PNUD jep 820 mijë euro për të promovuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuar
Zakonisht për të bërë një projektligj duhen ekspertë të të gjitha fushave dhe natyrisht, sipas ligjit duhen përfshirë dhe grupet e interesit. Po në të vërtetë a merret mendimi i tyre dhe nëse merret, a gjendet i trupëzuar ai në projektligj? Qasja e legjislacionit shqiptar me ligjet ndërkombëtare është një kërkesë e kohës. Në këtë drejtim, duhet të ketë modele, por njëkohësisht duhet mbajtur parasysh dhe realiteti i vendit, ku do të implementohet ky ligj. Duhet parë sesi do të paraqiten në terren të drejtat e grupeve të interesit dhe mbi të gjitha a do të jenë të përfshira efektet financiare, sigurisht, kur i përmban ligji. Të gjitha këto, sepse është provuar që, në shumicën e rasteve, ligji tek ne kontestohet, menjëherë, pas aprovimit dhe kjo vjen si pasojë e mosreflektimit në të, të mendimeve të grupeve të interesit apo të personave që kanë një background në orientimet që ka ligji qoftë ekonomik, juridik, financiar, social apo shëndetësor. Po të hysh në faqen zyrtare të PNUD do vëresh se vetëm për një projekt mbi aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar, e cila në fakt u finalizua me një projektligj, janë shpenzuar rreth 820 mijë euro. Është në nderin e donatorëve të huaj, të cilët ofrojnë ndihmën e tyre në kategorinë më vulnerabël të shoqërisë shqiptare, të personave me aftësi të kufizuar. Por, a janë të gatshëm institucionet dhe fondacionet shqiptare që këtë ndihmë, të ofruar nga të huajt, ta venë në eficencë siç duhet? Dhe mbi të gjitha, duhet që ligji të jetë i perspektivës dhe të përmbushë atributet e tij në favor të grupeve të interesit, ku këta të fundit të gëzojnë lehtësitë e ligjit. Është për të ardhur keq që elementët cilësorë të funksionimit institucional qeveri, grupe interesi dhe instancat akademike nuk komunikojnë me njëri-tjetrin për të nxjerrë një material bashkëkohor. Në të paktat raste që është zbatuar ky trinom, ligjet e kësaj natyre i kanë rezistuar kohës.
PNUD, 820 mijë euro për PAK
Shifra e vënë nga PNUD, mbi 820 mijë euro, dhënë fondacionit “Për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar” për promovimin e të drejtave të kësaj kategorie njerëzish u kurorëzua me hartimin e një projektligji, që u prezantua në nëntor dhe ku grupet e interesit ngritën pretendimet për mospërfshirjen e mendimeve të tyre dhe të komunitetit që përfaqësojnë në këtë projektligj. Gjatë diskutimeve, hartuesit e draftit u shprehën se grupet e interesit kanë qenë të përfaqësuar nga z. Sinan Tafaj, President i Shoqatës së të Verbërve, si konsulent juridik. Sipas burimeve konfidenciale, pagesa e dy ekspertëve që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij projektligji, nuk ka shkuar më shumë se 5 mijë euro, 1 mijë euro mund të kenë shkuar për organizimin e eventit (prezantimi i draftit dhe kokteili), po shtojmë dhe 10 mijë euro shpenzime operative (takime me grupet e interesit jashtë Tiranës) dhe në total ky draft mund të ketë shkuar rreth 20 mijë euro. Po pjesa tjetër, prej 800 mijë eurosh ku ka shkuar? A ka shkuar ajo në favor të personave me aftësi të kufizuar?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje dhe për t’i shkuar deri në fund këtij investigimi, gazeta “Telegraf” në numrat e ardhshëm do të vijë me fakte dhe zëra konkret.



















