Kryqëzata ndaj lagjeve të myslimanëve nga dyshja Peleshi – Filo

565
Gjatë gjithë mandatit të tij, Peleshi nuk bëri gjë tjetër veçse e përqëndroi vëmendjen e tij dhe investimet në lagjet e “Varoshit” të cilat janë të banuara kryesisht nga ortodoksët. Madje gjithnjë e më shumë po përflitet se këto lagje (të myslimanëve) janë “betuar” të mos votojnë për mikun e Peleshit, pasi edhe Filoja nuk është gjë tjetër veçse një shëmbëlltyrë e tij.
Vepror Hasani
KORÇË- Kandidati për kryetar bashkie i Partisë Socialiste në Korçë, Sotiraq Filo, nuk nguroi të kritikonte ish-shefin e tij, Niko Peleshi, për mungesë investimesh në disa lagje. Kritikat e tij u bënë të njohura gjatë një takimi që pati me banorët e lagjes nr. 14. Sigurisht ai nuk e përmendi emrin e z. Peleshi, por duke iu drejtuar banorëve tha se në këtë lagje kishte patur mungesë investimesh prej vitesh. Deklarata e tij la pa fjalë gjithë njerëzit e atij takimi, pasi që nga viti 2007 e në vijim në krye të Bashkisë Korçë ishte Niko Peleshi. Pra ai po sulmonte ish-shefin e tij. Nëse do t’i përmbahej kësaj logjike ai duhet të kritikonte edhe vetveten, pasi gjatë kësaj periudhë ka patur rolin e nënkryetarit dhe prej një viti e gjysmë postin e kryetarit të bashkisë. Megjithatë duhet nënvizuar fakti se pohimi i Filos ishtë tërësisht i vërtetë. Madje vetë pjesëmarrja e ulët në takim e tregonte më se mirë këtë gjë. Banorët e lagjes 14-të e të tjera si ajo që gjenden në atë zonë prej vitesh vuajnë zhgënjimin që nuk merr fund asnjëherë. Gjithë kandidatët për kryetar bashkie që shkonin në këto lagje, nuk bënin gjë tjetër veçse përsërisnin vazhdimisht të njëjtin refren: “Në këtë lagje ka patur mungesë investimesh prej vitesh”. Të njëjtën gjë po bënte edhe Sotiraq Filo, madje po i gacmonte te “plaga e vjetër” që dhimbte dhe nuk kishte gjetur shërim gjatë 25 viteve. Për këtë arsye, pjesëmarrësit më së shumti dëgjonin në heshtje me mosbesim, pasi sërish ishin të bindur se edhe kësaj radhe do të ndodhte si gjithnjë, gjë që u përfol gjerësisht pas takimit.
Lagjet e harruara
Në pamundësi për të gjetur fjalë të tjera, Sotiraq Filo, tha atë që ndoshta nuk dëshironte ta thoshte, por edhe mungesën e investimeve nuk kishte si ta fshihte apo ta anashkalonte, sepse gjithçka ishte ashiqare dhe nuk mund të futej në thes. Për t’i shpëtuar gjykimit të njerëzve që kishin ardhur në takim, Filos i kishte mbetur vetëm një rrugë: të sulmonte ish-shefin e të shpëtonte veten, sepse në fund të fundit do të jetë ai që do të përballet me zgjedhësit, por edhe duke shpresuar, ndoshta, se thëniet e tij nuk do të binin në vesh të Peleshit. Megjithatë, edhe me këto fjalë, Filoja deshi të fshihte diçka tjetër, atë që prej kohësh “vlon”: lagjet ku nuk ka patur investime për 25 vjet me radhë dhe aq më tepër që nga ardhja në krye të Bashkisë e Peleshit dhe e Filos, banohen kryesisht nga myslimanët. Gjatë gjithë mandatit të tij, Peleshi nuk bëri gjë tjetër veçse e përqëndroi vëmendjen e tij dhe investimet në lagjet e “Varoshit” të cilat janë të banuara kryesisht nga ortodoksët. Madje gjithnjë e më shumë po përflitet se këto lagje (të myslimanëve) janë “betuar” të mos votojnë për mikun e Peleshit, pasi edhe Filoja nuk është gjë tjetër veçse një shëmbëlltyrë e tij. I frikësuar nga ato që thuhen me zë e nën zë, Filoja deshi të artikulonte diçka shpresëdhënëse, por siç e kemi vënë në dukje edhe më parë, ai ka vështirësi në artikulimin e ideve në atë mënyrë që të ngjallin besim; ndoshta kandidimi i Rektorit të Universitetit “Fan S. Noli”, profesor Gjergji Mero e ka shokuar.
Mentaliteti i dasive
Sigurisht edhe ata pak njerëz që morën pjesë në takim i kërkuan të kryheshin investime, që edhe këto lagje më në fund të ndërronin pamje, gjë që Filoja ua premtoi duke i siguruar se do t’i bënte realitet, madje do të investonte edhe në fasadat e pallateve, por megjithatë pjesëmarrësit e gënjyer e të zhgënjyer mandat pas mandati, sërish dëgjonin jo me shumë besim. Dyshimi i tyre ishte i arsyeshëm, pasi edhe kur në lagjet e “Varoshit” u shtruan me kalldrëm të gjitha rrugët, rrugicat, çdo qoshkë e cep, përsëri nuk u kalua me investime në lagjet që ndodhen matanë lumit, (kur lumi ekzistonte), por nisën sërish të investonin përtej “Varoshit”, përtej parkut “Rinia” në afërsi të Dishnicës vetëm e vetëm të mos investohej në lagjet për të cilat folëm më sipër. Duket se mentaliteti i dasive është i rrënjosur keqas në mendjen e Filos dhe Peleshit. Sot, pas 25 vjetësh shumë të moshuar kanë vdekur dhe nuk arritën të shihnin investime në lagjet e tyre e t’i gëzoheshin demokracisë për të cilën kishin votuar e pritur me shpresë për një jetë më të mirë. Dasia bie në sy aq më tepër, kur numri i myslimanëve të punësuarve në Bashki është tejet minimal. Edhe kjo gjë e frikson Filon. Vërtetë pati kurajon të thotë se prej vitesh nuk ka patur investime, por sërish nuk ka guximin të thotë se në rast fitoreje, rapori i të punësuarve në bashki do të jetë i barabartë.
I pandryshueshëm
E sigurtë, ai nuk mund ta artikulojë një premtim të tillë, sepse e ka të pamundur. Filo nuk mund të ndryshojë dot. Edhe në një takim që pati me banorët e fshatit Ravonik, e vetmja gjë e tij që mbahet mend, ishte nënvizimi i tij, për t’u thënë banorëve se ai ishte aty pasi banorët e këtij fshati njiheshin si socialistë, duke lënë kështu të fyer gjithë pjesën tjetër që njihen si të djathtë. Dhe këtë deklaratë Filo e bëri me zë të lartë, kur ai e di shumë mirë se të gjitha komunat e deritanishme që do t’i bashkohen Korçës janë fituar nga e djathta, përveç Voskopit. Madje ai e di gjithshëtu shumë mirë se vetëm votat plus që ka marrë e djathta në këto komuna mjaftojnë për një humbje spektakolare. Gjithsesi, nga sa shihet ai do të vijojë të bëjë artikulime të tilla, përsa kohë do të ndihet i shokuar nga kandidimi i profesorit Mero.
Sigal