Ky është i riu shqiptar që u vra me pesë plumba në Greqi

305
Sigal

Një 27-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me pesë plumba në Patra të Greqisë mbrëmjen e djeshme.

Mediat greke raportuan se i riu Mario Metaj është vrarë në zonën e kryqëzimit Kourtesis, në Patras.

Sipas të njëjtave burime ai është qëlluar për vdekje nga një bandë rivale shqiptare.

Viktima ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij ku një makinë tjetër i ka prerë rrugën duke shkaktuar edhe një aksident.

Më pas autorët që dyshohet se kanë qenë të paktën dy persona kanë qëlluar ndaj tij duke e lënë të plagosur rëndë. Ai është transportuar për në spital por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Përplasja e bandave shqiptare në Greqi po bëhet problem për policinë greke.

Pak ditë më parë në Athinë u vra Edmond Llangozi ndërsa në atentat mbetën të plagosur rëndë djemtë e tij Mihal dhe Anxhelo Llangozi.

Për këtë vrasje u tha se shkaku ishte një borxh financiar që familja e të ndjerit i kishte autorit me origjinë shqiptare.