Kryepeshkopi Anastas: Rezistencë ndaj pandemisë

343
Vëllezërit dhe motrat e mi të shtrenjtë,
Në këtë kohë, të gjithë jemi zënë në befasi, njësoj sikur të jetë shpallur një
Luftë Botërore e re nga një armik i padukshëm.
Të gjithë, po qëndrojmë të pavendosur para ndryshimeve të
paparashikueshme, që kjo pandemi (COVID-19) e paparë ndonjëherë ka sjellë në
jetën e të pasurve dhe të varfërve, të njerëzve të shkolluar dhe të thjeshtë, në
shëndetin e tyre, në ekonomi, në lëvizjen e njerëzve, në format e argëtimit, në
mënyrën se si festojmë.
Është detyra jonë që të shmangim panikun, depresionin dhe dëshpërimin. Nga
ne kërkohet gjakftohtësi, kthjelltësi, vëmendje dhe bindje e shtuar ndaj udhëzimeve
të Qeverisë dhe të strukturave të shëndetësisë. Duhet të falënderojmë përzemërsisht
të gjithë ata që përkujdesen për pastërtinë, rendin publik, informimin dhe mbi të
gjitha mjekët dhe infiermierët, të cilët ndodhen në linjën e parë të luftës për
shërimin e të sëmurëve.
Duke qëndruar brenda në shtëpi, le të mos lejojmë të na pushtojë nervozizmi
dhe grindjet, por le të kultivojmë kreativitetin, predispozitën paqësore, mirësinë,
mirëkuptimin, dhembshurinë dhe dashurinë.
Sa jemi besimtarë, le ta intensifikojmë lutjen tonë, që kjo periudhë sprove të
mos zgjatë më tej, që të shërohen të sëmurët rëndë e të ndalet përhapja e
mëtejshme e pandemisë (COVID-19). Dhe, për më tepër, që Perëndia të ndriçojë
grupet e shkencëtarëve dhe të gjendet sa më shpejt trajtimi parandalues dhe shërues
ndaj këtij virusi.
Mbi të gjitha, kemi nevojë urgjente që të forcojmë besimin tonë te Perëndia.
Besimi dhe dashuria janë armët më të fuqishme mbrojtëse edhe ndaj sulmit të këtij
virusi të padukshëm që po kërcënon njerëzimin. Në fund fare, diçka e mirë ka për
të dalë edhe nga kjo krizë dhe shpresojmë që shoqëria njerëzore t’i rishikojë vlerat
dhe përparësitë e saj.
Pra, vëllezër e motra, le t’i themi Jo tronditjes dhe shqetësimit! Le të kemi më
tepër guxim e fuqi për ta përballuar me dinjitet këtë sprovë, le të tregojmë më
shumë bindje ndaj udhëzimeve dhe mbi të gjitha, le të kemi solidaritet të sinqertë.
Paqja dhe shpresa e Perëndisë le të fuqizojnë durimin dhe rezistencën tonë dhe le
t’i drejtojnë vendimet që duhet të marrim në zgjedhjet dhe ndryshimet që tashmë
janë bërë të detyrueshme në jetën tonë
Sigal