Kush e ka bërë GOGOL Matematikën?!

2400
Prof. Alqi NAQELLARI
Zoti Kryeministër, ka ardhur koha që të mos shikohet vetëm ristrukturimi i Akademisë, por, me themel edhe i Universiteteve!
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Po afron data e fillimit të vitit të ri akademik 2017-2018. Një pjesë e Universiteteve kaluan në procesin e Akreditimit, të tjerët po vazhdojnë. Por nëse Universitetet u akredituan në kuadër të pesë rubrikave të lidhura me procesin e organizimit dhe të ligjshmërisë, sa i përket cilësisë së programeve, syllabuseve, përshtatjes së pedagogëve ndaj lëndëve nuk u bë ndonjë vlerësim. Procesi i akreditimit të kurikulave, syllabuseve dhe programeve është për gjykimin tim po aq i rëndësishëm sa është edhe akreditimi institucional dhe duhet bërë sa më shpejt. Ky proces duhet të kryhet medoemos prej ekspertëve të huaj e vendas, sepse është i lidhur plotësisht më cilësinë e materialit që ju jepet studentëve, me kohën dhe mënyrën e dhënies së tyre, me cilësinë e mësimdhënies dhe të mësimnxënies, me perspektivën e mendimit ekonomik për pasojë me perspektivën e ekonomisë shqiptare. Theksoj me perspektivën e mendimit ekonomik, sepse në këtë shkrim bëj fjalë për Fakultetin e Ekonomisë, pikërisht për lëndën e Matematikës, e cila historikisht ka qenë dhe mbetet lënda më problematike thuajse për çdo Universitet. Përfshihet në grupin e lëndëve më të vështira në Fakultetin e Ekonomisë, ku edhe shkalla e kalueshmërisë është e ulët. Ka pasur dhe ka me dhjetëra studentë që kanë përsëritur vitin, që u është djegur shkolla apo që kanë transferuar studimet e tyre, sepse kanë mbetur pikërisht në këtë lëndë. Matematika ka qenë “gogoli” i studentëve. Para disa viteve në UT u bë një strukturim i kësaj lënde dhe disi problemi ndryshoi. Sot është më ndryshe, por ka akoma vend për të bërë ndryshime themelore.E them këtë duke u nisur nga programi dhe syllabusi i kësaj lënde, nga tekstet që përdoren në këtë lëndë, në bazë të të cilave janë ndërtuar programet e lëndëve të matematikës për Fakultetin e Ekonomisë. 

Përse i duhet studentëve të Ekonomisë Matematika?
Matematika iu shërben si metodë për të studiuar më me hollësi fenomenet ekonomike, për të studiuar, tregun, kërkesën, ofertën individuale dhe agregate, për të studiuar dobinë, monopolin, oligopolin, për të përcaktuar optimalitetin e faktorëve ekonomikë, për të minimizuar koston e maksimizuar fitimin, për të llogaritur tepricën konsumatore dhe të prodhuesit, për të përcaktuar ekuilibrat e tregut dhe pasojat e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, për të analizuar PBB-në, inflacionin, papunësinë, fenomenet në tregun financiar e bankar, në marrëdhëniet me tregun e jashtëm etj. Matematika, në këtë mënyrë, u shërben si lëndë mbështetëse Mikroekonomisë dhe Makroekonomisë në të gjitha nivelet e tyre, Ekonomiksit Manaxherial, Ekonomiksit të Konkurrencës, Analizës Ekonomike të Projekteve, Ekonomisë Monetare, Modeleve Matematike të Rritjes Ekonomike, Drejtimit Financiar, Financave Publike etj. Është matematika ajo që shoqëron që në vitin e parë paralelisht studentin e ekonomisë në ‘Hyrje në Ekonomi’. Kjo matematikë që ai bën në vitin e parë është Kryesore, sepse do t’i nevojitet për lëndët që përmenda dhe që bëhen në vitet pasuese deri në doktoraturë. Në këtë mënyrë Matematika së bashku me Statistikën dhe Ekonommetrinë do jetë krahu i djathtë i këtyre lëndëve. Nëse ato përvetësohen studentët e Ekonomikut nuk do kenë asnjë problem me këto lëndë. Duke i bashkërenduar si duhet njohuritë e matematikës me ato ekonomike në fushat përkatëse Lënda e Matematikës, jo vetëm që nuk do jetë e vështirë, por do kthehet në një nga lëndët më të dashura, më të kërkuara dhe më të lehta për t’u përvetësuar nga studentët. Si mund të realizohet ky bashkërendim optimal? Ky realizohet duke pasur një tekst Matematike për Ekonomistët në shërbim të lëndëve të sipërpërmendura. Nëse teksti do t’i përshtatet problemeve të lëndëve ekonomike dhe nuk do shikohet si qëllim në vetvete kjo do të arrihet, bile shumë shpejt. Nëse Matematika do bazohet në tekstet ekzistuese ka për të mbetur një barrë e rëndë për studentët, që nuk do t’u shërbejë për asnjë gjë, as për lëndët e Universitetit dhe as për në jetë, nuk do t’iu shërbejë as pedagogëve në kërkimet e tyre shkencore. Këtë e them për cilësinë e teksteve të Matematikës që jepen në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Cilësia e këtyre teksteve lë për të dëshiruar.

Për gjykimin tim këto tekste duhet të rishikohen me themel sepse:
1. Pedagogët që i kanë hartuar Tekstet e Matematikës nuk e njohin ekonominë e tregut, sepse e kanë mbaruar Universitetin në kohën e Ekonomisë së Centralizuar, në Shqipëri ose në vendet e Lindjes, Rusi, Poloni, Bullgari etj.

2. Janë bazuar kryesisht në tekstet e shkollës ruse të viteve 70, pa reflektuar ndryshimet përkatëse në 50 vitet e fundit.

3. Nuk kanë reflektuar tekstet e Matematikës Ekonomike të vendeve të Evropës Perëndimore, të SHBA-së, përgjithësisht të shkollave anglofone, frankofone, ispanike, të Lindjes së Largët, kineze, indiane, australiane etj.

Cilat janë të metat e këtyre teksteve?
-Tekstet e hartuara janë një barrë e rëndë për studentët e ekonomikut, sepse janë parë si qëllim në vetvete pa një objektiv konkret të caktuar.
-Nuk i përshtaten lëndëve të Ekonomikut dhe lëndëve të tjera për të cilat bëhet kjo lëndë.
-Nuk ka shembuj teorikë dhe praktikë nga temat e ekonomisë ndërkombëtare dhe shqiptare.
– Nuk ka ushtrime të zgjidhura në fushën e ekonomisë në një kohë që duhej të kishte me qindra.
-Nuk trajtohet asnjë koncept ekonomik në rrugë matematike.
-Trajtohen akoma problemi transportit, i dietës, shpërndarjes, limitet etj, që janë trajtuar në matematikën e viteve 70. Nuk është bërë asnjë ndryshim rrënjësor për t’ua përshtatur e fenomeneve dhe problemeve të ekonomisë së tregut.

Konkretisht teksti ‘MATEMATIKA PËR FAKULTETIN E EKONOMISË”.i hartuar nga tre autorë. Teksti është botim i vitit 2007. Ka 340 faqe me këtë strukturë:
Pjesa e I, Elementë të Algjebrës Lineare (Hapësira Euklidiane, Matricat dhe Përcaktorët dhe Sistemet e Ekuacioneve Lineare. Në këtë pjesë nuk ka asnjë ushtrim në fushën e ekonomisë dhe asnjë trajtim të ndonjë koncepti ekonomik.

Pjesa e II, Elementë të Analizës Matematike (Hyrje në analizë, Funksioni, Limiti funksionit, Limitet e njëanshme, Disa Limite të Rëndësishme etj. Në këtë pjesë në rreth 200 faqe flitet për Njëjësimin Diferencial dhe Integral. Në Funksionet me shumë variabël përmendet thatë Funksioni Cobb Dagllas (f.183) pa asnjë shembull konkret, përkundrazi a dhe b i trajton si konstante të zakonshme në një kohë që janë koeficiente elasticiteti që lidhin prodhimin me faktorët ekonomikë. Në faqen 205 jepet një ushtrim i zgjidhur që merr në konsideratë funksionin e dobisë dhe zgjidhet me metodën e Lagranzhit. Në faqen 265 ka një ushtrim tjetër të zgjidhur për tepricën konsumatore duke përdorur diferencialin. Në fund bëhet fjalë për seritë numerike. Si përfundim Teksti Matematika për Fakultetin e Ekonomisë, Viti I për të gjitha degët ka vetëm 2 ushtrime të zgjidhura që i takojnë Mikroekonomisë së Ndërmjetme. Nuk ka asnjë trajtim të ndonjë koncepti ekonomik që tu takojë Lëndëve të tjera të cilat janë përmendur në këtë material. Ai nuk flet për kërkesë-ofertën, për ekuilibrin e tregut, për koston marxhinale për të ardhurat, për fitimin, për monopolet, oligopolet për PBB-në etj por vazhdon akoma avazin e Mukes me limitet e matricat. Ka me qindra faqe për matricat por nuk jepet asnjë ushtrim i zgjidhur në një kohë që funksioni i regresionit të shumëfishtë zgjidhet pikërisht me matrica, nuk ka nevojë për ekonometrinë apo të përdorësh SPS-në. Këta janë mësuar të kenë një sistem ekuacionesh që të përdorin matricat, nuk janë mësuar që të kenë një funksion të vetëm regresioni të shumëfishtë dhe ta zgjidhin me matrica. Ky tekst nuk ju hyn në punë as pedagogëve të Fakultetit të Ekonomisë sepse nuk mund ti përdorin gjëkundi këto metoda të përmendura në këtë tekst. Ka me dhjetëra artikuj në fushën e Ekonomisë të shkruar nga pedagogët e UT-së por numërohen me gishtat e njërës dorë ato ku është përdorur aparati matematik (rrallë janë përdorur Gausi, Krameri dhe Lagranzhi). Më së shumti këta pedagogë përdorin Ekonometrinë. Momentalisht Ekonometria e ka sfiduar dhe lënë në hije Matematikën. Arsyet janë ato që unë kam theksuar më lartë. Sepse Teksti Matematikës mund ti shërbejë kujtdo por jo një Studenti të Fakultetit të Ekonomisë, apo një Pedagogu të këtij Fakulteti. Teksti i Vitit të II (Administrim Biznes, Informatikë Ekonomike) që titullohet “MATEMATIKA E ZBATUAR PËR FAKULTETIN E EKONOMISË” hartuar nga Th. M dhe B. R. është thuajse i njëjtë me të parin. Nuk ka shembuj në fushën e ekonomisë por merret me problemin e transportit, dietës shpërndarjes etj. Në këtë tekst janë futur edhe Tema të Matematikës financiare në një kohë që kjo është lëndë me vete. Tekstet me këtë strukturë dhe përmbajtje nuk ka çfarë i duhen një studenti apo një pedagogu të Fakultetit të Ekonomisë. Ai nuk i hyn në punë askujt, ai bëhet një barrë e rëndë për studentin sepse është një qëllim në vetvete dhe jo si një mbështetje për lëndët e tjera. Ai i rrëndon padrejtësisht studentët duke u ngrënë kohën e punës, duke ju marrë kohë nga studimi i lëndëve të tjera, në këtë mënyrë ky tekst ju ka bërë dy herë dëm, një herë që nuk u ka mësuar asgjë për metodat e studimit të ekonomisë dhe njëherë që u ka harxhuar kohën e studimeve që mund ta përdornin për të mësuar lëndët e tjera. Kjo gjë ka bërë që studentët ta konsiderojnë atë akoma si “gogol”. Në fakt duhej të ndodhte e kundërta. E them këtë sepse Matematika Ekonomike është shumë e bukur dhe shumë e thjeshtë që mësohet prej çdo student pavarësisht se i çfarë niveli është ai. Studentët kanë të drejtë të ngrihen në Protestë masive ndaj Departamentit të Matematikës që ka miratuar të tilla tekste, ndaj këtyre pedagogëve që nuk u kanë mësuar asgjë, por që përkundrazi i kanë telendisur. Zoti Kryeministër (Ju drejtohem Juve sepse juve të mbaroni punë) ka ardhur koha që të mos shikohet vetëm Ristrukturimi i AKADEMISË SË SHKENCAVE por me themel edhe i UNIVERSITETEVE i mënyrës së organizimit të tyre që nga MËNYRAT E ZGJEDHJEVE TË ORGANEVE DREJTUESE e deri te SYLLABUSET e tekstet që përdoren për mësim. Reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Na vjen turp të themi se jemi Doktorë apo Profesorë kur shikojmë punonjësit e doganave, të hipotekave, dhe deri te disa biznesmenë e deputetë që janë bërë profesorë e doktorë. Kështu do vazhdohet të ecet? Nëse do vazhdohet kështu atëherë Shqipëria pas dhjetë vitesh merr fund sepse i vjen radha këtij brezi që do ta mësojnë pikërisht këta Profesorë, doganierë e hipotekarë.Po si e ka bota “MATEMATIKA PËR EKONOMINË”, apo “MATEMATIKA PËR ANALIZA EKONOMIKE”. Bota Perëndimore shkolla anglo-saksone, frankofone, ispanike, amerikane, e lindjes së largët kanë tekste Matematike për ekonominë të shkëlqyera. Po qe se mëson mirë tekstet e “Matematikës Ekonomike” të tyre ke mësuar 50% të Mikroekonomisë. Në Shqipëri këto lloj tekstesh aplikohen në Universitetin e Vlorës, “I.Qemali”, të Mesdhetarit në UET, etj. Do përmend dy prej tyre:Teksti matematikës me titull “MATHEMATICS FOR ECONOMICS AND BUSINESS” (Kindle edition 2015 from Pearson , print and electronic) by Jan Jacques. Botimi i parë është bërë në 1991 dhe i fundit në 2015. Ky tekst ka përdorim ndërkombëtar në SHBA, Angli, Kanada, Meksik, Kinë, Indi, Australi etj, etj. Ka rreth 600 faqe dhe ka në çdo kapitull ushtrime të zgjidhura nga Ekonomiksi i të gjitha niveleve. Ka mbi 100 ushtrime të zgjidhura. Ky tekst është përshtatur në gjuhën shqipe nga Pr. M. Ramosaço me redaktor A. Naqellarin dhe ka vetëm 316 faqe. Teksti matematikës me titull “ ESSENTIAL MATHEMATICS FOR ECONOMIC ANALYSIS” by Knut Sydsaeter and Peter Hammond. Financial times/ Prentice Hall; 3 edition (17 April 2008). Teksti u përkthye me mbështetjen e DAAD dhe NORLA në 211. Teksti është redaktuar nga O. Stringa dhe Th. Mitre. Teksti ka 720 faqe. Ky tekst ka thuajse të njëjtën strukturë të tekstit të parë dhe ka mbi 200 ushtrime të zgjidhura dhe me qindra ushtrime të tjera për ti zgjidhur studentët. Në 64 tema janë përdorur për zgjidhjen e ushtrimeve metodat matematike. Janë zgjidhur ushtrime të Mikroekonomisë së Mesme dhe të Ekonomisë së Avancuar dhe të të gjithë lëndëve që kemi përmendur më sipër. Ky tekst i është rekomanduar nga një student shqiptar Fakultetit të Ekonomisë së UT. Ky tekst mund të përshtatet si tekst Universitar me një madhësi të zakonshme dhe të përdoret në vend të teksteve të deritanishëm që janë përdorur në Fakultetin e Ekonomisë.
Sigal