Kush ishte Oliver Ivanoviç dhe aktiviteti politik në Kosovë

841
Ekzekutohet me gjashtë plumba Kreu Iniciativës Qytetare SPD, Oliver Ivanoviç. Kush ishte Ivanoviç dhe reagimet politike 
Oliver Ivanoviç është konsideruar gjithmonë si lideri i kryesor i serbëve të Kosovës pas përfundimit të luftës. Ai u vra pas një sulmi me armë në Mitroivicë. Ka përfunduar autopsia për kryetarin e Iniciativës Qytetare SPD, Oliver Ivanoviç. Mësohet se në trupin e kryetarit të SPD-së, ekspertët mjekoligjorë kanë gjetur gjashtë plumba nga një armë e vogël. Sipas kallxo.com, autopsia është kryer nga mjekoligjorët e Kosovës në rajonin e Mitrovicës. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqri Syla ka konfirmuar se dy prokurorë nga kjo prokurori kanë nisur hetimet për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës.

Kush ishte Oliver Ivanoviç?
Oliver Ivanoviç është i lindur në Irzniç të Deçanit dhe i rritur në Gjakovë e Mitrovicë. Ai përfaqësonte një frymë të re në politikën serbe që në atë kohë përfaqësohej nga Zoran Xhinxhiç. Ndërkombëtarët i kishin varur shpresat te ky politikan nga Mitrovica, por nuk do të vononte shumë dhe imazhi i tij do të ndryshonte. Ivanoviç rezultoi se kishte marrë pjesë në masakra kundër shqiptarëve. Ai është i dënuar për krime lufte. Ai mbaroi shkollën fillore dhe inxhinierike mekanike në Mitrovicë. Ishte kadet i Akademisë Ushtarake në Zagreb, por u largua pas tre vitesh. Ai u diplomua nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Mitrovicë dhe u diplomua nga Fakulteti i Ekonomisë në Prishtinë. Ka punuar në kompaninë transportuese të Mitrovicës TransKosova, në fabrikën e pllakave qeramike të Mozaikut dhe në zyrën e Hepokut në Mostar. Prej vitit 1991 deri në 1998 ai ishte kreu i qendrës sportive në Mitrovicë. Ai shërbeu si zëvendësdrejtor i përgjithshëm i kompanisë “Feronikl” nga Drenasi deri në 2004, kur u bë drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit për Kosovë. Kur u formua Këshilli Kombëtar Serb në vitin 1999, Ivanovic u bë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të tij për veriun e Kosovës. Prej atij vendi ai u zëvendësua në vitin 2001. Kur qeveritë e RFJ-së dhe të Serbisë formuan “Qendrën Koordinuese për Kosovën dhe Metohinë”, të emëruar si Shef i Shërbimit për Zhvillim Ekonomik dhe Rindërtim. Që nga viti 2008, ai ishte sekretar i shtetit në Ministrinë e Kosovës. Ai ishte anëtar i Partisë Social Demokratike që nuk ekziston më. Ai ishte një instruktor dhe një arbitër ndërkombëtar karateje. Ai ishte kryetar i klubit të karatesë “Trepça”. Për një kohë të gjatë, ai konsiderohej si një prej politikanëve më të moderuar serbë të Kosovës. E madje, ndërkombëtarët kishin investuar goxha shumë tek ai. Gjykata Themelore e Mitrovicës në vendimin e 30 marsit 2016, e shpalli fajtor Oliver Ivanoviçin për veprën penale të Krimeve të Luftës kundër Popullatës Civile dhe ndaj tij u mor një dënim prej 9 vitesh burg. Por në shkurt të vitit të kaluar ndryshoi masa ndaj Ivanoviçit në burg shtëpiak.

Reagimet nga politika për largimin nga jeta në mënyrë të parakohshme

Ilir Meta: Vlerësoni situatën me qetësi dhe maturi, të zbardhet ngjarja
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shpreh keqardhjen e thellë dhe dënon ashpër vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Liderit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviç. Presidenti Meta shpreh gjithashtu besimin se autoritetet përkatëse do ta zbardhin sa më parë këtë akt kriminal dhe do të vënë përpara drejtësisë autorët. Presidenti Meta bën thirrje për vlerësimin e situatës me qetësi e maturi dhe që ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, proces që është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e rajonit tonë.
Edi Rama: Tragjike, akt që nxit urrejtje dhe tension
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas lajmit për ekzekutimin e liderit të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviç. “Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanoviç; akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension. Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur! Duhen thelluar!”, është shprehur Rama.
Ditmir Bushati: Kjo është një goditje e rëndë për dialogun në Kosovë
Për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç ka reaguar edhe Ministri i punëve të jashtme Ditmir Bushati. Bushati u shpreh: “Kjo është një goditje e rëndë për dialogun në Kosovë. Të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qeta. Palët duhet të lejojnë që drejtësia të veprojë shpejt.”

Reagon Pandeli Majko: Akt antishqiptar! Shpresoj që Kosova ta nderojë
Për vrasjen e politikanit serb dje në Mitrovicë, Oliver Ivanoviç, ka reaguar edhe ministri shqiptar për Diasporën, Pandeli Majko. Përmes një postimi në facebook, Majko shkruan se vrasja e Ivanoviçit, favorizon ata që duan që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë të jenë në një krizë të thellë, për të mos favorizuar interesat e përbashkëta Europiane.” Vrasja e Oliver Ivanovicit, një prej zërave të fortë të serbëve të Kosovës është një ngjarje e rëndë. Ajo vjen në favor të atyre, të cilët duan që marrëdhënia shqiptaro – serbe të jetë një krizë favorizuese e intresave joeuropiane. Vrasja e Ivanoviçit është një akt kundër shtetit të Kosovës dhe po aq antishqiptar. Shpresoj, që Kosova të nderojë Ivanoviçin si humbjen e një shtetasi të vet. Kjo është përgjigja më e mirë ndaj atyre që presin të kundërtën.”
Lulzim Basha: Është një akt i pastër kriminal, të hetohet
Për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç ka reaguar edhe lideri i opozitës Lulzim Basha. “Vrasja e sotme e Oliver Ivanoviçit në Mitrovicë, është një akt i pastër kriminal që meriton hetim të plotë dhe ndëshkim nga organet ligjzbatuese në Kosovë. Akti, përveçse një atentat ndaj jetës, synon të jetë një atentat ndaj proceseve të bashkëjetesës e të dialogut në Kosovë. Trajtimi i ngjarjeve të tilla, kërkon maturi dhe largpamësi nga çdo aktor i përfshirë në dialogun dhe procesin e paqëtimit në Kosovë. Përshëndes dhe mbështes plotësisht reagimin e autoriteteve në Kosovë dhe nxis një proces sa më energjik të zbardhjes së aktit dhe ndëshkimit të autorëve.”, tha Basha. 

Sali Berisha: Akt i dënueshëm me prapavijë politike
“Vrasja e Oliver Ivanoviçit, një akt i rëndë dhe i dënueshëm me prapavijë politike!”, kështu e ka cilësuar ish-kryeministri i vendit Sali Berisha. “Në mëngjes falangat e krimit ekzekutuan para selisë së partisë së tij, njërin prej udhëheqësve më në zë të serbëve të Kosovës në këto dy dekada, ish-sekretar shteti në një nga qeveritë e Beogradit, Oliver Ivanoviçin. Duke dënuar ashpërsisht këtë akt kriminal dhe shprehur ngushëllimet autoriteteve të Kosovës dhe familjarëve të të ndjerit Oliver Ivanoviç, theksoj se ekzekutimi i tij para derës së selisë së partisë së tij dhe pikërisht ditën e hapjes së dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, të lë të kuptohet, se pas këtij akti të shëmtuar kriminal qëndrojnë organizata terroriste ultranacionaliste serbe të llojit “Dora e Zezë”, që janë organizuar këto vitet e fundit dhe kanë kryer akte të rënda kriminale. Urojmë që autoritetet e Kosovës të vendosin sa më parë para ligjit sponsorizuesit, organizatorët dhe ekzekutorët e këtij akti të shëmtuar!”, shkruan Berisha.

Hashim Thaçi-Federica Mogherinit: Ngjarja po hetohet. Kosova kërkon ta zbardhë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një bisede telefonike me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini, e ka siguruar atë, se institucionet përgjegjëse të Kosovës do të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta zbardhur sa më shpejt vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç. Thaçi ka thënë se Kosova është e përkushtuar, që të vazhdojë dialogun dhe përpjekjet për normalizim të plotë me Serbinë, njofton Zyra për Informim e Presidentit. Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, gjatë ditës së djeshme ka telefonuar Presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, pas vrasjes së Ivanoviçit në veri të Kosovës. Menjëherë pas vrasjes, presidenti Thaçi i kishte ftuar organet e rendit që të zbardhin sa më shpejt rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë. Ai kishte apeluar te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për zbardhje sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.

Ramush Haradinaj: Për ta zbardhur mund të ftojmë FBI-n
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dënon shfrytëzimin politikisht të vrasjes së liderit të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviçit. Shefi i qeverisë së Kosovës u shpreh se, nëse do jetë e nevojshme për të zbardhur të vërtetën do të ftohet edhe FBI-ja. “Policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira me plot organizata dhe, nëse ka nevojë për ndihmesë do ta ftojmë FBI-në”, tha Haradinaj.
Sigal