Kushtetuesja në pritje të anëtarit të shtatë, KED i dërgon Metës emrin e Sonila Bejtjes

205
Sigal

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED ka mbajtur sot mbledhjen e saj të radhës. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgon Presidentit emrin e Sonila Bejtja për vendin vakant si anëtare e shtatë e Gjykatës Kushtetuese.

Në njoftim, thuhet se në këtë mbledhje janë diskutuar dhe marrë edhe një sërë vendimesh të tjera.

Njoftimi i KED:

NJOFTIM PËR MEDIAN

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 28.12.2020, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, duke iu përmbajtur rendit të ditës:

1.Shpallja e fillimit të procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendin vakant në gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

2.Miratimi e ekspertit për vlerësimin e nivelit të zotërimit të gjuhës së huaj (atë angleze), të deklaruar nga kandidati i lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

3.Ndërprerjen e procedurës se vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendin vakant në gjykatën Kushtetuese për kandidatin e lejuar, Z Altin Binaj.

4.Relatimi për procedurën e ndjekur për vlerësimin e kandidaturës së lejuar: Zj. Sonila Bejtja.

5.Zhvillimi i intervistës me kandidatin e lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese të shpallur vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019; Zj. Sonila Bejtja.

6.Vlerësimi, pikëzimi dhe renditja për kandidatët e lejuar.

7.Diskutimi dhe miratimi i listës përfundimtare të renditjes, si dhe i raportit përkatës.

Në mbledhjen e sotme të KED merrnin pjesë anëtarët e KED, Avokati i Popullit si edhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës.

Në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës, KED diskutoi paraprakisht mbi përfundimin e procedurës së vlerësimit për secilin prej kandidatëve që kanë shprehur interes për plotësimin e këtij vendi kakant në Gjykatën Kushtetuese, si edhe me faktin se kanë kaluar afatet e ankimit për kandidatët e ndaluar.

Pas miratimit të rendit të ditës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi shpalljen e fillimit të procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant në gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

KED, vijoi më pas me miratimin e ekspertit për vlerësimin e nivelit të zotërimit të gjuhës së huaj (atë angleze), të deklaruar nga kandidati i lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi, përfundimin e procedurës së, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për shkak të tërheqjes nga kandidimi, Z. Altin Binaj, për vendin vakant në gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikësnë datën 22.11.2019.

Këshilli vijoi më intevistimin e kandidatës tjetër, Zj. Sonila Bejtja e cila është paraqitur sot përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e saj në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese dhe vlerësimit të njohurive në gjuhën angleze. Pas përfundimit të intervistimit të kandidates, KED vijoi me procedurën e pikëzimit dhe renditjes.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimevebëri pikëzimin e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe miratoi vendimin përkatës.

KED vijoi me miratimin e vendimit mbi listën përfundimtare të renditjes dhe raportit përkatës, i cili do t’i dërgohet menjëherë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë.