“KURUM” që punon me 30% skrap “ilegal”, 10 vjet jashtë çdo kontrolli tatimor dhe hetimi ligjor

850
Sigal

Kush e mbron piraterinë financiare, prodhuese e sociale, të kompanisë që prej 20 vjetësh po “vret” Elbasanin, me 13 herë ndotje më tepër se norma e lejuar, edhe në vendet e Botës së Tretë

Para disa ditësh, organet e specializuara të hetimit të Tiranës, mbështetur në një denoncim të hetimit tatimor, njoftuan se kishin zbardhur skemën mafioze të një supervjedhjeje të një grupi tregtarësh e subjektesh, bërë nëpërmjet mashtrimit me faturat e rimbursimit të TVSH-së, ku ishin përfshirë 14 individë grumbullues e shitës skrapi dhe 9 subjekte grumbullimi e tregtimi skrapi, të cilët sipas skemës së realizuar kanë zhvatur arkën e shtetit me 26 milionë euro. Cilët janë abuzuesit dhe cilët mungojnë në dosjen e hetimit?

 “Gjurmët” e abuzimit të çojnë edhe përpara “portës” së “KURUM”

 Sa për konkretizim, “linja” e mashtrimit me TVSH e skrapit funksiononte kështu: Subjekte të biznesit të mesëm, sasitë e skrapit i siguronin me blerje nga pika grumbullimi, nga sasitë që siguroheshin prej fitimit të tenderëve të skrapit prej subjekteve që rezultonin të regjistruar në QKR e tatime, si grumbullues e shitës skrapi. Por këto subjekte, ishin të regjistruar fiktivisht, sa për të krijuar mundësinë e sigurimit të blloqeve me fatura tatimore dhe i lëshonin këto fatura po fiktivisht, për efekt rimbursimi fals të 20% TVSH. Troç, prej shitësve fiktivë, pajiseshin blerës fiktivë me fatura fiktive blerje skrapi me TVSH, por pa shitur e pa blerë… as 1 gram skrap! Dhe TVSH-ja zhvatej rregullisht e zinxhir prej disa vitesh, nga të gjithë palët e kësaj loje, duke e çuar vjedhjen në 26 milionë euro. Për këtë vjedhje, sipas organit të akuzës, janë proceduar 14 individë dhe 9 subjekte, si dhe 60 individë të tjerë janë ende në proces hetimi. Ne u njohëm me emrat e individëve dhe subjekteve të hetuar e proceduar, por mes tyre nuk gjetëm emrin që duhej të ishte në krye të listës së hetimit: Emrin “KURUM”, ose “dorën” e vetme të blerjes dhe shkrirjes së skrapit në Shqipëri! Të flitet për shitje e blerje-skrapi dhe të mos flitet për “KURUM”, kjo është absurde. Nëse do të kishte një nisje hetimi për mashtrimin me TVSH-në e shitblerjes së skrapit, “starti” do të ishte kompania turke “KURUM”, qendra e vetme e përpunimit teknologjik të skrapit për prodhime hekuri, çeliqesh, bakri, gize, alumini etj.. Kjo kompani e “hekurt” e prodhimit të hekurit me lëndë të parë skrapin, nuk është futur në listën e hetimit. Sipas burimeve tona nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, mësuam se “KURUM” nuk i është referuar fare drejtësisë prej kësaj drejtorie, si subjekt për t’u hetuar. Burime konfidenciale nga hetimi, thonë se gjurmët e krimit me TVSH false të skrapit, por edhe probleme të tjera abuzive me skrapin si sasinë e blerë shumë e të pasqyruara pak, të blerë ilegalisht e të mos pasqyruar fare, kanë shkuar deri tek porta e “KURUM”, por aty… befasisht “janë ndërprerë, kanë humbur”! Kjo “ndërprerje gjurmësh” tek porta e “KURUM”, sipas burimeve tona është bërë me një urdhër nga një “ministër i fortë e bukurosh” në qeverinë “Rilindja”, që merret me “punët” e skrapeve, energjisë dhe mineraleve e, që prej 1 viti pas marrjes së postit ka gjetur “gjuhën e mirëkuptimit” dhe ka krijuar lidhje të “hekurta” me “Abi KURUM”-in.

 “KURUM”, 20 vjet masakër sociale e jetësore mbi punonjësit. Kush e mbron?

 A kontrollohet kompania “KURUM” për aktivitetin që kryen për sasinë e skrapit që blen, për firot teknologjike gjatë shkrirjes së tij, për sasinë e prodhimit që nxjerr, për sasinë që shet, për parametrat ekologjik të prodhimit, për depozitimin e mbetjeve të skrapit e të procesit teknologjik, për ndotjen mjedisore prej teknologjisë dhe masave të sigurisë mjedisore, për kushtet dhe sigurinë e punës, për pagat, për sigurimet shoqërore e shëndetësore të punonjësve dhe për trajtimin e tyre sipas detyrimeve me ushqim, transport, pagesa për orë shtesë, paga e 13 vjetore, për higjienë dhe mbrojtje nga ndotjet akustike (zhurmat)? Kjo ka qenë një kompani problematike në të 20 vitet që ushtron aktivitet në Shqipëri. Siç sillet “bosi” turk me “skllevërit” shqiptarë të “KURUM”, nuk silleshin përpara 500 vjetësh as sulltanët me “nizamët” shqiptarë që rekrutonte me forcë e me pagesë! Për të gjithë këto probleme ekonomike, sociale, sigurie në punë, sigurimesh jetësore e shëndetësore deri tek siguria fizike nga aksidentet në punë, rezulton se askush nuk guxon të shkojë për kontroll, ose edhe kur shkohet paraqitet një informacion me rezultat kontrolli: “KURUM” i rregullt”. Edhe sindikata e mban gojën të qepur, ndoshta ngaqë “KURUM” i jep ndonjë financim për goma makine, apo për ndonjë arkë me birra e disa qese kikirikë kur sindikata bën ndonjë aktivitet ose seminar! Nëse do të ushtrohej një kontroll social ligjor në këtë kompani, do të rezultonin shumë probleme, pa përmendur helmin me të cilin “KURUM”, prej 20 vjetësh po “vret” Elbasanin me 13 herë ndotje më tepër se norma e lejuar edhe në Vendet e Botës së Tretë. Shtrohet pyetja: Kush e mbron masakrën sociale të bërë prej “KURUM”?!

 “KURUM” punon me 30% skrap “ilegal”, nuk kontrollohet prej 10 vjetësh

 Për të parë se sa “i hekurt”, i paprekshëm e i pathyeshëm është “KURUM”-i që vepron si “bandit” në Shqipëri, po e nis me një rast: Në 3 vitet e fundit, janë kapur 26 individë që kanë vjedhur kapakë pusetash. Pas rrëfimit të tyre janë arrestuar edhe pronarët e pikave të grumbullimit që kanë blerë kapakët e pusetave. Në rastin e “KURUM”, edhe pse në furrat e tij u fut e u shkri gjithë Azotiku i Fierit me letra shitje-blerje false, drejtuesit e firmës turke jo vetëm nuk u arrestuan, por as u pyetën për këtë krim ekonomik, të kryer në bashkëpunim, paçka se ata që kishin “shqyer” Azotikun dhe disa fabrika të tjera i shisnin si skrap në “KURUM”. Sipas dosjes hetimore, deri në momentin e kapjes prej policisë, “skrapistët” e Azotikut të Fierit kishin shitur ilegalisht në “KURUM” afro 13 trajlera me skrap. Çuditërisht, drejtësia dënoi hajdutët dhe shitësit e skrapit, por jo “KURUM”-in, madje nuk shkeli fare në këtë kompani! Sipas një dosjeje hetimore tatimore të vitit 2012, mësohet se “KURUM”, prej 10 vitesh nuk ishte kontrolluar dhe, pas kontrollit të vitit 2002, rezultoi se kjo kompani punonte me 30% skrap të blerë ilegalisht pa letra, si lëndë e parë e papasqyruar, për rrjedhojë e papasqyruar as si sasi prodhimi. Ne kemi investiguar prej 1 muaji portën e kompanisë “KURUM”. Përditë atje shkojnë e shesin “me kuintal” grumbullues të vegjël “rruge” që nuk pajisen me faturë. Shkojnë grumbullues e shitës të mesëm me nga 2 e 3 ton skrap të cilët nuk pajisen me faturë shitjeje. Por shkojnë edhe shitës të mëdhenj nga Elbasani, Durrësi, Tirana, Librazhdi, Pogradeci, Korça, Berati, Lezha me maune trajlera të ngarkuar me skrap. Ne biseduam me një shitës shumice, i cili kishte shitur skrapin në “KURUM”. E pyetëm për faturën e shit-blerjes. Na tha: – Unë nuk jam biznes me letra, unë mbledh skrapin ilegalisht nëpër disa pika të vogla në zonën time dhe e sjell këtu në “KURUM”. Kemi rënë dakord me këta të “KURUM”-it, që të marrim një faturë formale sa “për të na lënë të qetë policia”. Sipas vëzhgimit tonë në hyrje të “KURUM”, konstatuam se atje çdo ditë hynin karroca me kuaj, “dum-dum”, kamionçina, maune e trajlera me skrap. Sipas burimeve tona nga brenda “KURUM”, çdo ditë futen (sidomos natën) mesatarisht 30% e sasisë totale të skrapit që shkrihet në furra. Bilanci prodhues vjetor i deklaruar zyrtarisht në tatime prej “KURUM” është ky: 810 mijë ton hekur për ndërtim të petëzuar në të nxehtë, 680 mijë ton prodhim çelik të lëngshëm. Sa ton/prodhim është 30% e skrapit që nuk deklarohet, si lëndë e parë?

 “KURUM”, në 20 vjet ka “shkrirë” të gjitha pushtetet në Shqipëri

 Kompania “KURUM” e cila duhet t’i nënshtrohet një “skaneri” ligjor , social, ekonomik e financiar për informalitet dhe mungesë standardesh në prodhim e “vrasje” mjedisore, ka një tregues: E ka gjetur “gjuhën” e mirëkuptimit me të gjitha qeveritë e këtyre 20 viteve që ajo ushtron aktivitet. Ka shfrytëzuar punonjësit në kushte të vështira pune e sigurie për jetën dhe qeveritë nuk ka folur. Ka krijuar evazion fiskal me skrapin dhe sigurime shoqërore e shëndetësore të punonjësve dhe nuk është ndëshkuar e sekuestruar. U ka venë “syrin” fabrikave, kantiereve detare e hidrocentraleve për t’i privatizuar për “1 copë bukë” dhe i është plotësuar dëshira menjëherë. Punon me skrap ilegal të papasqyruar në aktivitet tatimor dhe nuk i thotë askush, asgjë. “KURUM”, duket se nuk nuk ka shkrirë vetëm skrap në këto 20 vjet, por ka “shkrirë” e ka derdhur “lingota” edhe qeverisjet, ministrat, deputetët, sindikata, OJF-të e pushtetin lokal. Një fakt: 12 vjet më parë, qeveria shqiptare, iu vërsul kompanisë “KURUM” me sanksione gjobash e bllokim e sekuestro prodhimi për shkak të mos pagesave të sigurimeve shoqërore të punonjësve dhe për mosshlyerje të energjisë elektrike, deri duke e kërcënuar për largim nga Shqipëria, nën motivin e “ndotjes ekstreme të mjedisit”. Çuditërisht, vetëm 1 javë pas kësaj “stuhie” qeveritare, gjithçka u la në qetësi. “KURUM” rinisi punën, iu fal energjia e papaguar në vlerën 102 milionë lekë dhe nisi miqësinë me “bosët” e qeverisë dhe filloi të blinte edhe kompani të tjera shtetërore. Këtë “paqe” me qeveritë “KURUM” e mbajti edhe pas vitit 2005, me ish-qeverinë “Berisha”, madje krijoi “miqësi aq të fortë” me ministrin e Ekonomisë e të Financave, sa në qershor 2009, në kundërshtim me Kushtetutën e Shtetit Shqiptar, drejtuesit e lartë të Shtetit Shqiptar, i shitën “KURUM” për “5 lekë”, edhe mjediset e Uzinave të Prodhimit të Hekur-Çeliqeve, ndërkohë që kontrata ligjore, miratuar në Parlament e ka të sanksionuar qartë: Për 40 vjet, “KURUM” do t’i përdorë mjediset vetëm me qira, pa të drejtë privatizimi. Sipërfaqja e privatizuar prej “KURUM” është 219 mijë e 410 m2, përbërë nga 1 uzinë çeliku, 3 uzina petëzimi dhe 1 hapësirë pjesërisht e mbyllur me sipërfaqe 88 mijë e 410 m2.

Në listën hetimore të piratëve të TVSH së skrapit, mungon vetëm… “KURUM”!

 Personat e akuzuar

Agim Xhika

Josif Kadriaj

Maltin Lleshi

Ramiz Veizaj

Kadri Rama

Avni Hoxha

Robert Hoxha

Gjergji Lami

Ilir Allmeta

Flamur Gjinaj

Juxhin Zeqaj

Përparim Zeqaj

Durim Musa

Krenar Mukaj

Shoqëritë e akuzuara

  “ALEKSI & AJSI” sh.p.k,

“AJSI” sh.p.k

“ALSIMA” sh.p.k

“HOXHA” sh. p. k

“XHOIS- GRUP” sh.p.k

“PROKAT” sh.p.k

“SILEALB” sh.p.k

“MUSA” sh. p. k

“GOLD PLUS” sh.p.k

Përparim Halili