Kryeministri Rama ngushëllon homologun Valls: Krah jush, Francës dhe Lirisë!

588
Kryeministri, Edi Rama, i ka dërguar një letër ngushëllimi homologut të tij francez, Manuel Valls, për ngjarjet terroriste të mbrëmjes së të premtes që goditën Parisin. Duke u solidarizuar me popullin francez, në mënyrë të veçanta me familjet e qindra viktimave dhe të plagosurve, Rama shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare për Francën në betejen për liri. “Franca u godit përsëri në trup dhe në shpirt nga urrejtja e verbër, fanatizmi dhe përçmimi i jetës.Të mbrujtur nga lidhje të shumta miqësie dhe dashurie me vendin tuaj, Shqipëria dhe shqiptarët kudo që ndodhen, bashkëndajnë dhimbjen e kombit francez, syçelët dhe të vetëdijshmen për përmasat e betejës kundër terrorizmit, të cilën sëbashku duhet ta çojmë përpara.Përtej solidaritetit kolektiv dhe individual që Qeveria shqiptare dhe kombi ynë i shprehin popullit francez dhe në veçanti, familjeve që sot janë në zi, dua t’Ju siguroj dhe të dëshmoj, në këto çaste të vështira, për angazhimin e plotë dhe mbështetjen e padiskutueshme të Shqipërisë, krah jush, krah Francës, krah Lirisë.Duke i përcjellë ngushëllimet familjeve dhe të afërmve të viktimave, lutem të pranoni, Zoti Kryeministër, shprehjen e respektit tim më të thellë”.

Rama shpreh bindjen se Franca do të dijë të ripërtërihet në bashkimin e mbarë popullit të saj dhe besnikërinë ndaj vlerave të përbotshëm që i ka lënë trashëgim mbarë njerëzimit. “Franca u përgjak, sepse është dëshmia e gjallë e përpjekjes për qytetërim dhe një shoqëri ndërkombëtare të rrënjosur fort në dinjitetin njerëzor, drejtësinë, sociale dhe të mirën e përbashkët.E tronditur thellë, Franca e gjashtëmbëdhjetë shekujve të historisë së saj madhështore, do të dijë të ripërtërihet në bashkimin e mbarë popullit të saj dhe besnikërinë ndaj vlerave të përbotshëm që i ka lënë trashëgim mbarë njerëzimit dhe për të cilat, me të drejtë duhet të jetë krenare”.




Sigal