Kryetari i Shoqatës Prof. Ago Nezha: Në 25 vjet Shoqata Labëria, ka qenë promotor i veprimtarive patriotike

523
Sigal

Të shtunën,
ora 11-00, në Muzeun Historik Kombëtar, Shoqata Patriotike Atdhetare “Labëria”,
festoi 25-vjetorin e krijimit

 

Kam privilegjin dhe kënaqësinë që në emër
të Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria, “Nderi i Kombit”, të përshëndes Festën
tradicionale të Shoqatës çdo fund viti. Puna e Shoqatës sonë përcjell në breza
paqe dhe dashuri, por që sot ka një veçanti, pasi në këtë ditë të shënuar, bën bilancin
e 25 vjetëve.  Historia shekullore e një
kombi, e merr shkëlqimin e tij nga ngjarje madhore, që e bëjnë krenar para vetes
dhe të tjerëve. Por ajo që na bën krenar në sytë e botës, është lufta heroike e
një populli të vogël e të varfër para perandorive dhe shteteve të mëdha e të
fuqishëm. Krahina e Labërisë, ka qenë jo thjeshtë pjesëmarrëse, por lider dhe aktorja
kryesore në të gjitha luftërat e Kombit tonë, për liri, pavarësi dhe
prosperitet shoqëror. E në këtë kuadër, Drashovica e përfshirë në të gjitha luftërat
që janë zhvilluar në Labëri, është një meteor, që ndriçon në kostelacionin e
ngjarjeve të pashlyeshme në kujtesën e popullit tonë. Realitetet e heroizmit të
luftërave të Labërisë, kundër pushtuesve nazi- fashist, duke hedhur gunën mbi
tela me gjemba dhe me heroizëm të pa shoq bënë që ti zënë armikut topat nga
gryka, janë veprime që sot ngjajnë si legjenda epike. Drashovica ka qenë djepi
i luftërave për liri e pavarësi, ku janë kryqëzuar shumë beteja të përgjakshme
me rëndësi historike. Ajo, ka qenë nyje e koordinimit të aksioneve luftarake
ndaj një armiku të fuqishëm pakrahasimisht, jo vetëm numerikisht, por edhe nga
municionet e armatimi modern që dispononin. Ndërsa luftëtarët tanë, që zbritën
nga malet duke braktisur kopetë e bagëtive, lanë të korrat arave, për armë
kishin kërrabën dhe parmendën, që i kthyen në pushkë dhe me heroizmin e idealin
e tyre, arritën ta  mundin armikun duke i
marrë municionet, që i përdorën për të vazhduar luftën fitimtare ndaj
pushtuesve. Një shembull që rrallëkush në botë mund ta demonstronte. Në luftërat
ndaj pushtuesve, te labët  janë mishëruar
cilësitë më përfaqësuese të shqiptarit, si patriotizmi, trimëria, guximi,
besnikëria, deri te akti më sublim për atdheun, duke sakrifikuar edhe jetën. Lufta
e ’20-ës ndaj Italisë, ishte një epope jo pak e lavdishme. Aty, nga mbarë Labëria
dhe  Shqipëria, u tregua një solidaritet
dhe heroizëm i pashoq. Në këtë luftë u përfshinë nga gjithë vendi, pa dallime
krahinore, klasore, ideore dhe fetare. Shembulli më unikal është pjesëmarrja në
këtë luftë e një nga korifenjve të letrave shqipe At Shtjefën Gjeçovi, që ishte
ipeshkëv në Elbasan. Prej aty shkoi e luftoi në Vlorë kundër pushtuesve italianë,
ku evidentoi disa veti themelore të Labërisë. Ai, i shkruante Kryepeshkopit të
Shkodrës se: “Kur të vij në Shkodër, do ju bëj të flisni labçe, se Vlonjati për
lirinë e vendit, fal fëmijën, jep pasurinë dhe djeg shtëpinë. Monumentet madhështore
që janë ngritur në Labëri, tregojnë se në këtë stacion të heroizmit, labët janë
përgjakur në shumë luftëra, si ajo e 1920-ës, Nacional-Çlirimtarja etj, por nuk
janë përgjunjur,  janë kërcënuar nga
pushtuesit, por nuk janë frikësuar e nënshtruar, edhe pse kanë qenë të varfër,
s’kanë qenë kurrë lypsa. E këto cilësi të rralla të genit lab, i kanë manifestuar
dukshëm, në të gjitha rrjedhat e historisë drashoviçiotët. Labët i ka bashkuar
historikisht lufta ndaj pushtuesit dhe kënga gjatë ceremonive të gëzueshme. Po
të dëgjosh vargjet e këngëve polifonike do gjesh në përmbajtjen e tyre
historinë e luftërave dhe luftëtarëve që përjetësojnë epope të lavdishme të
popullit tonë në shekuj. Në një mënyrë origjinale ajo është një histori e
transmetuar në breza, që edhe pse e pa shkruar i ka rezistuar kohës dhe ka
ardhur deri në ditët tona nëpërmjet grupeve polifonike të krahinave të ndryshme
të Labërisë.  

Lindja e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”

Për krijimin e shoqatës “Labëria” nga mezi i vitit 1991 u krijua një Grup
Nismëtar. Ndër aktivistët më aktivë ishin intelektualët labë si Agim Shehu,
Nimet Balili, Ibrahim Gani, Guro Zeneli, Pandeli Koçi, Bardhosh Gaçe, Ismet
Elezi me banim në Tiranë dhe të tjerë me banim në qytete të ndryshme të Trevës
së Labërisë. Krahas disa takimeve me labët në Tiranë, nismëtarët bënë të tilla
edhe në qytetin e Gjirokastrës dhe të Vlorës me pjesëmarrje nga gjithë treva
labe. Përmes debateve të shumta, rezervave të natyrshme e deri diku edhe
qëndrimeve të kundërta
, u arrit në një mendim të përbashkët për nevojën e
themelimit të shoqatës “Labëria.”

Mbi këtë bazë, Grupi
Nismëtar përgatiti përfundimisht projekt-programin e statutin e shoqatës dhe i
miratoi ato në mbledhjen e vet të datës 25 Tetor 1991. Pas miratimit dokumentet
u përcollën për zyrtarizimim pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
të asaj kohe. Ministri i kohës, Preç Zogaj, më 12 Dhjetor 1991, nxori urdhrin
përkatës
me nr. 63 që konfirmonte
krijimin e shoqatës “Labëria”. Mbledhja e parë për krijimin e Degës së Tiranës
u bë në fillim të muajit Dhjetor 1992. Kryetar i parë i Degës u zgjodh Prof.
Dr. Ismet Elezi. Në kryesi u zgjodhën 30 vetë që përfaqësonin të gjitha trevat
e Labërisë.

Kuvendi i Parë

Për
thirrjen e mbajtjen e
Kuvendit të Parë të Përgjithshëm të shoqatës
“Labëria”, Dega e Tiranës zgjodhi dy veta në përfaqësinë e
Kuvendit, Halil Qëndro dhe Xhafer
Peçi, ndërsa në përfaqësi u autorizuan të merrnin pjesë dhe pjesëtarë të grupit
nismëtar të vitit 1991; Agim
Shehu, Nimet Balili, Ibrahim Gani, Guro Zeneli
dhe Halo Abazi.Grupi Organizatorët vendosën që
Kuvendi të mbahej në Tiranë, në fillim të
muajit Qershor. Në
mënyrë simbolike u caktua
data 5 Qershor, që përkonte
me përvjetorin
e fillimit të Luftës së Vlorës të vitit 1920.
Më 5 Qershor 1998, u mbajt Kuvendi i Parë i Shoqatës
“Labëria”. Hapja e Kuvendit të parë u bë një nga themeluesit e shoqatës
“Labëria” Ibrahim Gani dhe raportin e Shoqatës “Labëria” e mbajti Nimet Balili.
Kuvendi analizoi punën e bërë dhe hodhi vështrimin
përpara, mbështetur mbi gjithçka që bashkon, përcaktoi rrugën që do të ndiqte
shoqata në të ardhmen dhe zgjodhi organet e reja drejtuese të shoqatës,
me kryetar shkrimtarin e njohur lab
Halil
Qëndro dhe sekretar të
përgjithshëm Xhemil Çeli.
Kryerdaktor
i gazetës “Labëria” u caktua Pullumb Tare.
Kuvendi zgjodhi dhe Kryetarin e nderit të shoqatës ku, u
vendos njëzëri
Kryetar nderi të zgjidhej Akademik Rexhep Qosja, personalitet i shquar i
çështjes kombëtare.

 

https://ssl.gstatic.com/ui/v1/icons/mail/images/cleardot.gif