Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria dhe Bashkimi Europian ndajnë një objektiv të përbashkët për përmbylljen e procesit të negociatave brenda vitit 2027.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, nën logon “Open Space”, në kuadër të Javës së Europës, ku theksoi rëndësinë historike dhe politike të projektit europian për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Rama nënvizoi se viti 2027 mbetet një objektiv i dakordësuar mes palëve, ndërsa 2030 është përcaktuar si një afat më i gjerë, që lidhet me fazën e ratifikimeve nga shtetet anëtare të BE-së.
“Ndërkohë që, për sa i përket çështjes së 2027-ës, dua ta përsëris që 2027-a është një objektiv i vendosur bashkërisht, por është lënë dhe një hapësirë që gjëja për një arsye apo një tjetër mund të ketë një zgjatje deri nga mesi i 2028-ës. Kështu që, jemi pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale dhe për këtë arsye 2030-a është vendosur si një objektiv madhor, sepse pas negociatave është procesi i ratifikimeve dhe miratimit nga shtetet, kështu që ai kërkon një kohë, por 2027-a është e bëshme dhe është aty e vendosur bashkërisht”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se për çështjet e reformave zgjedhore dhe administrative, proceset po zhvillohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Rama nënvizoi se qeveria mbetet e hapur për dialog dhe konsensus në proceset reformuese, ndërsa theksoi se imponimet dhe ultimatumet nuk janë pjesë e qasjes së saj në tryezat e diskutimit. “Negociatat kanë avancuar me ritëm, kapitujt janë hapur në kohë rekord, marrëdhënia me Bashkimin Europian ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete dhe tani Komisioni Europian dhe vendet anëtare përmes ambasadorëve të tyre janë në një fazë kyçe të procesit ku diskutojnë raportin e Komisionit, i cili nënvizon se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe është e gatshme të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve duke kaluar përmes piketave të ndërmjetme dhe e gjitha kjo nuk ka ardhur rastësisht ka ardhur me punë, ka ardhur me rezultate, ka ardhur nga një proces transformues që vazhdon në çdo sektor”, tha Rama.
Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS: Opozita katastrofë ambulante, vakumi i krijuar prej saj pengesë për vendin
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste vlerësoi se Shqipëria është në një moment shumë vendimtar, por dhe shumë delikat, pasi nuk kemi qenë asnjëherë kaq afër realizimit të një ëndrre historike, anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, Elbasan, Rama theksoi se “është e nevojshme që të jemi të gjithë të vetëdijshëm se këto hapa të fundit të tre-katër viteve që kemi përpara janë edhe më të vështirat”.Duke u ndalur te opozita, Rama tha se “vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe pastaj edhe me një energji që mund ta pengojë në këtë rrugë”.





















