Kthimi në atdhe makth për emigrantët shqiptarë, Kapshtica e heshtur

612
Sigal

Emigrantët mund të ishin ndihmuar nga ndihmat ushqimore të bashkive

Nga Vepror Hasani

Dy ditë më parë në Pikën e Kalimit kufitar të Kapshticës mbërriti vetëm një emigrant, ndërsa nga ajo e Qafë-Thanës asnjë. Numri i emigrantëve shqiptarë të ardhur nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera fqinje, nisi të bëhej më i vogël që nga dita kur 37 emigrantët e bllokuar në Kapshticë u karantinuan në një nga hotelet e qytetit të Korçës në kodrat e qytetit. Ndodhi kështu sepse ata që ishin ende në vendet ku kishin emigruar, morën vesh peripecitë e përjetuara nga bashkatdhetarët e tyre në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, bllokimin e tyre për disa ditë me radhë, qendrimin në qiell të hapur nën rreshjet e shiut dhe të dëborës, pa patur ngrohje dhe pa ushqim. Për shkak të pandemisë Covid -19, nga autoritet shqiptare u paralajmërua mos-hyrja në Shqipëri e emigrantëve shqiptarë, pasi në të kundërt do të ktheheshin sërish prapa. Të gjendur në këto kushte, një grup prej 18 vetash, hoqi dorë nga hyrja në Shqipëri, duke u kthyer sërish në Greqi. Veç sa më sipër, fill pas karantinimit të grupit të parë të emigrantëve prej 35 vetash, u mësua se përgjatë 14-ditëve të karantinës do të ishin nën këqyrjen e policisë, ndërsa akomodimin dhe ushqimin duhej ta paguanin vetë. Fatmirësisht shpenzimet e këtij grupi u morën përsipër nga Këshilli Koordinativ i Diasporës Shqiptare, ndërsa për të tjerët nuk pati donatorë, përveç emigrantëve që u akomoduan në qytetin e Pogradecit, ku Bashkia e këtij qyteti, bizneset dhe qytetërët u treguan të gatshëm të ndihmonin për ushqimin e tyre dhe për ata që kishin vështirësi financiare.

 

Akomodim pa ushqim

 

Historia e moslejimit të emigrantëve për të hyrë në Shqipëri nisi të premten e 3 prillit për të vijuar deri më 11 prill kur u karantinuan 35 emigrantët e parë. Pas tyre mbërritën emigrantë të tjerë  nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, por tashmë gjithë emigrantët rezidentë në Shqipëri që do të vinin nga vendet e emigrimit duhej t’i përgjigjeshin karantinimit 14-ditor dhe pagesës së hotelit.  Për këtë arsye, pakënaqësitë e emigrantëve u shfaqën që në ditët e para të  karantinimit, pasi nuk e shihnin të arsyeshme pagesën për akomodim dhe ushqim, kur karantinimin mund ta kryenin pranë familjeve të tyre. Për emigrantët, pagesa e 14-ditëve të karantinimit ishin lekë të humbura, sepse ata kishin patur leje qendrimi në Greqi vetëm për 90 ditë, dhe jo çdo ditë kishin patur punë, ndërsa familja në Shqipëri priste lekët e tyre sepse nuk kishin të ardhura të tjera. Të gjendur në këto kushte, pa mundësi financiare, emigrantët shqiptarë të ardhur në Shqipëri dhe të sistemuar në 3 hotele të qytetit të Korçës dhe në një hotel të qytetit të Pogradecit, hoqën dorë nga ushqimi i hotelit, duke e sigurar vetë bukën nëpërmjet personelit të shërbimit. Ushqimi i tyre i katandis në bukë dhe djathë, bukë dhe qumësht pluhur. Mësohet gjithashtu se ka edhe nga ata emigrantë që nuk kanë mundësi të paguajnë as akomodimin. Çfarë do të ndodhë me ta në përfundim të karantinës do të mësohet ditën që duhet të lënë hotelin

Rrallohet ardhja e emigrantëve

Për të gjitha arsyet e mësipërme, ardhja e emigrantëve u rallua, ndërsa numri i të ardhurve po bëhet më i vogël. Siç e thamë edhe në hyrje të këtij shkrimi, sipas burimeve të Policisë së Kufirit dhe Emigracionit, dy ditë më parë, më 19 prill, gjatë 24 orëve të fundit në Pikën Kufitare të Kapshticës mbërriti vetëm një emigrant, kurse në atë të Qafë Thanës, asnjë.  Shumëkush preferon që lekët e mbledhura në greqi të mos i shpenzojë për karantinim, por për familjen, të cilët gjithnjë presin t’u dërgohen të holla nga Greqia. Aktualisht numri i të akomoduarëve në qytetin e Korçës është mbi 100, ndërsa në Pogradec rreth 70 veta.

Mëngjesin e së martës përfunduan karantinimin 35 emigrantët e parë të akomoduar në qytetin e Korçës; 26 prej tyre udhëtuan drejt vendbanimeve me 2 autobuzë, kurse 9 të tjerë me automjetet e të afërmëve, të cilët ishin pajisur me autorizimin përkatës; ditë më pas grupe të tjera emigrantësh do të lënë Korçën dhe Pogradecit, njëri pas tjetrit. Deri më tani asnjë prej emigrantëve të karantinuar nuk ka rezultuar i prekur nga virusi corona.