Kryesindikalisti kërkon Kinoklubin në Bulqizë, minatorët i kujtojnë hallet e tyre

902
Sigal

KONFLIKTI/ Ka përfunduar me përdorimin e forcës takimi midis kryebashkiakut dhe kreut të Konfederatës, Kol Nikollaj

nga Luan QAFOKU

Para dy ditësh ka ndodhur një konflikt midis kryetarit të Bashkisë së Bulqizës, z.Myfit Duriçi dhe kryetarit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, z.Kol Nikollaj. Shkak i këtij konflikti ka qenë pretendimi i z.Nikollaj se Kinoklubi i qytetit të Bulqizës është pronë e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë dhe së bashku me avokatin e tij kanë pasur në dorë një proces gjyqësor të fituar që në vitin 1995. Ndërsa nga ana tjetër Bashkia e Bulqizës zotëron një vendim të Këshillit të Ministrave, ku thuhet se Pallati i Kulturës (Kinoklubi) është pronë e bashkisë, ky është një vendim i vitit 2009. Duke mos gjetur një rrugë të mesme për pretendimet, midis palëve është tensionuar situata dhe ka nisur konflikti, ku u arrit deri në përdorimin e forcës. Sipas dëshmitarëve, të pranishëm në këtë takim, bëhet e ditur se kryetari i Konfederatës së Sindikatave, z.Kol Nikollaj i tensionuar ka thyer derën e bibliotekës së qytetit të Bulqizës, një veprim, i cili nuk respekton figurën e tij. Madje disa minatorë i kërkuan kreut të konfederatës që ka edhe kontratat kolektive dhe individuale me minatorët, që të ndërhynte për të rikthyer në punë katër minatorët që kanë katër muaj që janë pushuar nga puna, mirëpo kryesindikalisti i anashkaloi këto probleme duke mos respektuar verdiktin e minatorëve, edhe pse janë këta minatorë që e kanë bërë z.Nikollaj figurë qendrore. Roli i sindikatës është që t’i shërbej punëtorëve dhe jo t’i shërbej pronave të sindikatës, siç pretendon kryetari. Madje për shkak të problemeve që ka midis dy palëve (sindikatë-minatorë), për këtë vit, asnjë nga minatorët nuk kanë shkuar në plazh me pushime në shtëpitë e pushimit që disponon kjo sindikatë. Sipas minatorëve si sindikata e pavarur ashtu edhe konfederata nuk po i mbrojnë ashtu siç duhet minatorët, për të mos thënë që nuk po i mbrojnë fare. Në një kohë kur faktet tregojnë se katër minatorët e larguar nga puna po vuajnë në varfëri të tejskajshme, në një kohë që të gjithë kanë së paku 30 vjet eksperiencë pune në minierë, e ndërsa kryesindikalisti në vend që t’i ndihmojë e të negocioi me firmën për t’i rikthyer në punë merret me problemet e pronave.

Kërkesa

Kështu njëzëri disa minatorë të minierës së Bulqizës i bëjnë apel Qeverisë dhe Kryeministrit Rama që të verifikohen të gjitha të ardhurat që kanë këto dy sindikata gjakpirëse për punëtorët dhe gjithashtu të kontrollohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit Shqiptarë, sepse aty do të zbulohen shumë shkelje dhe abuzime të ndryshme.