Kuvendi nxiton sërish për të dekretuar ligjin për rritjen e pagave. Pasi e futi me nxitim në rendin e ditës së seancës së sotme, pak ditë pasi u miratua nga komisioni parlamentar, Kuvendi kërkon ta dekretojë ligjin brenda 25 majit.
Kjo pasi Presidenti i Republikës Bajram Begaj niset nesër për një vizitë zyrtare dy ditore në Itali dhe në të kundërt ligji do të dekretohej pas kthimit të tij.
“Ndërkohë kolegë ju njoftoj që Presidenti i Republikës ka dhënë pëlqimin për dekretimin e menjëhershëm të paketës së ligjeve për shkak edhe të largimit të tij në një vizitë jashtë vendit, në orën 14:30 ne do të votojmë përpara se të përfundojë seanca.
Kështu që secili nga kolegët të shikojë edhe radhën e diskutimeve të tij në fjalë sepse në atë orë do të ndërpriten diskutimet për të kaluar në votim”, tha Felaj.