Kur do nisë shpërndarja e shpërblimit për pensionistët

533
Sigal

Duke nisu nga java tjetër të 643 mijë pensionistët në vend do të marrin shpërblimin e premtuar prej 6 mijë lekësh nga Qeveria Rama për festat e fundvitit. Drejtori i ISSH­së, Astrit Hado, sqaron se tashmë është rënë dakord me Postën Shqiptare për skemën e ndarjes së parave. Sipas tij, është menduar që ndarja e shpërblimit të nisë nga dita e mërkurë.

“Nga e mërkura pensionistët do të marrin bashkë me pensionin e muajit, edhe shpërblimin e përcaktuar nga qeveria prej 6 mijë lekësh”, thekson Hado.

Por çfarë do të ndodhë me ata që kanë pasur datat e pensionit para ditës së mërkurë? Hado sqaron se skema do të jetë e njëjtë me ato të viteve të shkuara.

“Në datën e parë të nisjes së shpërndarjes së shpërblimit do të punohet me dy turne. Gjatë turnit të parë do të ndahet pensioni dhe shpërblimi për pensionistët që kanë ditën e pensionit. Pasdite do të ndahet vetëm shpërblimi për ata që e kanë pasur ditën e pensionit në datat 1 dhe 2 dhjetor. Skema do të vazhdojë e tillë për ditët në vijim. ISSH-­ja garanton që brenda datës 30 dhjetor, të gjithë pensionistët do të kenë marrë shpërblimin 6 mijë lekë në muaj”.

Por drejtori i ISSH-­së shton se shpërblimi nuk humbet në rast se gjatë periudhës së mbetur të vitit, nuk arrihet të tërhiqet nga pensionistët.

“Shumëkush për arsye të ndryshme, nuk mund të jetë në gjendje të tërheqë shpërblimin në zyrat e Postës, apo thjesht nuk ka nevojë dhe nuk paraqitet në datat e caktuara për ta tërhequr. Shpërblimi nuk humbet për ata që nuk e tërheqin para fundit të vitit. Të gjithë ata që nuk e marrin atë për arsye nga më të ndryshme do të kenë mundësinë ta përfitojnë edhe gjatë vitit 2017”, thekson Hado.

ISSH­-ja sqaron se po punohet me Postën që të ketë datë shpërndarjeje për shpërblimet edhe ditët e shtuna.

Sikundër është në diskutim, edhe fillimi i skemës ditën e martë, apo ndarja e shpërblimit çdo pasdite të tri datave. Sipas kreut të ISSH­së, shpërblimi do të mund të merret edhe gjatë janarit apo shkurtit.
Thjesht ai është një e drejtë e përftuar tashmë me vendimin e Qeverisë. ISSH­-ja sqaron se të gjithë ata që e marrin pensionin me bankë do ta kenë në llogarinë e tyre edhe shpërblimin.

Zakonisht, pensionistët që marrin pensionin me bankë e përfitojnë atë pas datës 20 të çdo muaji. Këtë 20 dhjetor, llogaria e tyre do të shtohet me 6 mijë lekë. Qeveria do të shpenzojë këtë vit rreth 38 milionë USD për shpërblimin e 643 mijë pensionistëve, me 6 mijë lekë për festat e fundvitit