike
Koncesionet në vetvete mund të bartin, përpos favoreve klienteliste e interesave financiare, edhe interesa politike. Duke qenë se privati po “pushton” shërbimet shtetërore, administrata rrezikon realisht vendin e punës. Përvojat na kanë treguar se në asnjë kontratë koncesionare nuk janë vënë kushte nga ana e shtetit shqiptar për të mbajtur në punë personelin (punonjësit) që janë në momentin kur privati merr shërbimin apo pasurinë shtetërore në menaxhimin e vet. Kështu që, edhe monopoli i radhës, fare mirë mund të jetë një “kontratë” me koncesionarin “laboratorik” për të “analizuar” kundërshtarët e Beqajt me qëllim pushimin e tyre nga puna. Dhe kjo nuk përbën asnjë lloj habie, sidomos pas përplasjeve të fundit të bluzave të bardha me ministrin Beqaj.