Kryetari i Bashkisë Tiranë, alias Lali Eri, “qejfli”i ndërtimeve pa leje

835
Kryetari i Bashkisë Tiranë, alias Lali Eri, “qejfli”i ndërtimeve pa leje dhe zhdukjes, devijimit apo ngushtimit të rrugëve publike të makinave

1. Në rrugën Myslym Shyri, ngjitur me një ndërtese që është pranë një karburanti, prej ndoshta 15 vjetësh apo më shumë ishte një ndërtesë me vetëm skelet betonarme, me kolona, trarë dhe soleta betoni dhe ndonjë mur tulle. Thuhej se ishte ndërtuar pa leje. Kishte ngushtuar rrugën publike duke mbetur vetëm një korsi makine dhe një trotuar më pak se një metër gjerësi nga ana e kësaj ndërtese. Kur papritur, një ditë gdhihet me një tabelë leje ndërtimi rikonstruksion hoteli pa ndryshim destinacioni kur aty nuk kishte asnjë lloj ndërtese të përfunduar apo aq më pak hotel. Nuk kuptohet gjë, a mund të na shpjegojë Lali Eri se si e ka dhënë këtë leje ndërtimi, ndoshta pas ndonjë leje legalizimi? Tani e kanë mbuluar prej disa ditësh me rrjetë jo transparente të bardhë objektin që të mos kuptohet se aty nuk ka pasur objekt të përfunduar, po thjesht një skelet betonarmeje. Se edhe leje ndërtimi të kishte pasur ky objekt (gjë që është e pamundur) ajo leje nuk do të ishte më në fuqi. Po kështu, a mund të na thotë Lali Eri se me çfarë arsyetimi apo të drejte i heq zonës të drejtën që të dalë me rrugë me dy korsi për makina (një për hyrje, një për dalje apo një kalim dhe një parkim) duke e lënë me një rrugë të ngushtë me një korsi për një makinë? Po parkingu i këtij hoteli si do zgjidhet nesër?
2. Tregu Çam, rruga “Reshit Çollaku”, ndërtesë e shëmtuar dhe gjigante njësoj si ajo e para me 9 kate prej më se dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh vetëm me skelet betonarme, kolona, trarë, soleta e papërfunduar, që shëmton perëndimin e Tiranës dhe duket nga sheshi “Skënderbej” apo rruga “Luigj Gurakuqi” e “Hoxha Tahsim”, që me siguri ka qenë ndërtuar pa leje, një ditë të bukur gdhihet me tabelë me një fasadë të shëmtuar që shfaqet në tabelë si ato të ndërtimeve neoklasike që gjen kryesisht në ndërtimet pa leje ku shkruhet leje….. “rikonstruksion pa ndryshim funksioni. Godinë ekzistuese 10 kat, leje …18.09.2017”. Kjo ndërtesë bashkë me atë ngjitur me të që nuk dihet, në është ndërtuar me leje apo pa leje, kanë dalë 5-6 metra apo më shumë përpara vijës së ndërtimit, fasadës së dy pallateve 5-katëshe me tulla të kuqe të kohës së Enverit që janë para dhe pas tyre. Po kështu me siguri në vitin 2013 apo 2014 kur po bëheshin apo u miratuan ndryshimet nga PS në Parlament në ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, aty u punua me siguri pa leje duke shtuar edhe një kat me beton dhe pas disa ditësh u ndaluan punimet. Si ka mundësi që Lali Eri të ketë dhënë një leje të tillë ndërtimi të një objekti të shëmtuar që duket nga sheshi “Skënderbej” dhe rrugët kryesore të Tiranës e zë perëndimin e bukur të Tiranës? Mos vallë ka marrë leje legalizimi dhe pastaj Lali Eri i ka dhënë ok, të mbarojë punimet dhe të shtojë kate??? Presim përgjigjen e Lali Erit.
3. Për dy ndërtimet e mësipërme, nëse kanë qenë më parë me leje ndërtimi a mund të na thotë Lali Eri, nëse ka zbatuar apo jo nenin 40 të ligjit nr. 107/2014, 31.7.2014, të ndryshuar ” Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i cili në pikën 3 thotë ” shtyrja e afatit të përfundimit të punimeve bëhet vetëm një herë, për një periudhë, jo më të gjatë se afati fillestar i përcaktuar në lejen e ndërtimit, mbi bazën e një kërkese të dorëzuar brenda afatit të vlefshmërisë së lejes dhe në çdo rast, jo më vonë se 45 ditë përpara përfundimit të afatit të lejes. Apo pikën 6 “për punimet e filluara prej më shumë se dhjetë vjetësh dhe ende të papërfunduara, sipas projektit të miratuar, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejes së ndërtimit përcakton mënyrën e ndërtimit të detyruar ose vendos prishjen apo konfiskimin e ndërtimit”.
Po këtë pikën 5, a thua do ta zbatojë Lali Eri për ndërtimin shumë-katëshes së papërfunduar prej 12 vjetësh të ish-kinema Republika, i projektuar nga Studio Franceze për të cilën thonë që as nuk jepet me qira dhe as nuk shitet asnjë pjesë. Nuk e besoj se do veprojë Lali Eri në zbatim të ligjit këtu!
4. Tendë me llamarina dhe kolona çeliku në fasadën e Ministrisë së ndërtimit apo si quhet sot….: Skandal. Mos ta ketë parë Lali Eri kaq pranë me Bashkinë apo e ka lejuar vetë? Moj kasolle ku na mblodhe!
5. Hotel Tirana Internacional. Shtoi katin e tretë me dhomë dhe komplet verandë me strehë dhe kolona në kohën kur Lali Eri po merrte detyrën, mban dasma me këngë popullore që gjëmon sheshi “Skënderbej”, bëhet sheshi i ri i Lali Erit dhe atij i jepet të bëjë strehë betoni me kolona në katin përdhe që nuk ka të bëjë dhe nuk shkon fare me Arkitekturën e Hotelit, i jepet e drejtë dhe bën banak skandaloz atje ku ishte një verandë rreth 1.5 -2 m në anë të hotelit përballë Muzeut, vendos tavolina dhe karrige në shesh që ishte më parë trotuar dhe rrugë publike dhe fut makina dhe deri autobus me semafor në sheshin e ri të Lali Erit, në zonë këmbësore deri para derës së Hotelit. Por kjo nuk mjafton, bën edhe ashensor në ballë të hotelit në anë të derës kryesore që ata që do vijnë për dasmat në katin e tretë, të shtuar me siguri pa leje ndërtimi dhe skandaloz, të mos futen nga shkallët dhe ashensori ku futen milionerët dhe kongresmenet. por nga ashensori i veçantë. Skandal i vërtetë, shëmtirë e vërtetë. Moj kasolle ku na mblodhe dhe bir Selman i nënës çfarë të të qaj më parë!
6. Thuhet se vazhdoi të ndërtohet në kohën që Lali Eri filloi ushtrimin e detyrës shtesa 4 kate me gjatësi 20-30 metra në krahun e djathtë të Hotel Rogner pa asnjë tabelë apo pa asnjë leje. Le të na thotë Lali Eri se si ka qenë kjo histori.
Sigal