Kujtim Azbiu:Ja pse Zyrat e Urbanistikës nëpër komuna lejojnë ndërtimet pa leje

606
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, drejtori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik në Elbasan, Kujtim Azbiu

Në një interviste për gazetën “Telegraf”, drejtori  i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik i Qarkut të Elbasanit, Kujtim Azbiu ka shpjeguar gjendjen aktuale të ndërtimeve pa leje.

Ku ushtron aktivitet Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Qarkut të Elbasanit?

Në mbështetje të ligjit nr. 9780 datë 16.07.2007 dhe vendim të këshillit të Qarkut  Elbasan nr. 30 datë 25.10.2007 Inspektorati Ndërtimorë Urbanistik i Qarkut të Elbasanit ushtron aktivitet në 32 komuna dhe 1 bashki. Në rrethin e Elbasanit janë 19 komuna dhe 1 bashki, Belësh, rrethi i Librazhdit janë 5 komuna rrethi i Gramshit 3 komuna, rrethi Peqin Komuna Sheze, ku gjithsej inspektorati mbulon mbi 280 fshatra.

A ka pasur shkresa ankesash?

Po gjatë vitit 2012 kanë ardhur 149 shkresa nga të cilat janë kthyer 140 përgjigje nga këto 116 ankesa  nga komunat dhe shtetasit, 5 kanë ardhur nga prefekti nga prokuroria 6 nga zyra e përmbarimit nga avokati i popullit 2, INU 9, nga Këshilli i Ministrave 1 dhe nga gjykata 2 të gjitha përgjigjet e shkresave janë kthyer brenda afateve të parashikuar në ligj.

A janë kryer kontrolle nga kjo drejtori dhe cilat janë vendimet që janë marrë nga INU?

Po janë kryer 151 kontrolle dhe janë mbajtur 46 procesverbale nga të cilat janë marrë 55 vendime nga ku 35 janë vendime për prishje objektesh 4 vendime janë plotësim dokumentacion teknik 10 janë pezullim punimesh dhe 6 janë vendime me gjobë. Nga këto janë ekzekutuar 27 vendime për prishje objektesh pa leje. Dhe janë shtyrë 6 vendime për prishje objektesh për t’u ekzekutuar më vonë për efekt të procesit gjyqësor dhe procesit të legalizimit. Nga ana jonë janë kryer të gjitha procedurat dhe janë dosjet e plotësuara. Po këtu me lejoni të them se kemi ndjekur dhe dy procese te tjera gjyqësore nga ku 1 e kemi fituar dhe tjetrin jemi në vazhdim.

Cilat janë problemet që ju si zyrë keni?

Shqetësim shumë i madh për zyrën tonë janë zyrat e urbanistikes nëpër komunat, të cilat lejojnë  ndërtimet pa leje vetëm dhe me një vendim të këshillave të komunave nuk japin informacionin e duhur. Ne i kemi njoftuar të gjitha komunat për detyrimet ligjore që kanë për bashkëpunim me  INU të këshillit të qarkut. Problem tjetër shqetësues mbetet Komuna Shirgjan, e cila në shumë raste ka kundërshtuar  veprimet e INU deri në pretendimin që nuk ka deleguar kompetenca duke mos lejuar veprimet tona në ketë komunë, fenomen që ndodh sipas interesave që kanë me individë të caktuar.

Po nga ana e dokumentacionit keni probleme?

Jo,dokumentacionet që ne disponojmë janë shumë të sakta si nga ana teknike dhe juridike. Dosjet e përfunduara me shumë profesionalizëm janë të arkivuara në arkivën e INU-së.