Kush është i dyshuari për grabitjen e 3.2 milionë dollarëve të bankës

619
Arrestohet një nga bashkëpunëtorët e grabitjes spektakolare të ndodhur në rrugën e Rinasit, ku u vodhën 3.2 milionë dollarë të një banke të nivelit të dytë në dy automjetet e “Jaguar Security”.
Burime të rezervuara nga grupi i hetimit bëjnë me dije  se policia zotëron prova të mjaftueshme se F. Gj. nga Lushnja është një nga bashkëpunëtorët e grabitjes. Mësohet se prej tre ditësh ai mbahet në komisariat, në izolim dhe pa pasur mundësi të kontaktojë me familjarë apo avokatë.
Lajmi është berë i ditur nga avokati, i cili është kontaktuar nga familja. Prej momentit të ndalimit ai nuk ka mundur ta kontaktojë klientin e tij. Mësohet se i është bërë e ditur se do ta takojë përpara marrjes së masës së sigurisë e cila do jetë një seancë sekrete në gjykatë për vetë rrethanat e çështjes dhe rëndësinë e hetimit Policia e Tiranës e shoqëroi F. Gj. 3 ditë më parë bashkë me të vëllanë, por dyshimet më të forta bien mbi të, kështu që të gjithë të dyshuarit e tjerë janë liruar.
Nga verifikimet që janë kryer nëpërmjet antenave të telefonisë celulare, ka rezultuar se të dy vëllezërit kanë qenë të pranishëm 30 minuta para dhe pas grabitjes, në zonën përreth Qafës së Kasharit dhe Rinasit, ndërsa njëri prej tyre është punonjës i një policie private.
Sipas hetimeve, grupi i personave që kryen grabitjen e 3.2 milionë dollarëve në rrugën e Rinasit, më 9 shkurt 2017, ka përdorur veshje me mbishkrimin “Policia”. Ky fakt është bërë me dije nga deklarimet që u janë marrë gjashtë efektivave të policisë private, që shoqëronin vlerën monetare në dy automjetet e “Jaguar Security”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë drejtuar Gjykatës së Tiranës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj të akuzuarve, Policia e Shtetit ka qenë e informuar në lidhje me lëvizjen e shumës së parave. Në kërkesën drejtuar Gjykatës, Prokuroria e Tiranës ka zbardhur krejt dinamikën e ngjarjes së ndodhur më 9 shkurt në rrugën drejt aeroportit.
Sigal