Kush janë dy të arrestuarit për vrasjen e vëllezërve Bilali, në kërkim i dyshuari kryesor

1106
Sigal

Në operacionin e koduar “Livadhe” janë arrestuar të dyshuarit kryesorë për vrasjen e vëllezërve Bilali, Arsen Stojku, 29 vjeç dhe Myslym  Rama, 23 vjeç. Po ashtu janë shpalluir në kërkim edhe dy të tjerë, njëri prej të cilëve Ibrahim Lici. Ky i fundit dyshohet se është personi që bëri ekzekutimin e vëllezërve.

“Si rezultat i një pune të mirëorganizuar nga ana e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë Shkodër, me mbështetjen e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u zhvillua operacioni policor i koduar “Livadhe” duke u finalizuar me ekzekutimi i urdhrave të ndalimit, datë 25.04.2019, të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për ndalimin e shtetasve:

– A. S., 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

– M. R., 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

U bë shpallja në kërkim e shtetasit I. L., 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe e shtetasit D. B., 29 vjeç, për veprën penale të “Përkrahja të autorit të krimit”. Vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Myslym Rama

Pista kryesore që po hetohet nga policia Bilali është ajo e hakmarrjes, pasi Fisi Lici dhe Bilali njihen për përplasjet mes tyre, pasi vetëm në vitin e fundit ka patur 10 viktima. Në gusht të vitit 2018, Ibrahim Licit i vranë xhaxhanë Fatbardh Lici.

Dy vëllezërit, Astrit dhe Ibrahim Bilali u vranë më 30 mars me breshëri plumbash para banesës së tyre në lagjen Kiras të Shkodrës, pranë Zooteknikës.

Astrit Bilali është babai i ish-boksierit të Vllaznisë, Asmer Bilali, që është i arrestuar para disa muajsh në Tiranë si pjesë e grupit Bajri.

Astrit Bilali ishte pronari i një resorti hipizmi në Shkodër, pranë të cilit para pak kohësh u ekzekutua teksa kalëronte, Arjan Ferracaku. Ky i fundit ishte në shoqërinë e të birit të Astrit Bilalit, Asmerit, kur u qëllua me breshëri plumbash duke humbur jetën. Dyshohet se plumbat ishin nisur pikërisht ndaj Asmer Bilalit.