Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti një delegacion të Komisionit të Ligjeve dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Bundestagut gjerman, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit, z. Stephan Brandner. Delegacioni gjerman zhvillon një vizitë pune në Shqipëri me ftesë të Komisionit të Ligjeve të Kuvendit. Në takim ishin të pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe Kryetar i grupit të miqësisë me Gjermnainë, z. Taulant Balla, dhe Kryetari i Komisionit të Ligjeve, z. Ulsi Manja.

“Gjermania është një vend mik dhe partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë, ndër vendet udhëheqëse të Europës, lokomotiva e ekonomisë dhe e politikave të saj realiste dhe progresiste. Ne vlerësojmë rolin e Gjermanisë si një partner strategjik, burim lidershipi dhe nxitëse e proceseve integruese në Ballkan, edhe në kuadër të Procesit të Berlinit”, theksoi Kryetari i Kuvendit.  Ai e njohu mikun gjerman me rezultatet më të fundit në procesin e reformave të Shqipërisë, me fokus integrimin ne BE: kurorëzimin e hapjes së negociatave në qershor 2019; reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore.

Kuvendi ka ngritur mekanizmat për ushtrimin e përgjegjësive të tij, si Komisioni i Integrimit Europian, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian dhe Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit.  Kuvendi ka miratuar Planin e Veprimit dhe ndjek has pas hapi realizimin e tij.  Në 22 korrik 2016, Kuvendi miratoi unanimisht ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë reformës. Shtyllat kryesore të reformës janë: vettingu, lufta kundër korrupsionit dhe ngritja e institucioneve të reja të pavarura për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe hetimin e akuzave për funksionarë të lartë publikë. Kuvendi ka miratuar 7 ligjet prioritare që shoqërojnë amendimet Kushtetuese, përfshirë ligjin për vetting-un, dhe në total ka miratuar 17 nga 27 projektligjet e reformës në drejtësi.

Në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore, Kryetari i Kuvendit Ruçi nënvizoi se komisioni ka përgatitur projektin e reformës, por për këtë kërkohet që partitë të afrohen në  qëndrimet e njera-tjetrës. Maxhoranca deklaruar se është gati të pranojë cilindo variant të reformës, të propozuar nga opozita, me kusht që opozita të bëhet pjesë e procesit.

“Shqipëria është një partner i rëndësishëm i Gjermanisë, nënvizoi Kryetari i Komisonit të Ligjeve, z. Brandner. Këtë e tregon edhe fakti që e para vizitë jashtë vendit e Komisionit të Ligjeve të Bundestagut realizohet në Shqipëri”.

Në përgjigje të interesimit të deputetevë gjermanë mbi ecurinë e procesit të integrimit, reformën në drejtësi, pastërtinë e figurës së deputetit, procesin e vetingut dhe reformën zgjedhore, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi nënvizoi se deputetet e Kuvendit të Shqipërisë deklarojnë në institucionet përkatëse të ardhurat e tyre si edhe i nënshtrohen kërkesave e standarteve  të ligjit për integritetin e figurës së të zgjedhurve. “Shqipëria ka aktualisht një kuadër të plotë ligjor dhe institucional për vetingun e politikanëve. Megjithatë, Kuvendi e ka konsideruar dhe po organizon disa seanca dëgjimore për projektligjijn e propozuar nga opozita për vetingun e politikanëve dhe ia kemi përcjellë për mendim Komisionit tyë Venecias.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit Ruçi.

Kuvendi ka plotësuar të gjitha nevojat që kanë paraqitur institucionet e vetingut për mbështetje financiare, administrative dhe me burime njerëzore. Vetë Kuvendi ka qëndruar jashtë procesit të vetingut, por u ka kërkuar institucioneve të tij që të shqyrtojnë në mënyrë prioritare subjektet që janë kandidatura për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Synojmë që ky proces të përfundojë brenda këtij sesioni parlamentar. Ndërsa për të përjashtuarit nga procesi i veingut, ligji vendosi që ata, për sa kohë janë të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë,  të përjashtohen edhe nga e drejta e ushtrimit të profesionit të avokatit.

Shqipëria mbetet e përkushtuar të punojë ngushtësisht me Gjermaninë, në mënyrë që të arrijmë progres të mëtejshëm në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe gjithashtu që të trajtojmë probleme specifike si aplikimet e pabaza për azil të shtetasve shqiptarë, trafiqet e paligjshme të të gjithë llojeve, etj. Kuvendi dhe Qeveria janë maksimalisht të angazhuar për të kurorëzuar me sukses procesin e hapjes së negociatave në qershor 2019.