Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK krijon dy seksionet e reja, emrat e prokurorëve

58

SPAK krijoi sot Seksionin kundër Krimit të Organizuar dhe Seksionin kundër Korrupsionit.

Seksionet e reja u krijuan pas një mbledhjeje të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, ku u diskutuan probleme që lidhen me nevojën për rritjet të efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale në këtë prokurori, si dhe probleme organizative.

“Altin Dumani emërohet Zëvendës Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar”- njofton SPAK, duke shtuar se “Edvin Kondili emërohet Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

NJOFTIMI I PLOTË

Sot me datën 01.06.2020 u zhvillua një mbledhje e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, ku u diskutuan probleme që lidhen me nevojën për rritjet të efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale në këtë prokurori, si dhe probleme organizative. Në përfundim :

• Duke vlerësuar faktin që specializimi për kategori të caktuara veprash penale është element thelbësor ndikues në rritjen e efikasitetit të ushtrimit të ndjekjes penale në përgjithësi ;

Nisur nga fakti se objekti i punës së Prokurorisë së Posaçme përfshin dy drejtime kryesore : ushtrimi i ndjekjes penale kundër krimit të organizuar dhe ushtrimi i ndjekjes penale kundër korrupsionit ;

Drejtuesi i Prokurorise së Posaçme, me Urdhërin nr. 87, datë 01.06.2020 ka vendosur që në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar prokurorët e ushtrojnë ndjekjen penale në dy seksione si më poshtë:

Seksioni Kundër Krimit të Organizuar.

1. Altin Dumani
2. Vladimir Mara
3. Behar Dibra
4. Ened Nakuçi
5. Doloreza Musabelliu
6. Elida Kaçkini
Seksioni Kundër Korrupsionit.
1. Edvin Kondili
2. Klodjan Braho
3. Enkeleda Millonai
4. Dritan Prençi
5. Sotir Kllapi

• Nisur nga nevoja për të rritur efektivitetin e punës dhe ushtrimit të ndjekjes penale në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ;

Duke vlerësuar rezultatet në punë, aftësitë organizative, vlerësimin e përformancës etike dhe profesionale, si dhe vjetërsinë në punë si prokuror ;

Drejtuesi i Prokurorise së Posaçme, me Urdhërin nr. 87, datë 01.06.2020 ka vendosur që :

1. Zoti Altin Dumani emërohet Zëvëndës Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar.

2. Zoti Edvin Kondili emërohet Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.